Disa litra ngjyrë e bardhë, është hedhur sot mbi muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq.
Murali, që është në rrugën “Njegosh” në Beograd, është dëmtuar nga zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Gjorgjo Zhujoviq.
“Murali me fytyrën e Mladiqit paraqet një njollë në fytyrën e çdo qytetari të Serbisë. Të gjithë ata që po përpiqen ta mbrojnë atë mural, po na bëjnë një shërbim të keq të gjithëve," tha Zhujoviq për “Nova”.
Mladiq është i dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për krimet dhe gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë ndaj popullatës joserbe. Në Beograd gjendet edhe murali i kriminelit tjetër të luftës, Radovan Karagjiq. Edhe ai është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës.
Autoritetet serbe në asnjë rast nuk kanë ndërhyrë t’i fshijnë këto murale, ndonëse nga shoqëria civile dhe organizata të ndryshme kanë bërë thirrje për këtë.
Ndërkohë, Zhujoviq është i njohur për konfrontimet me forcat radikale e joperëndimore në Serbi. Ai pati konfrontim të ashpër me herët edhe me radikalët e Vojislav Sheshelit, një tjetër i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.