Një ekip inspektorësh i OKB-së ka marrë rrugën drejt centralit bërthamor të Zaporizhzhias së Ukrainës të mërkurën në një mision të rrezikshëm dhe të kërkuar prej kohësh për të mbrojtur vendin dhe për të parandaluar një katastrofë nga luftimet që po bëhen rreth tij, raportoi AP-ja.
Duke theksuar rrezikun, Kievi dhe Moska përsëri akuzuan njëri-tjetrin për granatimin e zonës përreth kompleksit gjatë natës. Zaporizhzhia është centrali bërthamor më i madh në Evropë.
Luftimet në fillim të marsit shkaktuan një zjarr të shkurtër në kompleksin e tij dhe ditët e fundit, centrali u hoq përkohësisht jashtë linjës energjetike për shkak të dëmtimit, duke rritur frikën për një rrjedhje rrezatimi ose një shkrirje të reaktorit. Zyrtarët kanë filluar shpërndarjen e tabletave të jodit kundër rrezatimit për banorët aty pranë.
Kompleksi ka qenë i pushtuar nga forcat ruse, por i drejtuar nga inxhinierë ukrainas që në ditët e para të luftës 6-mujore. Ukraina pretendon se Rusia po e përdor centralin si një mburojë, duke ruajtur armët atje dhe duke nisur sulme nga përreth tij, ndërsa Moska akuzon Ukrainën se ka qëlluar në mënyrë të pamatur në atë zonë.
Për muaj me radhë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka kërkuar qasje në central dhe liderët botërore kanë kërkuar po ashtu që një mbikëqyrës i OKB-së të lejohet atje për inspektim.