Ministrat evropianë kanë dhënë miratimin e tyre të martën që Kroacia të fut në përdorim euron më 1 janar të vitit 2023.
Vendi i Evropës Lindore do të bëhet zyrtarisht anëtari i 20-të i eurozonës më 1 janar 2023, gati një dekadë pasi u bë anëtare e Bashkimit Evropian, raportoi "Euronews".
Ministri kroat i financave Zdravko Mariç, ka thënë të martën se pengesa e fundit për përdorimin e kësaj monedhe kaloi me miratimin nga ministrat evropianë, teksa e cilësoi 12 korrikun si “një ditë të madhe për BE-në dhe për Bashkimin Monetar Evropian”.
"Fakti që Kroacia do të bëhet anëtari i 20-të i Eurozonës është gjithashtu sinjal i qartë se integrimi evropian është në vazhdim, pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat po përballemi. Ky është një mesazh shumë i fortë dhe pozitiv për të gjithë qytetarët tanë, klientë në të gjitha tregjet tona”, shtoi ai.
Guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate gjithashtu përshëndeti masën, duke argumentuar në një deklaratë se monedha e përbashkët do t'u ofrojë qytetarëve dhe bizneseve përfitime konkrete, të drejtpërdrejta dhe të përhershme.
Vendimi i ministrave të financave erdhi pasi euro arriti barazinë me dollarin amerikan për herë të parë në 20 vjet pasi tregjet kanë frikë se blloku 27-vendesh mund të zhytet në recesion si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.