Guvernatori i Bejrutit është parë duke derdhur lot teksa fliste para gazetarëve të martën mbrëma gjatë kohës sa kërkonte trupat e zjarrfikësve të humbur nën gërmadhat e portit të shkatërruar të Bejrutit.
“Është katastrofë shtetërore”, ka thënë ai, duke e krahasuar shpërthimin fatkeq me shpërthimet në Hiroshima dhe Nagasaki.
Por, ekziston një metaforë tjetër nukleare që i përshtatet më shumë asaj që ka ndodhur në Bejrut: shkrirja e Çernobilit. Shpërthimi i së martës në një depo duket se s’ka qenë rezultat i ndonjë konflikti apo dhune të qëllimshme. Përkundrazi, sikur në rastin e fatkeqësisë që ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik, edhe kjo është rezultat i paaftësisë profesionale, korrupsionit endemik dhe neglizhencës, ndërkohë që impakti i saj do të vërehet përtej shpërthimit.
Zonë fatkeqësie
Bejruti është shpallur zonë e fatkeqësisë nga autoritetet libaneze pas dy shpërthimeve që e kanë goditur qytetin në orën 18:00, pasditen e së martës. Gjatë kohës së publikimit të këtij shkrimi, së paku 135 njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë lënduar ndërkohë që rrjetet sociale janë mbushur me fotografi të personave të afërm të cilët ende nuk janë gjetur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Ndikimi i menjëhershëm ekonomik është shkatërrimtar. Rreth 250.000 deri 300.000 njerëz kanë mbetur pa shtëpi, e që përbën 10% të popullsisë totale të qytetit.
Mijëra njerëz kanë nevojë për trajtim në spitale të cilat tashmë janë të stërmbushura nga viktimat e pandemisë COVID-19. Dëmtimet në prona llogaritet të jenë 3 miliardë dollarë.
Kjo është barrë e rëndë për një shtet ku shumica e njerëzve e kanë të vështirë të gjejnë paratë për mbijetesë. Edhe para shpërthimit Libani ka qenë në një pozitë të vështirë në shumë aspekte. Kriza nga refugjatët që erdhën për shkak të luftës në Siri është duke hyrë në vitin e saj të 10-të, me ç’rast Libani përballet me vështirësi në përmbushjen e kërkesave për ndihmë të 30% të popullsisë që janë zhvendosur për shkak të luftës në Siri.
Por, nuk janë vetëm refugjatët ata që po përballen me vështirësi për t’i plotësuar nevojat e tyre. Sipas World Food Program, gati gjysma e popullsisë së Libanit e kishte të vështirë sigurimin e nevojave themelore të ushqimit. Gjatë një interviste për “Telegraph” në muajin qershor, Martin Keulertz, një profesor-asistent në Universitetin Amerikan në Bejrut, ka thënë: “Deri në fund të vitit do të shohim 75% të popullsisë duke kërkuar ushqim, por pyetja është se a do ketë ushqim për t’u shpërndarë”.
Gjunjëzimi
Pandemia tashmë i ka gjunjëzuar spitalet libaneze dhe infeksionet e kanë goditur Libanin gjatë një periudhe të rëndë e të paparë ekonomike, kur shteti po zhytej në borxhe gjithnjë e më shumë. Çmimet e ushqimit ishin rritur tashmë për 247% dhe me shkatërrimin e tonelatave të rezervave ushqimore të Libanit dhe prishjen e portit që është vital për infrastrukturën e shtetit situata duket se do përshkallëzohet më tutje. Edhe para shpërthimit, disa protestues libanezë kanë shkuar deri në atë pikë saqë janë vetëflijuar.
Ministri i Jashtëm libanez, Nassif Hitti, kishte dhënë dorëheqje një ditë para shpërthimit duke tërhequr vërejtjen se “Libani është duke shkuar drejt dështimit si shtet”.