BETIMI PËR DREJTËSI

Për faj të Prokurorisë, amnistohet burri i dhunshëm, pëson gruaja viktimë

Rrëfimi i gruas që përjetoi dhunë në familje, gjykata e dënoi të akuzuarin me kusht.

H.M., 41-vjeçare, e martuar për 12 vjet me B.M., me të cilin kanë edhe tre fëmijë, thotë të ketë përjetuar dhunë sistematike në shtatë vjetët e fundit të martesës.

Ajo rrëfen se si për këto shtatë vjet, ka përjetuar ferrin nga bashkëshorti dhe kunetërit, të cilët në vazhdimësi kanë ushtruar dhunë psikologjike e fizike ndaj saj.

41-vjeçarja thotë se për këto vite ka duruar dhunën, duke mos i raportuar rastet secilën herë në Polici, për hir të fëmijëve. Por, dhuna të cilën ajo e përjetoi në dhjetor 2021, bëri që përfundimisht të largohet nga shtëpia, ku në baza ditore e javore ishte viktimë e rrahjeve e maltretimeve të ndryshme.

Ndonëse herën e fundit, ajo mori lëndime shumë të rënda trupore, bashkëshorti, i cili akuzohej për dhunën e ushtruar ndaj saj, nuk do gjykohet asnjëherë nga sistemi i drejtësisë. E gjithë kjo, për shkak të gabimeve amatoreske të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e cila gjatë fazës së hetimit bëri një lëshim, me pasoja të parikuperueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“12 vjet e martume, dhuna 7 vite, ka fillu që 7 vjet vit pas viti, muaj pas muaji, pa ndërprerë dhunë kam pasë”, ka treguar ajo.

Viktima e dhunës në familje thotë se ishte kërcënuar edhe me vrasje.

“Dhunë të llojllojshme, kam perjetu dhunë më rrahje, dhunë me vrasje, dhunë me varr, varrin ma kanë çelë për me m’shti për se gjalli në dhe por Allahu është ai që më ka ndihmu edhe një sebep i tyre e ka çu Zoti mysafir edhe ka ardhë aty në ato momente unë kam shpëtu”, rrëfen viktima e dhunës.

Viktima tregon maltretimet e dhunën që kishte përjetuar për vite me radhë, teksa shprehet se jo secilin rast e ka paraqitur në Polici.

Ajo thotë se edhe thikën në fyt ia kanë vendosur derisa kishte abortuar në muajin e tretë të shtatzënisë.

“..kam bajtë 7 vite dhunë, një mas një. Me kanë lidhe, mi kanë lidhe kamë e duar, kam qenë shtatzëne, me kanë rrah edhe kanë fillu vëllezërit e tij, burri, se bashku edhe unë dmth kam pas dhunë psiqike, fizike, rrahje, çdo lloj maltretimi edhe kështu qe kam abortu”, ka treguar ajo.

E fatkeqësisht, viktimë e dhunës në familje nuk ishte vetëm ajo. Kjo dhunë sipas viktimës ushtrohej edhe ndaj fëmijëve të saj.

“Edhe në fëmijë ka ndodhë, edhe fëmijën i ka maltretu, i ka rrah, shumë herë më ka leshu, 36 herë më ka leshu 36 herë fëmija kanë qenë vet, i ka marrë i ka qit në mal, i ka kthy, jam kthy unë të fëmija. D.m.th. edhe fëmija kanë përjetu dhunë psiqike, fizike prej burrit, maltretime”, ka thënë H.M.

Këto raste të dhunës ndaj saj, viktima kishte vendosur t’i raportonte tek në fund 2021.

Më 26 gusht 2021, bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë mbi të. Ai kishte kapur viktimën për flokësh nga oborri dhe e kishte tërhequr deri në shtëpi.

Për këtë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kundër burrit të saj, kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “dhunë në familje”. Ai e kishte pranuar fajësinë para gjykatës, duke thënë se me të dëmtuarën nuk jeton më, pasi kanë vendosur që përfundimisht të ndahen dhe se ai më nuk përbën rrezik për viktimën.

Në lidhje me këtë, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, më 19 prill 2022, ka nxjerrë aktgjykim me të cilin e kishte dënuar të akuzuarin me 6 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë me kusht.

Ky dënim, sipas hulumtues në Institutit të Kosovës për Drejtësi, Eranda Zeka është vendim skandaloz.

