Botë

Shpallen fajtorë pesë logopedë në Hong Kong për botimin e librave me dele e ujqër

Një gjykatës nga Hong Kongu ka shpallur fajtorë pesë logopedë për botimin e librave për fëmijë, të cilët po konsiderohen si “libra rebelë”.

Librat e tyre - për delet që përpiqen të frenojnë ujqërit nga fshati i tyre, u interpretuan nga autoritetet se kishin një mesazh të hapur politik, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Pas një gjyqi dy-mujor, një gjykatës i sigurisë kombëtare, i zgjedhur nga qeveria, tha se "qëllimi i tyre rebel" ishte i qartë.

Verdikti i gjykatës vjen në mes të një goditjeje ndaj lirive civile që nga viti 2020, kur Kina vendosi një ligj të ri të sigurisë kombëtare.

Pekini ka thënë se ligji është i nevojshëm për të sjellë stabilitet në vend, por kritikët thonë se ai është krijuar për të shtypur mospajtimin.

Ligji e bën më të lehtë ndjekjen penale të protestuesve dhe zvogëlon autonominë e përgjithshme të vendit, duke rritur gjithashtu ndikimin e Pekinit mbi vendimmarrjen politike dhe ligjore në qytet.

Grupi i pesë terapistëve të të folurit, të cilët ishin anëtarë themelues të një sindikate, prodhuan e-libra vizatimorë që disa i interpretuan si përpjekje për t'u shpjeguar fëmijëve lëvizjen pro-demokratike të Hong Kongut.

Në një nga tre librat, një fshat delesh luftojnë kundër një grupi ujqërish që po përpiqen të marrin nën kontroll vendbanimin e tyre. Në një tjetër, sulmuesit e armikut janë portretizuar si ujqër të ndyrë dhe të sëmurë.

“Qëllimi rebel nuk buron thjesht nga fjalët, por nga fjalët me efektet e ndaluara që synojnë të rezultojnë në mendjen e fëmijëve”, shkroi gjykatësi Kwok Wai-kin në gjykimin e tij, raporton agjencia e lajmeve AFP të mërkurën.

Ai tha se lexuesit e rinj të librave do të shtyheshin të besonin se autoritetet kineze po vinin në Hong Kong me "qëllimet e liga" për të shkatërruar jetën e banorëve të qytetit.

Lai Man-ling, Melody Yeung, Sidney Ng, Samuel Chan dhe Fong Tsz-ho, të cilët tashmë kanë kaluar më shumë se një vit në burg në pritje të vendimit, do t’u caktohen vitet e burgimit në ditën në vijim.

Grupi, i cili është i moshës nga 25 deri në 28 vjeç dhe u deklarua i pafajshëm, përballet me mundësi dënimi deri në dy vjet burgim.

"Në Hong Kongun e sotëm, ju mund të shkoni në burg për botimin e librave për fëmijë me vizatime ujqërish dhe delesh. Këto bindje për 'kryengritje' janë një shembull absurd i shpërbërjes së të drejtave të njeriut në qytet”, ka thënë Gwen Lee nga grupi i të drejtave “Amnesty International”.