Në fillim i ngritur në qiell si politikan model, Sebastian Kurzi dha dorëheqje në fundjavë pas hetimeve për përfshirje në një aferë korrupsioni. Dokumentet nga hetimi tregojnë se kishte një sistem alla mafioz, që përfshinte liderë politikë dhe kurdisje mediatike për vite me radhë, shkruan gjermania “Der Spiegel” në shkrimin e gjatë, në të cilin sjell edhe biseda e mesazhe telefonike të politikanëve të përfshirë në skandal. “Koha Ditore” sjell sot pjesën e parë të hulumtimit të gjatë
Kur në Vjenë plasi bomba politike, Sebastian Kurzi nuk ishte as njëzet kilometra larg prej kufirit jugor të Austrisë. Dhe ndodhej në zona panoramike, ku ndihet më së miri – në mesin e liderëve politikë të Evropës, Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Mario Draghi.
Kështu e nis shkrimin e saj revista gjermane “Der Spiegel”, derisa sjell detaje e mesazhe të shkëmbyera ndërmjet liderëve të partive në koalicion në Austri, të përfshira në skandalin që kulmoi me dorëheqjen e detyruar të Kurzit nga posti i kancelarit.
Ora e ligë
Samiti i Ballkanit Perëndimor kishte bërë bashkë liderët më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, dhe nëse Kurzi kishte arritur diçka për t’u dalluar gjatë mandatit të tij, atëherë kjo do të ishte lënia e përshtypjes se ai dhe vendi i tij ishin në mesin e peshave të rënda politike në Evropë, e jo të konsideroheshin si një prej shteteve më të vogla anëtare të bllokut, shkruhet në shkrimin e gjatë.
Pak pa u bërë fiks dhjetë e mëngjesit të së mërkurës, kur liderët e shteteve evropiane dhe qeverive ishin ulur në një takim të madh, lajmi nga Vjena mori dheun dhe arriti deri në Bërdo të Sllovenisë, ku po mbahej samiti: Në orët e para të mëngjesit autoritetet kishin bastisur kancelarinë austriake, selinë e Partisë Popullore Austriake (OVP), Ministrinë e Financave dhe njërën prej shtëpive më të rëndësishme botuese. Dosjen, të cilën e ka parë “Der Spiegeli” dhe e përditshmja austriake “Der Standard”, u jepte autoriteteve leje për të konfiskuar “të dhëna elektronike dhe pajisje të ruajtjes së të dhënave, serverë, laptopë dhe celularë”.
“Hiç nuk është larg prej një tërmeti politik që ka dridhur kryeqytetin austriak. Dhe gjatë fundjavës u duk sikur po shënohej fundi i karrierës meteorike politike të Kurzit, 35 vjeç”, shkruan revista gjermane. “Vendi im është më i rëndësishëm se vetja ime”, deklaroi Kurzi të shtunën gjatë deklaratës së dorëheqjes, duke ia dërguar kompetencat ministrit të Jashtëm, Alexander Schallenberg, i cili të hënën edhe është emëruar kancelar i ri i vendit.
Me Kurzin edhe pa Kurzin
Duke e ditur afërsinë e partisë OVP me Kurzin, mendohet se shumica e pushtetit do të vazhdojë të jetë në duar të Kurzit. Opozita menjëherë ka nisur me kritikat dhe akuzat se kancelari i ri do të jetë vetëm “kukull” e të vjetrit. Megjithëkëtë, skandali do të jetë një goditje e madhe për degën ekzekutive, që mendohet se nuk është parë në Austrinë e pasluftës së Dytë Botërore. Informacioni i atij mëngjesi u shpërnda menjëherë dhe thoshte se Kurzi bashkë me nëntë persona të tjerë janë nën hetime.
Fokus i hetimit: Dyshimet për korrupsion, derisa dy shefa mediash akuzohen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pos kësaj, grupi mediatik “Österreich” dyshohet për keqpërdorime, sikurse edhe organizata federale e OVP-së.
