Botë

“Chernobyl”-i tregoi se si sovjetikët shtypën shkencëtarët

Foto nga mini-seriali "Chernobyl"

Analizë e Yakov Feygin në “Foreign Policy” rreth politikave të Bashkimit Sovjetik, duke marrë sebep nga miniseriali sensacion i HBO-së

Në njëfarë pike, gjatë miniserialit hit të HBO-së “Chernobyl”, shkencëtarja (fiktive) Ulana Khomyuk, luajtur nga Emily Watson, kërkon nëpër arkivat shkencore të shënuara me mbishkrimin “për përdorim zyrtar” – një term ky të cilin censuruesit sovjetikë e përdornin për materialet teknike që mund të qaseshin vetëm nga ekspertët – në përpjekje për të kuptuar se si reaktori RBMK mundi të shkrihej plotësisht, ani pse ekzistonin masat e sigurisë që supozohej ta pamundësonin këtë. Në një skenë familjare për akëcilin që kishte pasur punë ndonjëherë me arkivin pas-sovjetik, Khomyuk e mbush një listë me kërkesa për qasje në dokumente dhe ia dorëzon një nëpunësi, i cili më pas e verifikon dhe ia lejon qasjen – të paktën në ato që Khomyukut nuk i ndalohen.

Nga dosjet e qasura, ajo e nxjerr përfundimin se qysh prej fillimit problemi ishte mbajtur sekret jo vetëm prej publikut, por edhe prej vetë komunitetit të shkencëtarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky është një moment goditës i serialit që e portretizon me saktësi Bashkimin Sovjetik të 1986-s.

Khomyuk është shkencëtare në një vend që lavdërohet me të qenit teknokraci dhe e lartëson marksizmin si një të vërtetë shkencore. Skenaristi Craig Mazin e krijoi karakterin e saj si personifikim të një ushtrie shkencëtarësh sovjetikë që janë angazhuar fort për ta kuptuar dhe frenuar katastrofën në Çernobil. Ajo përfaqëson po ashtu atë që u quajt “inteligjenca shkencoro-teknike” – një armatë e ekspertëve mirë të trajnuar, teknokratëve dhe shkencëtarëve të lindur përgjithësisht mes fundit të viteve ‘30 dhe mesit të atyre ‘50 dhe të formësuar në kuadër të një sistemi me zgjerim të vrullshëm të arsimimit të lartë në emër të krijimit të një elite të supozuar, roli i së cilës ishte që t’i shërbente shtetit.

Megjithëkëtë, me përjashtime shumë të rralla, këto elita kishin fare pak ndikim në politikat shtetërore dhe për më tepër liheshin larg pushtetit. Në metaforën e Mazinit, me gjithë faktin se ishte pjesë e një Komiteti zyrtar dhe shkencëtare shumë e respektuar, Khomyuku nuk mund të ketë qasje as në dokumentacionet teknike për reaktorin RBMK. Politikanët partiakë, e jo shkencëtarët, i mbanin në duart e tyre frerët e pushtetit në Bashkimin Sovjetik.

Për dallim prej epokës së Luftës së Ftohtë, droja në Perëndim prej një burokracie sovjetike hiperracionale, të aftë që të koordinojë një gamë të gjerë resursesh me saktësi shkencore, realiteti i sundimit sovjetik ishte paaftësia qeverisëse, mobilizimi masiv dhe, ç’është më e rëndësishmja, injorimi selektiv i këshillave të ekspertëve. Ky sistem më pastaj krijoi ndasi masive klasore.

Bashkëbisedimi i Khomyukut me një zyrtar anonim partie në Minsk e shpërfaq shkarkimin e saj përmes një përgjigjeje nga gjykata se kredencialet e saj shkencore nuk do të thoshin gjë në krahasim në prapavijën e saj proletariane.

Sido që të jetë, realiteti i jetës së shtresës punëtore në Bashkimin Sovjetik i ngjasonte më shumë asaj të minatorëve të shtrënguar ta gërmojnë një tunel drejt reaktorit, prijësin e të cilëve e portretizon mjeshtërisht Jay Simpson. Tjetërsimi i këtyre minatorëve demonstrohet në konfrontimin e tyre me Mikhail Shchadovin, ministrin sovjetik të Minierave, i cili ishte arsimuar në fushën e inxhinierisë gjatë të ’30-ave dhe e kishte kaluar gjithë karrierën si një burokrat i Partisë Komuniste me synimin që ta shtojë prodhimin me çdo kusht të mundshëm. Kjo gjeneratë e burrave e gjeneroi një qeverisje oligarkie të operuesve politikë që dinin si ta përdornin makinerinë shtetërore për të kanalizuar resurse të majme në raste emergjence, siç ndodhi pas Çernobilit. Por ata ishin po ashtu tejet arrogantë dhe jofleksibilë, si dhe vazhdimisht refuzues karshi ekspertizave dhe paralajmërimeve shkencore... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)