Botë

Bideni siguron Evropën: Amerika është rikthyer

Duke u dhënë fund politikave të pararendësit të tij që e vendoste “Amerikën të parën” – e që shpesh manifestohej me mosmarrëveshje e luftëra tregtare me aleatët – presidenti Joe Biden të premten ka rikonfirmuar pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si lidere të botës, fuqinë e aleancave të saj dhe qëndrueshmërinë e demokracisë në SHBA dhe më tej.

Kur Bideni iu adresua dy vjet më parë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai bëri një premtim të madh. “Edhe kjo do të kalojë”, kishte thënë ai në vitin 2019, duke iu referuar kthesës në qëndrime që mori SHBA-ja nën presidentin Donald Trump. “Do të rikthehemi”.

Të premten ai bëri pikërisht atë.

“Jam njeri i fjalës”, ka thënë në një takim virtual në kuadër të kësaj konference. “Amerika është rikthyer”.

Për dallim nga pararendësi, Bideni iu drejtua Rusisë me qëllimet e veta destabilizuese, duke e akuzuar liderin e këtij shteti vetëm duke ia përmendur emrin. Ai e akuzoi Vladimir Putinin se po përpiqet ta destabilizojë Evropën.

Bideni njoftoi se po ndërpret tërheqjen e trupave nga Gjermania, të cilën gjë e kërkoi Trumpi, duke e cilësuar vendimin si kritik për mbrojtjen e Evropës. Zëshëm shprehu përkrahjen për NATO-n.

“Shtetet e Bashkuara janë tërësisht të përkushtuara për aleancën tonë në NATO. Një sulm ndaj njërit prej nesh është sulm ndaj të gjithëve. Kjo është e palëkundshme”, u shpreh ai.

Presidenti i SHBA-së është zotuar se do t’i përmirësojë raportet e dobësuara me evropianët.

“E di se në vitet e fundit kemi testuar raportet tona trasatlantike. SHBA-ja është e vendosur të riangazhohet me Evropën. Të konsultohet me ju. Të rikthehet në pozicionin e vet të liderit të besueshëm”, ka deklaruar ai. “Partneriteti ynë është rritur ndër vite, sepse ka rrënjë në vlerat e përbashkëta demokratike. Ato s’ishin transaksionale”, ka thënë Bideni duke iu referuar Trumpit, që në të kaluarën Evropën e shihte si rivale tregtare.

Sa u përket trazirave në Washington, në të cilat përkrahës të Trumpit u përpoqën ta rikthenin rezultatin e zgjedhjeve me forcë, Bideni ka porositur liderët evropianë të mos jenë të sigurt për demokracinë.

“Demokracia s’ndodh aksidentalisht. Atë duhet ta mbrojmë, të luftojmë për të, ta forcojmë, rinovojmë”, ka thënë ai në videolidhjen e përbashkët me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Pos që kundërshtoi Rusinë dhe Kinën, pa dhënë specifikime, Bideni iu referua edhe Iranit duke deklaruar se SHBA-ja është e gatshme të riangazhohet në negociatat për programin bërthamor, por duke mos dhënë afate. Ai u shpreh se SHBA-ja është e angazhuar për të mos lejuar Afganistanin të bëhet pre e terroristëve.

“Katër vjetët e fundit kanë qenë të vështirë, por Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin me besim bashkë sërish, me besim në kapacitetet tona e besim në njëri-tjetrin”, ka shtuar i pari i SHBA-së.

Në takimin disa orë më herët në kuadër të G7-s nga Shtëpia e Bardhë, Bideni para krerëve tjerë u shpreh se SHBA-ja është e gatshme të ofrojë 4 miliardë dollarë për COVAX-in, që të ndajë vaksinat anti-COVID për shtetet e varfra.

Në anën tjetër, Macron u shpreh se paratë s’mjaftojnë për ta luftuar virusin, ndërsa Merkel u pajtua me thirrjen për një qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë.

Takimi shënoi edhe kthimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paktin e Parisit për ndryshimet klimatike, 30 ditë pasi Bideni njoftoi rikthimin në ditën e parë si president. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, duartrokiti Bidenin gjatë takimit për zotimin e tij për kthim në këtë pakt. Ai e quajti hap të madh përpara lëvizjen e Bidenit.

Bideni ka qenë pjesë e Konferencës së Sigurisë në Munih për disa dekada, qëkur ishte në krye të Komitetit për Politikë të Jashtme në senat. Dy vjet më parë ishte si qytetar privat.