Agjencia e ndihmës, “Save the Children”, intervistoi rreth 1.700 djem dhe vajza midis moshës 9 dhe 17 vjeç në shtatë provinca për të vlerësuar ndikimin e kufizimeve arsimore. Sondazhi, i kryer në maj dhe qershor dhe i publikuar të mërkurën, zbuloi se më shumë se 45% e vajzave nuk shkojnë në shkollë, krahasuar me 20% të djemve. Ai zbuloi gjithashtu se 26% e vajzave po shfaqin shenja depresioni, krahasuar me 16% të djemve
Për shumicën e vajzave adoleshente në Afganistan, ka kaluar një vit qëkur kanë shkelur në një klasë. Pa asnjë shenjë që talebanët në pushtet do t'i lejojnë ato të kthehen në shkollë, disa po përpiqen të gjejnë mënyra për të parandaluar ngecjen e arsimit për një brez të grave të reja.
Në një shtëpi në Kabul, dhjetëra u mblodhën së fundmi për mësime në një shkollë joformale të ngritur nga Sodaba Nazhand. Ajo dhe motra e saj u mësojnë anglisht, shkencë dhe matematikë vajzave që duhet të jenë në shkollë të mesme.
“Kur talebanët donin t'ua hiqnin grave të drejtat e arsimit dhe të drejtat e punës, unë doja të qëndroja kundër vendimit të tyre duke i mësuar këto vajza”, tha Nazhand për “Associated Press”.
E saja është një nga një numër shkollash nëntokësore që funksionojnë që kur talebanët morën vendin një vit më parë dhe u ndaluan vajzave ta vazhdonin shkollimin pas klasës së gjashtë. Ndërsa talebanët i kanë lejuar gratë të vazhdojnë të ndjekin universitetet, ky përjashtim do të bëhet i parëndësishëm kur të mos ketë më vajza që mbarojnë shkollat e mesme.
“Nuk ka asnjë mënyrë për të mbushur këtë boshllëk dhe kjo situatë është shumë e trishtueshme dhe shqetësuese”, tha Nazhand.
Agjencia e ndihmës, “Save the Children”, intervistoi rreth 1.700 djem dhe vajza midis moshës 9 dhe 17 vjeç në shtatë provinca për të vlerësuar ndikimin e kufizimeve arsimore.
Sondazhi, i kryer në maj dhe qershor dhe i publikuar të mërkurën, zbuloi se më shumë se 45% e vajzave nuk shkojnë në shkollë, krahasuar me 20% të djemve. Ai zbuloi gjithashtu se 26% e vajzave po shfaqin shenja depresioni, krahasuar me 16% të djemve.
Pothuajse e gjithë popullsia e Afganistanit u hodh në varfëri dhe miliona mbetën të paaftë për të ushqyer familjet e tyre kur bota ndërpreu financimin në përgjigje të pushtimit të talebanëve.
Mësuesit, prindërit dhe ekspertët paralajmërojnë të gjithë se krizat e shumta të vendit, përfshirë kolapsin shkatërrues të ekonomisë, po rezultojnë veçanërisht të dëmshme për vajzat. Talebanët kanë kufizuar punën e grave, i kanë inkurajuar ato të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë nxjerrë kode veshjeje që u kërkojnë atyre t’i mbulojnë fytyrat, përveç syve, megjithëse kodet nuk zbatohen gjithmonë.
Komuniteti ndërkombëtar po kërkon që talebanët të hapin shkolla për të gjitha vajzat, dhe SHBA-ja e BE-ja kanë krijuar plane për të paguar pagat drejtpërdrejt për mësuesit e Afganistanit, duke e mbajtur sektorin të funksionojë pa i transferuar fondet përmes talebanëve.
Por çështja e arsimimit të vajzave duket se është ngatërruar në dallimet e prapaskenave mes talebanëve. Disa në lëvizje mbështesin kthimin e vajzave në shkollë, qoftë sepse nuk shohin ndonjë kundërshtim fetar ndaj tij ose sepse duan të përmirësojnë lidhjet me botën. Të tjerët, veçanërisht pleqtë e fshatit, të fiseve që përbëjnë shtyllën kurrizore të lëvizjes, e kundërshtojnë me vendosmëri atë.
Gjatë sundimit të tyre të parë në Afganistan në vitet 1990, talebanët vendosën kufizime shumë më të rrepta për gratë, duke ndaluar shkollën për të gjitha vajzat, duke i ndaluar gratë nga puna dhe duke u kërkuar atyre të mbanin një burkë gjithëpërfshirëse nëse dilnin jashtë.
Në 20 vjetët pas dëbimit të talebanëve nga pushteti në vitin 2001, një brez i tërë grash u kthyen në shkollë dhe në punë, veçanërisht në zonat urbane. Duke i pranuar ato ndryshime, talebanët i siguruan afganët kur morën përsëri kontrollin vitin e kaluar se nuk do të ktheheshin në dorën e rëndë të së kaluarës.
