Evropa po përfshihet në atë që konsiderohet thatësia më e madhe në 500 vjetët e fundit. Periudha e thatësisë ka të ngjarë të zgjatë të paktën deri në nëntor të këtij viti përgjatë Mesdheut Evropian.
Dy të tretat e Evropës janë nën një lloj paralajmërimi për thatësi, në atë që ka të ngjarë të jetë ngjarja e tillë më e tmerrshme në 500 vjetët e fundit.
Raporti i fundit nga Observatori Global i Thatësisë ka njoftuar se 47% e kontinentit është në kushte “paralajmëruese”, që do të thotë se toka është tharë.
Një tjetër 17-përqindësh është në gjendje gatishmërie - që do të thotë se bimësia po “tregon shenja stresi”.
Raporti paralajmëron se periudha e thatë do t’i godasë rendimentet e të korrave, do të ndezë zjarre dhe mund të zgjasë disa muaj më shumë në disa nga rajonet jugore të Evropës.
Krahasuar me mesataren e pesë vjetëve të mëparshëm, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur me 16% për misrin, 15% për sojën dhe 12% për lulediellin.
Observatori i thatësirës është pjesë e krahut të kërkimit të Komisionit Evropian. Duke iu përgjigjur kësaj, Komisioni ka paralajmëruar se të dhënat paraprake sugjerojnë se “thatësia aktuale duket të jetë më e keqja që prej të paktën 500 vjetësh”.
Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe mungesa e ujit kanë “krijuar stres të paprecedentë në nivelet e ujit në të gjithë BE-në”, ka theksuar komisionarja e Kërkimeve, Mariya Gabriel.
“Aktualisht po vërejmë një sezon zjarresh në mënyrë të ndjeshme mbi mesataren dhe kjo ka ndikim të rëndësishëm në prodhimin e të korrave. Ndryshimet klimatike padyshim janë më të dukshme çdo vit”, ka shtuar ajo.
Raporti ka paralajmëruar se pothuajse të gjithë lumenjtë e Evropës janë tharë deri në një farë mase. Përveç ndikimit të dukshëm tek anijet, lumenjtë e thatë po godasin edhe sektorin e energjisë, i cili tashmë është në krizë. Sipas raportit, energjia hidroelektrike ka rënë me 20%.
Një “thatësi e fortë” ka qenë e pranishme në shumë vende gjatë të gjithë vitit, mirëpo “është duke u zgjeruar dhe përkeqësuar më tej që nga fillimi i gushtit”, bëhet e ditur në raport. Kushtet ka të ngjarë të zgjasin të paktën deri në nëntor të këtij viti përgjatë Mesdheut Evropian.
Raporti paralajmëron se situata po përkeqësohet në vende si Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Hungaria, Serbia veriore, Ukraina, Moldavia, Irlanda dhe Britania e Madhe.
Paralajmërimi i ashpër i studiuesve pason nivelet e lumenjve të fundosur me shpejtësi në të gjithë Evropën, të cilët kanë ekspozuar relike të së kaluarës - duke paralajmëruar për urinë e mundshme dhe mbetjet e fundosura të anijeve naziste të Luftës së Dytë Botërore.
Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila kishte një thatësirë zyrtare të deklaruar në disa rajone, disa pemë janë kthyer në një nuancë vjeshtore të gështenjës - në atë që konsiderohet një "vjeshtë e rreme" për shkak të nxehtësisë.