“Kur dikush dënohet për dhunë në familje, Ligji ka paraparë mundësinë e shqiptimit të gjobës dhe të dënimit deri në 3 vite burgim. Dënimi me kusht, nuk është mundësi e pakufizuar e të pandehurit, por është mundësi e Gjykatës për individualizim të dënimit, qëllimi të cilit dënim është që të mos zbatohet dënimi për vepra të lehta penale, kur vlerësohet se tërheqja e vërejtjes me kërcënimin e dënimit është e nevojshme të ndalojë që kryesi të mos kryejë vepër penale”, ka thënë ajo.

Por sipas saj, fatkeqësisht, ky lloj i dënimi është dënimi dominues në politikën ndëshkimore në Kosovë.

“Gjetjet e IKD nga raporti i fundit tregojnë se ky lloj i dënimit është shqiptuar në 74% të rasteve. Kur shohim një numër kaq të lartë të rasteve që kanë përfunduar me dënime me kusht, atëherë ndërtohet argumenti se në këto raste nuk bëhet fjalë për specifika të rasteve, por për dukuri në vendimmarrje. Kjo dukuri, manifestohet në luftimin e dhunës në familje përmes dënimeve me kusht. Në esencën e tij, dënimi me kusht, në parim, nuk mund të supozohet si efikas dhe proporcional në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Viktima thotë se u rrah me shati e mjetet tjera, të përfshirë edhe vëllezërit e burrit

Në mes të periudhës pas ngritjes se aktakuzës dhe pritjes së marrjes së aktgjykimit për rastin ku bashkëshorti akuzohej për veprën penale “dhunë në familje”, ndaj viktimës H.M sërish ishte ushtruar dhunë. Më 26 dhjetor 2021, ajo kishte raportuar rastin në Polici, pasi ishte rrahur me mjete të ndryshme të forta, çka i shkaktuan asaj lëndime të rënda trupore.

“Hera e fundit, kam dal në oborr me i marr do dru edhe me thotë kunati: ti kurvë, je lavire mos dil në oborr se na pengon. Edhe kështu që ka fillu dhuna, burri me m’rrah edhe kanë fillu tani vëllezërit e tij, me shati, me metal, unë kam qenë e gjakosur, fytyra komplet, trupi, njëherë me ka hup vetëdija, mas një kohe mu ka kthy”, ka rrëfyer ajo.

Viktima thotë se pasi iu është kthyer vetëdija ka marrë telefonin e burrit dhe ka njoftuar Policinë.

“E kam thirre Policinë. Po, Policia kanë vonu, me rastin që i kam thirre unë, edhe kështu që unë kam qenë e gjakosur, trupin e kam pas të lëndum, dorën e thyme, trupin e kam pas zi, prej stupcit, me shati në krye, në metal me mënyra të ndryshme”, ka thënë tutje viktima.

Po atë ditë, ajo thotë të jetë intervistuar nga ana e Policisë së Kosovës. Ndërsa, i dyshuari, në këtë rast bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe kishte qëndruar në paraburgim për rreth 3 muaj, si dhe dy muaj në arrest shtëpiak.

“Po klienti im, është arrestuar me datën 26.12.2021, në shtëpinë e tina, është dyshuar për veprën penale lëndim i rëndë trupor, nga neni 186 paragrafi 3 nën par 3.1 të KPRK-së. I njëjti ka qëndruar rreth 3 muaj në paraburgim, dhe dy muaj në masën e arrestit shtëpiak. ”, ka thënë avokati i të pandehurit B.M., Naser Azemi.

Për më pak se një muaj pas rastit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij.

“Aktakuza është ngrit me datën 21 janar 2022, për veprën penale lëndim rëndë trupor, nga neni 186 paragafi 3 nën par 3.1 të KPRK-së”, është shprehur tutje avokati.

Në anën tjetër, pas këtij rasti, viktima ishte larguar përfundimisht nga shtëpia ku banonte me bashkëshortin, për të qëndruar për 4 muaj në strehimore, pasi që, siç thotë ajo, nuk ka pasur as përkrahjen e familjes.

“Unë pasi jam dal prej spitali, iu kam thanë Policëve unë nuk kthena të familja, se normal se edhe për familjen nuk është e lehte. Edhe familja pastaj me fjale me kane torturu edhe ata më fjalë. Jam kthy në shtëpi të familja, prej familjes e kam thirre Qendrën Juridike IKD-në falas, edhe i kam thirre këta, për me m’marre me ma gjet një strehim”.

Viktima, kishte qëndruar për rreth 4 muaj në strehimore, ndërsa pas largimit nga strehimorja, ajo bashkë me tre fëmijët e saj është zhvendosur tërësisht dhe banon me qira në një komunë tjetër të Kosovës.

