Botë

NATO-ja teston kapacitetet në Estoni

Trupat britanike u janë bashkuar aleatëve të NATO-s në ushtrimet ushtarake që po mbahen në Estoni në kohën e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës. Ushtria britanike është dërguar për ushtrime përkrah forcave të Estonisë si pjesë e misionit mbrojtës që ka për qëllim të ndalë agresionin nga Rusia.

Ani pse NATO-ja ka kryer ushtrime në Baltik që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia, Britania është duke menduar të dërgojë trupa shtesë në Estoni si shenjë e shfaqjes së fuqisë evropiane.

Aleatët e NATO-s gjithashtu janë duke diskutuar planet për të dërguar disa batalione ushtarake në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani. Kryeministri britanik, Boris Johnson, është duke menduar të dërgojë në Evropën Juglindore disa aeroplanë luftarakë dhe luftanije.

Ministria e Mbrojtjes në Estoni ka bërë të ditur se 15 mijë trupa ruse janë në Bjellorusi dhe ka tërhequr vërejtjen se ky numër mund të dyfishohet. Moska ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën, por ka insistuar se nuk ka plan për pushtim. Kremlini dëshiron garanci nga Perëndimi se NATO-ja nuk do ta pranojë Ukrainën në radhët e veta dhe ka kërkuar që Aleanca Perëndimore të ndalë përforcimin ushtarak në lindje të Evropës. Këto kërkesa deri tani i kanë refuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja.