Botë

Bombardohet depoja e metrosë në Kharkiv

Ushtria ruse bombardoi depon e metrosë në Kharkiv të enjten, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, raportoi BBC-ja.

Në këtë sulm nuk u regjistrua ndonjë i lënduar apo i vrarë, derisa kreu i Kharkivit, Oleg Sinegubov, publikoi pamje pas sulmit.

“Një tjetër krim nga rusët. Natën, pushtuesit sulmuan depon e metrosë në Kharkiv. Gjëja më e rëndësishme është se askush nuk u lëndua”, theksoi ai.

Sinegubov potencoi se nga 24 shkurti kur nisi pushtimi rus, trupat ruse i shkatërruan mbi 4.800 objekte infrastrukturore në Ukrainë.

Deri më tani janë shkatërruar mbi 4 mijë ndërtesa banimi, 500 institucione arsimore, mbi 500 mjekësore e 12 ndërmarrje industriale.