Zyrtarët kanë këmbëngulur publikisht se do t’i lejojnë vajzat adoleshente të kthehen në shkollë, por thonë se nevojitet kohë për të krijuar logjistikë për ndarje të rreptë gjinore për të siguruar një “kornizë islamike”.
Shpresat u ngritën në mars: Pak para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit talebane shpalli se të gjithë do të lejohen të kthehen. Por më 23 mars, ditën e rihapjes, vendimi u kthye papritur, duke habitur edhe zyrtarë të ministrisë. Dukej se në minutën e fundit, udhëheqësi suprem i talebanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, u përkul para opozitës.
Shekiba Qaderi, një 16-vjeçare, ka kujtuar se si është shfaqur atë ditë, gati për të filluar klasën e 10-të. Ajo dhe të gjithë shokët e saj të klasës ishin duke qeshur dhe të emocionuar, derisa një mësues hyri dhe u tha të shkonin në shtëpi. Vajzat shpërthyen në lot, tha ajo. “Ky ishte momenti më i keq në jetën tonë”.
Që atëherë, ajo është përpjekur të vazhdojë me studimet në shtëpi, duke lexuar librat e saj shkollorë, romanet dhe librat e historisë. Ajo po studion anglisht përmes filmave dhe videove në YouTube.
Aksesi i pabarabartë në arsim prek familjet. Shekiba dhe një motër më e vogël nuk mund të shkojnë në shkollën e saj, por dy vëllezërit e saj munden. Motra e saj e madhe është në një universitet privat duke studiuar drejtësi. Kjo është pak rehati, tha babai i tyre, Mohammad Shah Qaderi. Shumica e pedagogëve janë larguar nga vendi duke ulur cilësinë e arsimit.
Edhe nëse e reja merr një diplomë universiteti, “çfarë përfitimi ka?”, pyeti Qaderi, një 58 vjeçar, punonjës i qeverisë në pension.
“Ajo nuk do të ketë punë. Talibanët nuk do ta lejojnë atë të punojë", tha ai.
Qaderi tha se gjithmonë ka dashur që fëmijët e tij të marrin arsim të lartë. Tani kjo mund të jetë e pamundur, kështu që ai po mendon të largohet nga Afganistani për herë të parë pas kalimit të viteve të luftës.
“Nuk mund t'i shoh të rriten para syve të mi pa arsim; thjesht nuk është e pranueshme për mua”, tha ai.
Shkollat e nëndheshme paraqesin një alternativë tjetër, ndonëse me kufizime.
Një muaj pas pushtimit të talebanëve, Nazhand filloi t'u mësonte fëmijëve të rrugës të lexonin me klasa joformale në natyrë në një park në lagjen e saj. Gratë që nuk dinin të lexonin apo shkruanin iu bashkuan atyre, tha ajo. Pak kohë më vonë, një dashamirës që e pa në park, mori me qira një shtëpi për të për të mbajtur mësimet dhe bleu tavolina dhe karrige. Pasi ajo po operonte brenda, Nazhandi përfshinte vajza adoleshente që nuk lejoheshin më të shkonin në shkollën publike.
Tani ka rreth 250 nxënës, duke përfshirë 50 ose 60 nxënëse mbi klasën e gjashtë.
“Unë jo vetëm që po u mësoj atyre lëndët shkollore, por gjithashtu po përpiqem t'i mësoj se si të luftojnë dhe të qëndrojnë për të drejtat e tyre”, tha Nazhandi. Talebanët nuk kanë ndryshuar nga hera e tyre e parë në pushtet në fund të viteve 1990, tha ajo. “Këta janë të njëjtët talebanë, por ne nuk duhet të jemi të njëjtat gra të atyre viteve. Ne duhet të luftojmë: duke shkruar, duke ngritur zërin, me çdo mënyrë të mundshme”.
Shkolla e Nazhandit dhe të tjera si ajo, janë teknikisht të paligjshme nën kufizimet aktuale të talebanëve, por deri më tani ata nuk e kanë mbyllur të sajën. Të paktën një person tjetër që drejton një shkollë refuzoi të fliste me gazetarët, megjithatë, nga frika e pasojave të mundshme.
Pavarësisht angazhimit të saj të palëkundur, Nazhandi shqetësohet për të ardhmen e shkollës së saj. Bamirësi i saj pagoi qiranë e shtëpisë për gjashtë muaj, por ai vdiq kohët e fundit dhe ajo nuk ka asnjë mënyrë për të vazhduar ta paguajë qiranë apo furnizimet.
Për studentët, shkollat e nëndheshme janë një rrugë shpëtimi.
“Është shumë e vështirë kur nuk mund të shkosh në shkollë”, tha njëra prej tyre, Dunya Arbabzada. "Sa herë që kaloj pranë shkollës sime dhe shoh derën e mbyllur ... është shumë e trishtueshme për mua".
Përktheu: Forca Jashari