Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, vlerësoi se përpjekja ruse për pushtim të Ukrainës ka dështuar dhe se do të vazhdojë edhe në vazhdim.
Sipas tij, nuk duhet të ngatërrohen qëllimet taktike me ato strategjike. Në nëj intervistë dhënë CNN, Blinken tha se presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në qëllime strategjike.
"Qëllimi i tij strategjik ishte të shfuqizonte sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, ta fshinte atë nga harta, t'i nënshtrohej Rusisë. Kjo dështoi", tha Blinken, raporton “Politico” të hënën.
Blinken shtoi se përpjekja e Putinit për të marrë Kievin dhe zonat e tjera të rëndësishme në një sulm të shpejtë, dështoi. Ai pranoi se ushtria ruse arriti në javët e fundit të pushtojë disa qytete në Ukrainën lindore, duke përfshirë Mariupolin dhe Severodonetskun.
"Në Ukrainën lindore, ka një betejë taktike, të ashpër me agresorin rus në njëren anë dhe refuzimin e forcave ukrainase të dorëzohen në anën tjetër. Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që qëllimi strategjik i Putinit të mos ketë sukses”, thekson ai.
Blinken vuri në pah edhe një dështim të Putinit, që me përpjekjet e tij për pushtimin e Ukrainës të çojë në ndarjen e NATO-s.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por jo gjithçka i ka ecur sipas planit. Pas dështimit për të pushtuar këtë vend në shkallë të gjerë, u përqëndrua në lindje, përkatësisht në rajonin e Donbasit.