Botë

Ushtria në Birmani i vë flakën një fshati, dy të moshuar digjen të gjallë

Forcat e sigurisë në Birmani i kanë vënë flakën një fshati në këtë shtet, pas përplasjeve atje me kundërshtarët e ushtrisë birmaneze.

Si pasojë e zjarrit, dy të moshuar janë djegur të gjallë, kanë bërë të ditur disa banorë të fshatit.

Televizioni shtetëror MRTV ka njoftuar se flakët në fshatin e banuar nga më shumë se 800 banorë në rajonin Magway, janë shkaktuar nga “terroristët” dhe se mediat të cilat kanë raportuar ndryshe, e kanë bërë këtë qëllimisht për të diskredituar ushtrinë.

Zyrtarë të ushtrisë nuk janë deklaruar ndërkohë që thuhet se zjarri ishte aq i madh sa ka mundur të regjistrohet edhe nga sateliti i NASA-s.

Ndërkohë, fshatarët të cilët kanë folur në kushtet anonimiteti, kanë thënë se forcat e sigurisë i kanë vënë zjarrin fshatit pasi janë konfrontuar me kundërshtarët e ushtrisë.

Sipas dëshmitarëve, dy të moshuarit të cilët janë djegur të gjallë, nuk kanë arritur që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Birmania është goditur këtë vit nga dhuna dhe protestat qysh nga 1 shkurti, pasi ushtria kishte arrestuar lideren e zgjedhur Aung San Suu Kyi, duke marrë kështu edhe shtetin në dorë, pas rreth një dekade përpjekjesh për demokraci dhe reforma ekonomike në këtë vend.

Si pasojë e protestave, kanë mbetur të vdekur qindra njerëz në këtë shtet, derisa në mesin e tyre ka edhe dhjetëra fëmijë.