Punëtorët në “Notre-Dame” pranojnë se e shpërfillën ndalesën e pirjes së duhanit

Punëtorët në “Notre-Dame” pranojnë se e shpërfillën ndalesën e pirjes së duhanit

25 April 2019 12:14

Punëtorët e përfshirë në punimet e restaurimit të çatisë dhe majës së “Notre-Dame”-it, përpara se ato të rrënoheshin si pasojë e flakëve të javës së shkuar, kanë pranuar se e kanë shpërfillur ndalesën për konsumimin e duhanit në brendi të ndërtesës, teksa po shtohen pretendimet për lëshime të shumta të sigurisë në Katedralen e famshme të Parisit.

Policia tani beson se gabimi njerëzor, dhe jo kontakti i shkurtër elektrik në një kompjuter, është shkaktari i vonesës katastrofale 35-minutëshe për njoftimin e brigadës së zjarrfikësve rreth flakëve, kanë treguar të dhënat e cituara nga “Le Canard Enchaine”, një e përjavshme hulumtuese dhe satirike e Francës, ka raportuar e përditshmja britanike “Telegraph”, transmeton “Koha Ditore”.

Pasi mblodhën shtatë bishta cigaresh në vendin e shpërthimit të flakëve, hetuesit policorë ushtruan presion mbi kompaninë e angazhuar ndërtimore, punëtorët e të cilës më pas pranuan t’i kenë shkelur rregullat strikte të ndalimit të duhanit.

“Ç’është e vërteta, kolegë të caktuar nuk e kanë respektuar këtë ndalesë gjatë gjithë kohës dhe ne ndjejmë keqardhje për këtë gjë”, ka thënë Marc Eskenazi, zëdhënës i kompanisë “Le Bras Greres”, duke shtuar se punëtorët kanë ndezur cigare në çati shkaku se “ishte paksa e zorshme të zbresësh poshtë meqë kërkohej kohë e gjatë”.

Por ai insistoi: “Nuk ka shanse që një cigare që nuk ishte fikur mirë mund ta ketë shkaktuar zjarrin. Gjithsecili që është munduar së paku një herë ta ndez një zjarr në oxhak e di mirë se nuk ndodh gjë nëse e vendosni një bisht cigareje në trungun e një druri”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme