Shumë analistë rrëshqitjen e euros ia atribuojnë pritjeve për rritje të shpejtë të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së, për të luftuar nivelet më të larta të inflacionit në 40 vjet, i cili arriti në 9.1% të mërkurën
Euroja po qëndron pezull, pranë barazisë me dollarin, duke rënë në nivelin më të ulët në 20 vjet, dhe madje duke prekur shkurtimisht një kurs këmbimi një-për-një me monedhën amerikane këtë javë.
Është një pengesë psikologjike në tregje. Por, psikologjia është e rëndësishme dhe ajo që nënvizon rrëshqitja e euros është parandjenja në 19 vendet evropiane, që përdorin monedhën, derisa luftojnë me një krizë energjie të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Çfarë do të thotë pariteti, euro dhe dollar?
Kjo do të thotë se monedhat evropiane dhe ato amerikane vlejnë të njëjtën shumë.
Kursi i këmbimit të një monedhe mund të jetë një verdikt për perspektivat ekonomike, dhe ato të Evropës janë zbehur. Pritjet që ekonomia do të shihte një rikthim, pas kthesës nga pandemia COVID-19, po zëvendësohen nga parashikimet e recesionit.
Më shumë se çdo gjë, fajin e kanë çmimet më të larta të energjisë dhe inflacioni rekord. Evropa është shumë më e varur nga nafta dhe gazi natyror rus sesa SHBA-ja, për të mbajtur industrinë të zhurmshme dhe për të prodhuar energji elektrike. Frika se lufta në Ukrainë do të çojë në një humbje të naftës ruse në tregjet globale, ka rritur çmimet e naftës. Dhe Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz natyror për Bashkimin Evropian, të cilin liderët e BE-së e përshkruan si hakmarrje për sanksionet dhe dërgesat e armëve në Ukrainë.
Çmimet e energjisë kanë çuar inflacionin e eurozonës në një rekord prej 8.6% në qershor, duke bërë çdo gjë më të shtrenjtë, duke filluar nga gjërat ushqimore deri te faturat e shërbimeve. Ato gjithashtu kanë ngritur frikën rreth racionimit të gazit natyror nga qeveritë në industri, si çeliku, prodhimi i qelqit dhe bujqësia, nëse Rusia redukton më tej ose mbyll plotësisht rubinetet e gazit.
Ndjenja e dënimit u rrit kur gazsjellësi kryesor, Nord Stream 1, nga Rusia në Gjermani, u mbyll të hënën për mirëmbajtjen e planifikuar, duke rritur frikën se Kremlini nuk do të rifillojë dërgesat këtë muaj.
“Çfarë thotë rënia e euros? Po bëhet gjithnjë e më e qartë se eurozona po shkon drejt recesionit”, shkroi në Twitter, të martën, Robin Brooks, kryeekonomist në grupin tregtar bankar të Institutit të Financave Ndërkombëtare.
Vlera të barabarta
Euroja nuk është vlerësuar nën 1 dollar, që nga 15 korriku i vitit 2002. Tani është nën 1.01 dollarë.
Monedha evropiane arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 1.18 dollarësh, menjëherë pas lëshimit të saj më 1 janar të vitit 1999, por më pas filloi një rrëshqitje e gjatë, duke rënë në shenjën e 1 dollarëve në shkurt të vitit 2000 dhe duke arritur një rekord të ulët prej 82.30 centë në tetor të vitit 2000. U ngrit mbi paritet, në vitin 2002 pasi deficitet e mëdha tregtare dhe skandalet e kontabilitetit, në Wall Street, rëndonin dollarin.
Atëherë, ashtu si tani, ajo që duket të jetë një histori e euros është gjithashtu në shumë mënyra një histori e dollarit. Kjo, për shkak se dollari amerikan është ende monedha dominuese në botë për tregtinë dhe rezervat e bankave qendrore. Dhe dollari ka arritur nivelet më të larta të 20 vjetëve ndaj monedhave të partnerëve të tij kryesorë tregtarë, jo vetëm ndaj euros.
