Një gjykatë e drejtuar nga ushtria në Birmani ka dënuar Aung San Suu Kyi me tri vjet të tjera burgim për akuzat për mashtrim zgjedhor, kanë thënë avokatët e saj për BBC.
Suu Kyi - ish-udhëheqësja e vendit, tani është dënuar me 20 vjet burgim në tërësi, për 11 akuza, derisa disa të tjera nuk janë shqyrtuar ende.
Ajo mohon të gjitha akuzat derisa proceset gjyqësore ndaj saj janë dënuar nga grupet e të drejtave, duke u cilësuar si të motivuara politikisht.
Nëse shpallet fajtore për të gjitha akuzat, ajo mund të përballet me gati 200 vjet burgim. Dënimi i ri përfshinte punë të rëndë, thanë avokatët e saj.
76-vjeçarja laureate e çmimit “Nobel” e ka kaluar shumicën e kohës në paraburgim nën arrest shtëpiak në kryeqytetin, Nay Pyi Taw.
Publiku dhe media nuk kanë pasur akses në seancat dëgjimore të cilat janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ushtria ka penguar avokatët e saj të flasin me gazetarët.
Gjykata e shpalli atë fajtore për mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2020, të cilat partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD), i fitoi me shumicë dërrmuese.
Ushtria nisi një grusht shteti vitin e kaluar pasi pretendoi se kishte pasur mashtrim masiv të votuesve në votim, por vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve thanë se sondazhi ishte "përfaqësues i vullnetit të popullit".
Edhe OKB-ja ka thënë se ajo po përballet me një "gjyq të rremë".
Marrja e dhunshme e pushtetit nga ushtria shkurtin e kaluar shkaktoi demonstrata të gjera, duke bërë që ushtria e Birmanisë të godiste protestuesit, aktivistët dhe gazetarët pro-demokracisë.
Suu Kyi dhe shumë anëtarë të partisë së saj, janë në mesin e më shumë se 15,000 njerëzve që janë arrestuar nga ushtria e Birmanisë që kur ajo mori pushtetin, ndërkaq, 12,000 mbeten në burg, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politik (Burma).