Në Spanjë dhe Portugali, më shumë se 1.000 vdekje i janë atribuuar vapës ditëve të fundit. Enrique Sanchez, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjedisore dhe Biokimisë në Universitetin e Castilla-La Mancha në Spanjë, i tha BBC-së se valët e të nxehtit së shpejti do të bëhen normë. "Në terma afatgjatë, dua të them se në vitet në vijim, nuk ka asnjë mënyrë që temperaturat të mos rriten, kështu që ngjarjet e valëve të të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë Evropën", tha ai
Franca perëndimore po përballet me "apokalips të të nxehtit", kanë paralajmëruar ekspertët, pasi temperaturat ekstreme vazhdojnë të godasin pjesën më të madhe të Evropës.
Temperaturat mund të arrijnë nivele rekord në 15 rajone të jugperëndimit, me zjarrfikësit që po luftojnë me zjarret dhe mijëra persona që janë detyruar të evakuohen.
Flakët në Spanjë, Portugali dhe Greqi kanë detyruar mijëra të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Temperaturat rekorde priten gjithashtu në disa pjesë të Britanisë së Madhe, e cila po përballet me paralajmërimin e parë të alarmit të kuq të nxehtësisë ekstreme.

Zjarret në Francë në ditët e fundit kanë detyruar mbi 24.000 njerëz të largohen, me strehimore emergjente të ngritura për të evakuuarit.
Gironde, një rajon turistik popullor në jugperëndim, është goditur veçanërisht fort, me zjarrfikësit që po luftojnë për të kontrolluar zjarret që kanë shkatërruar mbi 14.000 hektarë tokë që nga e marta e kaluar.
Jean-Luc Gleyze, president i rajonit Gironde, i tha BBC-së se zjarret janë zgjeruar në La-Teste-de-Buch dhe Landiras për shkak të motit të nxehtë dhe me erë, duke e bërë të vështirë punën për zjarrfikësit.
"Ata duhet të luftojnë kundër këtij zjarri që po zgjerohet shumë e më shumë”, tha ai.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar paralajmërime për atë që një meteorolog e përshkroi për agjencinë e lajmeve AFP si "një apokalips nxehtësie" në disa zona të jugperëndimit francez.
Vala e të nxehtit ka prekur edhe zona të tjera të Francës. Qyteti i Brestit shënoi temperaturën 40C, shumë më e lartë se mesatarja e zakonshme për korrikun.
Temperaturat e larta rekorde u regjistruan në shumë qytete franceze, njoftoi zyra kombëtare e motit.
Në Spanjë dhe Portugali më shumë se 1.000 vdekje i janë atribuuar vapës ditëve të fundit.
Në provincën veriperëndimore të Spanjës, Zamora, ku një zjarr po bën kërdi që nga fundjava, trupi i një bariu u gjet në vargmalin malor Sierra de la Culebra. Rasti është vdekja e dytë nga zjarri në Zamora, pasi një zjarrfikës 62-vjeçar vdiq të dielën.
Në rajonin verilindor të Katalonjës, zjarri erdhi deri në shtëpinë e Mercedes Pino pranë Pont de Vilomara.
“Isha në shtrat dhe nga dritarja pashë një dritë shumë të kuqe”, tha ajo për mediat spanjolle. “Vrapova sa më shpejt te dera dhe pashë një flakë para derës”.
Zjarret shpërthyen gjithashtu në Castilla y León, Galicia, Castile, Andaluzi dhe Extremadura. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, vizitoi Extremadurën.
"Me sa duket, ndryshimi i klimës vret", tha ai. "Ajo vret njerëzit, vret ekosistemin tonë, biodiversitetin".
Temperaturat në Portugali arritën në 47C të enjten - një rekord për korrikun.
Një e treta e kontinentit mbetet ende në rrezik ekstrem nga zjarri, sipas zyrës kombëtare meteorologjike IPMA. Kjo është për shkak të kushteve të thatësirës së rëndë ose ekstreme pothuajse kudo.
Qindra njerëz janë evakuuar, me autoritetet në ankth për të shmangur një përsëritje të vitit 2017, kur 66 njerëz vdiqën nga zjarret.
Vala e të nxehtit është e dyta që godet disa pjesë të Evropës Jugperëndimore në javët e fundit.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C, që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.
Enrique Sanchez, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjedisore dhe Biokimisë në Universitetin e Castilla-La Mancha në Spanjë, i tha BBC-së se valët e të nxehtit së shpejti do të bëhen normë.
"Në terma afatgjatë, dua të them se në vitet në vijim, nuk ka asnjë mënyrë që temperaturat të mos rriten, kështu që ngjarjet e valëve të të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë Evropën", tha ai.