Dollari po përfiton gjithashtu nga statusi i tij, si një strehë e sigurt për investitorët në kohë pasigurie.
Pse po bie euro?
Shumë analistë ua atribuojnë rrëshqitjen e euros pritjeve për rritje të shpejtë të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së, për të luftuar nivelet më të larta të inflacionit në 40 vjet, i cili arriti në 9.1% vjetore të mërkurën.
Derisa Sistemi i Rezervës Federale të SHBA-së rrit normat e interesit, normat e investimeve me interes priren gjithashtu të rriten. Nëse SRF-ja rrit normat më shumë se Banka Qendrore Evropiane, kthimet më të larta të interesit do të tërheqin paratë e investitorëve nga euro në investime në dollarë. Këta investitorë do të duhet të shesin euro dhe të blejnë dollarë, për të blerë ato prona. Kjo e çon euron poshtë dhe dollarin lart.
BQE (Banka Qendrore Evropiane) ka njoftuar se do të rrisë normat e interesit javën e ardhshme dhe do të shtojë një rritje tjetër në shtator. Por nëse ekonomia zhytet në recesion, kjo mund të ndalojë serinë e rritjes së normave të BQE-së. Ndërkohë, ekonomia e SHBA-së duket më e fuqishme, që do të thotë se Qeveria mund të vazhdojë të shtrëngohet dhe të zgjerojë hendekun e normave.
Kush fiton?
Turistët amerikanë në Evropë do të gjejnë fatura hotelesh, restorantesh dhe bileta më të lira. Euroja më e dobët, mund t'i bëjë mallrat e eksportit evropian më konkurrues për nga çmimi në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja dhe BE-ja janë partnerë kryesorë tregtarë, kështu që ndryshimi i kursit të këmbimit do të vihet re.
Në SHBA, një dollar më i fortë nënkupton çmime më të ulëta për mallrat e importuara, nga makinat dhe kompjuterët, te lodrat dhe pajisjet mjekësore, të cilat mund të ndihmojnë në zbutjen e inflacionit.
"Barazia e bën të lehtë për ne dhe shumë më tepër para shkojnë më tej tani, kështu që ne mund të bëjmë shumë më tepër në udhëtimin tonë", tha John Muldoon, i cili po vizitonte Romën këtë javë nga Delaware.
Olivia Navarret, një tjetër turiste e Romës, nga Pensilvania, tha se kursi i këmbimit nënkuptonte se një këmishë që ajo bleu ishte më pak e shtrenjtë.
"Është më lirë të vish këtu dhe të blesh gjëra", tha ajo. "Pra, është më mirë të vish këtu, mendoj, dhe të shpenzosh para këtu sesa të shpenzosh para në SHBA".
Kush humb?
Kompanitë amerikane, që bëjnë shumë biznese në Evropë, do të shohin që të ardhurat nga ato biznese do të tkurren edhe nëse i kthejnë ato fitime në SHBA. Nëse fitimet nga euroja mbesin në Evropë, për të mbuluar kostot atje, kursi i këmbimit bëhet më pak problematik.
Një shqetësim kryesor për SHBA-në është se një dollar më i fortë, i bën produktet e prodhuara në SHBA më të shtrenjta në tregjet jashtë shtetit, duke zgjeruar deficitin tregtar dhe duke ulur prodhimin ekonomik, ndërkohë që u jep produkteve të huaja një avantazh çmimi në Shtetet e Bashkuara.
Një euro më e dobët mund të jetë një dhimbje koke për Bankën Qendrore Evropiane, sepse kjo mund të nënkuptojë çmime më të larta për mallrat e importuara, veçanërisht naftën, e cila është me çmim në dollarë. BQE-ja tashmë po tërhiqet në drejtime të ndryshme: është vendosur të rrisë normat e interesit, ilaçi tipik për inflacionin, por normat më të larta gjithashtu mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike.
Përktheu: Forca Jashari