Policia e Zelandës së Re po heton një familje, pasi gjeti mbetje njerëzore në valixhet që u blenë nga një ankand në një depo.
Zbulimi i frikshëm u bë në South Auckland.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet për vrasje dhe po punojnë në identifikimin e eshtrave.
Familja, tek e cila u gjetën valixhet dyshohet se nuk ka qenë e përfshirë në ngjarje.
Mësohet se familja kishte shkuar në njësinë e magazinimit dhe kishte blerë një ngarkesë mallrash, ku përfshihen edhe valixhet, nga një kompani lokale e magazinimit, shkruan BBC-ja të martën.
Zbulimi u bë pasi banorët i sollën gjërat në shtëpi, tha inspektori detektiv, Tofilau Faamanuia Vaaelua.
Disa fqinjë të familjes raportuan gjithashtu për “erë të keqe” që dilte nga valixhet, përpara se të arrinte Policia.
Një nga fqinjët tha se era u dallua menjëherë.
“E ndjeva menjëherë dhe mendova se nga po vjen”, tha ai.
Një fqinjë tjetër tha se djali i saj i kishte parë disa valixhe duke u shkarkuar nga një rimorkio përpara se të vendosej një tendë mjeko-ligjore që ishte ngritur rreth objektit.
Pamjet e publikuara në gazetën Stuff të Zelandës së Re, treguan një rimorkio të parkuar në oborr.
Zyrtarët e policisë kanë thënë se prioriteti i tyre është “konfirmimi dhe identifikimi i viktimës, në mënyrë që të mund të përcaktojmë rrethanat e plota pas zbulimit”.
Ata shtuan, duke pasur parasysh “natyrën e zbulimit”, do të duhej kohë që të afërmit të informoheshin.