Austria, thënë troç, po përballet me një aferë shtetërore. Në pyetje është rishkrimi i historisë së suksesit të Sebastian Kurzit dhe mënyra e arritjes së tij në majën e pushtetit. Njashtu do të zbardhet nëse pushteti shtetëror ishte rrënjosur në një sistem korrupsioni, me përfshirje të atyre që ishin përreth tij, partisë së tij dhe shumica e magnatëve të mediave në vend. Ky në thelb është mesazh i qartë që del nga dosjet e siguruara nga prokurorët shtetërorë të zyrës në krye të hetimit të krimit dhe korrupsionit të kollareve të bardha.
Të dhënat që ishin nxjerrë prej telefonave mobilë, të konfiskuar në vende të ndryshme nga hetuesit, janë dëshmi e bollshme për të hetuar Kurzin dhe rrethit e tij të ngushtë, shkruan “Der Spiegel”. Në zemër të hetimit janë dyshimet se Kurzi – më parë si ministër i Jashtëm dhe pastaj si kancelar – kishte nxitur njeriun e tij më të besueshëm, Thomas Shmid, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, të blinte mbulim të favorizuar në media që i përkisnin grupit mediatik “Österreich”. Shtëpia botuese është nën kontroll të vëllezërve Wolfgang dhe Helmuth Fellner. Dy vëllezërit mendohet se janë kompensuar në formën e reklamave në vlerë prej 1.33 milionë eurosh, në emër të Ministrisë së Financave për dy vjet me radhë.
Aferë e pashembullt e demokracive perëndimore
Të gjithë personat e dyshuar i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura kundër tyre. Por hetuesit duket se janë shumë të sigurt për punën e tyre, shkruan “Der Spiegel”. Ata thonë se me ndihmën e matjeve publike të opinionit, “të manipuluara dhe rrjedhimisht të falsifikuara”, dhe me anketimet e opinionit që ishin paraformuluar nga ekipi i Kurzit dhe që ishin publikuar në gazetën falas, “Österreich”, ishte bërë përpjekje për të përmirësuar opinionin e elektoratit për popullaritetin e Sebastian Kurzit. Me “faturat e rreme” me shumën prej 144.000 eurosh, do të paguheshin fushatat e imazhit të Kurzit me fonde të Ministrisë së Financave. Këto ishin para të taksapaguesve.
Nëse akuzat do të vërtetohen, atëherë ekipi i Kurzit do të ketë përdorur paratë e taksapaguesve për të blerë anketime të manipuluara të opinionit publik dhe mbulim të favorshëm mediatik me qëllim të marrjes së pushtetit – dhe ruajtjes së tij.
“Der Spiegel” vlerëson se kjo është akuzë serioze, aferë që do të ishte e pashembullt edhe në Austri, një vend që është mësuar me skandale dhe kronizëm. Shkeljet e ngjashme janë të rralla në demokracitë perëndimore.
Hetuesit po i akuzojnë dhjetë të dyshuar se kanë punuar ngushtësisht në këtë skemë. Sipas një komunikate të prokurorisë austriake, “të gjithë të përfshirët e dinin” se paratë publike po përdoreshin “vetëm në interes të Sebastian Kurzit” dhe për të promovuar karrierën e tij personale. Meqë shuma e përfshirë është “më e madhe se 300 mijë euro”, verdikti në rast të vërtetimit të fajësisë do të kërkonte dënim prej mbi dhjetë vjetësh burgim. Dëshmitë e të akuzuarve afërmendsh se do të rezultonin me dënime më të ulëta, shkruan “Der Spiegel”.
