Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret përmes të cilit do të kenë përfitime financiare njerëzit që u larguan nga Ukraina për në Rusi.
Pensionistët, gratë shtatzëna dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin gjithashtu pagesën e përfitimit, sipas dekretit, raportoi Sky News të shtunën.
Dekreti, i publikuar në një portal qeveritar, thotë se pagesat mujore të pensionit prej mbi 166 euro do t'u jepen njerëzve që janë detyruar të largohen nga territori i Ukrainës, që nga 18 shkurti.
Personat me aftësi të kufizuara do të kenë gjithashtu të drejtën për të njëjtën mbështetje mujore, ndërsa gratë shtatzëna kanë të drejtë për një përfitim të vetëm.
Dekreti thotë se pagesat do t'u bëhen qytetarëve të Ukrainës dhe atyre të Republikave Popullore të vetëquajtura Donetsk dhe Luhansk - dy entitete separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, që Moska i njohu si të pavarura në shkurt, në një lëvizje të dënuar nga Ukraina dhe Perëndimi si të paligjshme.