Pushkët automatike dhe ato gjysmëautomatike të stilit ushtarak janë ndaluar të mërkurën në Zelandën e Re, pasi kryeministrja, Jacinda Ardern, ndërmori ndryshime thelbësore dhe të menjëhershme në ligjet vendore për armët, si rrjedhojë e sulmeve në dy xhamitë e qytetit Christchurch.
“Thellësisht besoj se mbizotëron bindja e përbashkët te të gjithë zelandasit, qoftë te ata që i përdorin armët për synime legjitime e qoftë te ata që kurrë nuk i kanë prekur me dorë, se koha kur armët kanë qenë lehtësisht të qasshme duhet të marrë fund. Dhe sot është mu ajo ditë”, ka thënë Ardern, transmeton Koha Ditore.
Edhe pjesët që janë përdorur për shndërrimin e armëve në pushkë gjysmëautomatike ushtarake (MSSAs) janë ndaluar po ashtu, bashkë me karikatorët dhe pjesët e tjera që i kthejnë këto armë me pushkë gjysmëautomatike dhe automatike.
“Me pak fjalë, çdo armë gjysmëautomatike e përdorur në sulmet terroriste të së premtes do të ndalohet në këtë vend”, ka thënë Ardern.
Ndalesa për shitjen e armëve ka hyrë në fuqi që në orët e para të mëngjesit të së enjtes ndërsa kryeministrja ka bërë të ditur se “shitja e këtyre armëve tani do të ndërpritet”.