Afera Ibiza, “ishull” krahasuar me skandalin gjigant
“Nëse akuzat vërtetohen, atëherë Ibiza është vetëm një ishull i vogël në Mesdhe”, ka deklaruar Peter Filzmaier, duke iu referuar Aferës Ibiza, e cila ishte zbuluar nga “Der Spiegeli” dhe “Suddeutsche Zeitung” më 2019. Afera thelbësohej rreth një video të një bisede sekrete të Heinz-Christian Straches – i cili ishte lider i partisë populiste djathtiste, Partia e Lirisë e Austrisë (FPO) dhe atëherë zëvendëskancelar – në ishullin Ibiza, duke biseduar qartazi për menaxhim dhe ofrim të tenderëve shtetërorë. Nxiti një mal hetimesh që do të vazhdojnë të marrin vëmendjen në vend për vite me radhë. Derisa Strache ishte munduar të shfajësohej me pretendimin se po fliste i dehur gjatë pushimeve, prodhoi një numër hetimesh që vazhduan t’i afroheshin përherë e më shumë OVP-së së Kurzit.
Fokusi fillestar ishin emërimet politike dhe financimi i partisë, por me kalimin e kohës u ngritën dyshime të bazuara për manipulim mediatik nëpërmjet blerjes së hapësirës reklamuese. Strache mund të ketë qenë i dehur tapë në videon e Ibizas, por mbllaçitjet e tij po duken përherë më bindshëm reflektim i saktë i realitetit.
Ëndërr e kthyer në realitet?
“A kishin bërë Sebastian Kurzi dhe ekipi i tij gjëra që Strache vetëm i kishte ëndërruar në shtëpinë e pushimeve në Ibiza? Çfarë saktësisht dinte Kurzi për aferën e atëhershme? A është ai, që ishte kancelari më popullor austriak për dekada me radhë, nën dyshime për shkak të disa “fragmenteve të mesazheve” të nxjerra prej kontekstit, sikurse është ankuar të mërkurën?” – shtron dilemat “Der Spiegel”, duke vazhduar: “Kurzi i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat”.
Megjithatë, prokuroria ka një pikëpamje tjetër.
“Sebastian Kurzi është personi qendror: të gjitha shkeljet janë kryer për interesa të tij”, shkruan në dosjen hetimore. Është, vazhdohet në dokument “ e dukshëm qartazi se ai mori vendimin themelor për të gjitha çështjet e rëndësishme”. U referohet atyre vendimeve që ai ndjeu se ishin të domosdoshme për të marrë drejtimin e partisë më 2017 dhe pastaj të kancelarit. Mund “të përjashtohet” se Kurzi nuk ishte pjesë e “skemës”.
“A do të thotë kjo se Kurzi, i cili fillimisht kishte premtuar se do të bënte gjithçka ndryshe ‘për ta përtërirë partinë’, ka rënë në nivel edhe më të ulët se pararendësit e tij në një vend që për vite me radhë është bërë i njohur për aferat e tij politike? Se ai përdori paratë publike për të përhapur informacione të rreme për të përshpejtuar ngjitjen e tij në majën e pushtetit? Prokurorët publikë duhet të ofrojnë dëshmi që e vërtetojnë pikërisht këtë”, shkruan “Der Spiegel”.
Njëherësh Kurzi fillimisht po mundohej të tregonte anën e tij sfiduese. Në paraqitjen e së mërkurës mbrëma në televizionin austriak, u pyet nëse mund të mbetet në detyrë pavarësisht akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mbështetje të korrupsionit.
“Natyrisht”, deklaroi ai, duke ngulmuar se ishte krejtësisht i pastër për dyshimet që po ngriheshin kundër tij. Megjithatë, ai duhet ta ketë ditur se edhe mohimi i vendosur nuk do të ishte i mjaftueshëm.
Kurzi dha dorëheqje pas kushtëzimit të të Gjelbërve që vetëm pa të do të mund të qeverisnin. Largimi i tij i hapi rrugë emërimit të Schallenbergut në krye të kancelarisë. Edhe ai është i njohur për qasje të ngjashme antiemigrante, sikurse Kurzi.
(Vijon)
Përktheu: Rexhep Maloku