Botë

Euro në nivelin më të ulët në raport me dollarin

Euro vazhdoi rënien edhe këtë javë në raport me dollarin amerikan, duke prekur nivelin më të ulët në 20 vite sa ekziston. Ngadalë po i shkon drejt barazimit me dollarin. Të enjten, 1 euro u shkëmbye me 1.02 dollarë,.

Të mërkurën mbrëma ishte edhe më keq, u tregtua me 1.0165 dollarë, përpara se të rikuperohej pak e të mbërrinte në 1,02 dollarë mëngjesin e së enjtes, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Monedha e përbashkët e Eurozonës është në rënie të vazhdueshme, pasi frika për një recesion të mundshëm është rritur për shkak të pasigurisë energjetike dhe kërcënimit se Rusia do të kufizojë më tej furnizimet me gaz në Bashkimin Evropian.

Perspektiva e një ngadalësimi ekonomik në Evropë hedh dyshime nëse Banka Qendrore Evropiane do të jetë në gjendje të shtrëngojë politikën monetare mjaftueshëm për të frenuar inflacionin rekord.

Deutsche Bank theksoi se problemet e Evropës janë më të mëdha se mungesa e mundshme e gazit, duke vënë në dukje problemet e Francës me prodhimin e energjisë elektrike.

Analisti ekonomik George Saravelos sugjeroi se rënia mund të jetë edhe më ekstreme, sepse ekonomia amerikane po hyn në një recesion teknik, i cili do të thellojë më tej presionin mbi kursin e këmbimit euro-dollar.