Inteligjenca britanike njoftoi të martën se trupat ruse po kryejnë sulme raketore në portin e Odesës në Ukrainë, derisa nuk ka tregues nëse goditjet ruse ranë mbi caqet e synuara.
Në raportin e përditshëm, Britania e Madhe tha se Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi që Ukrainës iu shkatërrua një luftanije dhe një depo raketash.
“Rusia me siguri i percepton raketat kundër anijeve si një kërcënim kryesor që po kufizon efektivitetin e flotës së saj të Detit të Zi. Kjo ka dëmtuar ndjeshëm planin e përgjithshëm të pushtimit, pasi Rusia nuk mund të tentojë realisht një sulm amfib për të pushtuar Odesën”, thuhet në njoftimin britanik.
Britania e Madhe bëri të ditur se Rusia do t’i vazhdojë sulmet, në përpjekje për t’ia shkatërruar Ukrainës aftësinë detare.
“Proceset shënjestruese të Rusisë ka gjasa të minohen në mënyrë rutinore për shkak të inteligjencës së vjetruar, planifikimit të dobët dhe qasjes nga lartë-poshtë ndaj operacioneve”, thuhet tutje.
Porti ukrainas i Odesës është kyç për procesin e eksportimit të kulturave bujqësore nga Ukraina në Evropë.