Botë

Zelensky shkarkon shefin e sigurisë rajonale në Kharkiv

Zelensky lavdëron ukrainasit që mbijetuan 50 ditë të luftës

Me t’u kthyer në Kiev nga vizita e tij në Kharkiv, të dielën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar për shkarkimin e shefit të sigurisë rajonale në këtë rajon, shkruan CNN-i të hënën.

Zelensky ka njoftuar se ky shkarkim ndodhi pasi kreu i shërbimit të sigurisë në Kharkiv nuk ka punuar për të mbrojtur qytetin.

“Shkarkova kreun e SBU-së rajonale, i cili nuk punoi për të mbrojtur qytetin që në ditët e para të pushtimit në shkallë të gjerë dhe mendonte vetëm për veten e tij personalisht", ka thënë Zelensky derisa vlerësoi autoritetet në Kharkiv.

Derisa foli për vizitën e tij të parë jashtë rajonit të kryeqytetit që nga nisja e pushtimit rus, Zelensky ka thënë se një e treta e rajonit të Kharkivit është ende nën okupim.

"Kharkovi pësoi goditje të tmerrshme nga pushtuesit. Ndërtesat gjysmë të rrënuara të apartamenteve kanë pamje të tmerrshme. Rusia ka humbur tashmë jo vetëm betejën për Kharkivin, për Kievin dhe veriun e vendit tonë. Ajo humbi të ardhmen e saj dhe çdo lidhje kulturore me botën e lirë", ka shtuar ai.

Për luftimet në Donbas, Zelensky tha se 90 për qind e banesave në Severodonetsk janë dëmtuar.

"Marrja e Severodonetskut është një detyrë thelbësore për kontingjentin okupues. Atyre nuk u intereson se sa jetë do të duhet të paguajnë”, ka përfunduar ai.