Fëmija i gjashtë ka vdekur në spital pasi disa fëmijë ranë nga një kënd lojërash që u ngrit 10 metra në ajër nga era e fuqishme, në një shkollë në shtetin ishullor Tasmania të Australisë.
Djali 11-vjeçar, Chace Harrison, "vdiq në spital këtë pasdite", tha në një deklaratë Komisioneri i Policisë së Tasmanisë, Darren Hine.
"Mendimet tona vazhdojnë të jenë me familjen e tij, dhe familjet dhe të dashurit e të gjithë fëmijëve të përfshirë, gjatë kësaj kohe të vështirë”, ka shtuar Hine.
Djali ishte një nga nëntë fëmijët që ranë 10 metra nga një kështjellë kërcyese, që u ngrit nga era gjatë një ngjarjeje të fundvitit në shkollën fillore Hillcrest në Devonport, në bregun verior të shtetit të Tasmania.
Në total, gjashtë fëmijë vdiqën në tragjedi. Dy fëmijë mbeten në gjendje kritike në spital, ndërsa një tjetër po shërohet në shtëpi, bëri të ditur policia.
Policia ka publikuar më parë emrat dhe imazhet e pesë viktimave të tjera, me lejen e familjeve të tyre.
Ata janë Addison Stewart, 11 vjeç dhe Jalailah Jayne-Maree Jones, Jye Sheehan, Peter Dodt dhe Zane Mellor, të cilët ishin 12 vjeç.
b