Kur ka filluar pastrimi i lagjeve pas 30 tornadove që goditën qytetin Mayfield të Kentucky, shumë të mbijetuar kanë rrëfyer tmerrin e tyre dhe thonë se janë me fat që janë gjallë.
Teksa priste që shtëpisë t’i ndërrohej kulmi, banorja Michelle Anderson ka thënë se teksa ishte strukur në një çosh të shtëpisë, po e priste vetëm vdekjen.
“Po i lutesha Zotit që të mos na vriste. Shtëpia shkundej dhe toka ushtonte”, ka thënë ai.
Banorja Stephanie Thomas ishte te shtëpia e nënës, e cila shpëtoi nga tornado. Disa shtëpi përreth ishin rrafsh me tokë.
“Është gjëja më e keqe që kam parë ndonjëherë. Nëna vazhdonte të më thoshte, ‘jam me fat, jam me fat’. Unë i thashë, ‘nënë ti nuk e di se sa me fat je’. Pastaj e mora dhe e solla këtu për të parë se nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.
Lacedric Richardson, i cili punon në dyqan ushqimor, në të cilin disa persona vdiqën nga tornado, mori disa gjëra të dhuruara nga njerëzit e tjerë, me qëllim që të ndihmojë familjen.
Në natën e goditjes nga tornado nuk shkoi në punë, sepse ishte i sëmurë. Është mirënjohës që mbeti gjallë, por e ndien veten me faj që nuk ishte aty për t’i ndihmuar kolegët.
“Kam emocione të përziera. Jam mirënjohës që shpëtova, por e ndjej se kam mundur të bëjë më shumë nëse do të isha atje. Prandaj kam emocione të përziera”.
Banori William Henley kaloi ditën duke ndihmuar fqinjët të pastrojnë oborret e tyre. Ai thotë se dëmet e kanë bërë të ndihet shumë keq fizikisht.
“Kur e pashë kishën e shkatërruar, postën e shkatërruar, më bënë shumë të sëmurë. Ani pse jam shumë me fat. Kam kulm mbi kokë, bukë dhe ujë. Jam në formë të mirë”.
Autoritetet në Kentucky kanë thënë se niveli i madh i dëmtimit ua ka pamundësuar që të vlerësojnë dëmet nga stuhitë.
Së paku 88 persona kanë humbur jetën nga tornadot e njëpasnjëshme në Kentucky, shtet në të cilin po vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit, por me pak shpresë.