Botë

Regjimi i ri afgan kërkon ndihmë shkaku i krizës së migrimit

Zyrtarët talebanë kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të frenuar krizën e refugjatëve në ngritje për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Afganistan.

Gjatë një takimi për të shënuar Ditën ndërkombëtare të refugjatëve në Kabul, zëvendësministri i Jashtëm taleban, Sher Stanikzai ka thënë se ngrirja e aseteve të Afganistanit nga Qeveria amerikane po dëmton më së shumti afganët e rëndomtë.

Ai ka thënë se nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron që kriza e migrimit në Afganistan të jetë nën kontroll, atëherë duhet të rifillohet me rindërtimin e infrastrukturës themelore për t’i bindur afganët që të kthehen në vendlindje.

Afganistani po përballet me krizë të thellë ekonomike dhe me katastrofë humanitare prejse kontrollin e morën talebanët. Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë miliarda dollarë asete jashtë vendit dhe janë ndërprerë ndihmat ndërkombëtare.