Aktakuza ishte ngritur pa u intervistuar i pandehuri, si e dështoi Prokuroria rastin e dhunës në familje

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht prokurorja Natasha Taniq, do tregohej e shpejt në ngritjen e aktakuzës. Por, jo edhe profesionale në trajtimin e rastit. Ajo ngriti aktakuzë vetëm 26 ditë pas rastit, por pa përfillur dhe ndjekur procedurat ligjore. Përkatësisht nuk intervistoi të pandehurin në procedurën paraprake, ashtu siç e parasheh ligji.

Sipas gjykatës së shkallës së parë, kjo ka bërë që ky rast të dështojë, që të lirohet i akuzuari dhe që asnjëherë të mos mund të gjykohet për këtë rast.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari ishte shprehur se e ndien veten të pafajshëm, ndërsa ishte njoftuar me të drejtën e parashtrimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

“Në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri nuk e ka pranu fajësinë. Gjykata duke u bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale i ka mundësu të pandehurit të drejtën e kundërshtimit të provave, përkatësisht kërkesës për hudhje të aktakuzës, nëse e njëjta nuk i përmban kushtet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë gjykatësi i rastit Agron Maxhuni.

Kështu, mbrojtësi i të akuzuarit, sipas detyrës zyrtare, avokati Nazer Azemi kishte kundërshtuar aktakuzën me arsyetimin se Prokuroria nuk kishte intervistuar të mbrojturin e tij.

“Arsyeja se pse ne e kemi kundërshtuar ketë aktakuzë ka qenë se prokurori ka qenë i detyruar që ta marrë deklaratën në procedurë paraprake e të pandehurit. E drejtë kjo e garantuar më nenin 9 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë avokati i të akuzuarit, duke shtuar se ky ishte lëshimi i Prokurorisë.

Fillimisht, ky kundërshtim ishte hedhur poshtë si i pabazuar nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë-Dega në Vushtrri. Në këtë fazë, Prokuroria nuk e mori mundin për të dhënë përgjigje, ndonëse u kontaktua nga gjykata për këtë.

“Ne fillimisht kemi kërku në bazë të Kodit, dispozitave të nenit 250 dhe parashohin që të japin përgjigje, megjithatë si gjykatë nuk lidhemi me përgjigjen e palëve por i marrim veprimet sipas detyrës zyrtare. Në rastin konkret Prokuroria nuk iu ka përgjigjur, por pastaj pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit ne kemi pranuar përgjigje nga Prokuroria”, ka thënë gjykatësi Maxhuni.

Mos hedhjen e aktakuzës, gjykata e shkallës së parë e kishte arsyetuar me faktin se ekzistonin raporti fillestar i Policisë, i marrjes në pyetje të të akuzuarit në Polici dhe raportet mjekësore. Duke shtuar se këto prova janë të pranueshme dhe mund të vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale.

Me ketë vendim të Gjykatës, përkatësisht gjykatësit Agron Maxhuni, nuk ishte pajtuar mbrojtësi i të akuzuarit, i cili edhe kishte parashtruar ankesë në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit, kishte marrë vendim që ta aprovojë ankesën e avokatit mbrojtës dhe çështjen ta kthejë në rivendosje.

Gabimi i Prokurorisë i pakapërcyeshëm, gjykata e kishte hedhur aktakuzën

Pas kthimit të çështjes në rivendosje, gjykata e shkallës së parë kishte marrë vendim për hedhje të aktakuzës, duke pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit B.M., i cili akuzohej se kishte rrahur gruan e tij, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore.

Në arsyetimin e gjykatës, thuhet se pas pranimit të lëndës nga Gjykata e Apelit, me qëllim të evitimit të shkeljeve të evidentuara nga shkalla e dytë, gjykata ka kërkuar nga Prokuroria që ta plotësojë aktakuzën në afat prej 15 ditësh, në të kundërtën, gjykata, konform nenit 442 paragrafi 4 do ta hedhë aktakuzën.

Gjykata kishte përsëritur dy herë kërkesën për sigurimin e procesverbalit, për marrjen në pyetje të të pandehurit.

“Po ne kemi kërkuar nga Prokuroria, por Prokuroria nuk iu ka përmbajtë në rastin konkret, prokurorja e rastit nuk e ka marrë në pyetje të pandehurin më rastin e nxjerrjes se aktvendimit për fillimin e hetimeve dhe për t’i dhënë mundësi të pandehurit që t’i kundërshton provat e cekura pastaj edhe si në aktakuzë ose në fazën e hetimeve”, ka thënë gjykatësi i rastit Agron Maxhuni.

Kështu, Prokuroria me qëllim të plotësimit të aktakuzës, vetëm pas kërkesës së dytë të gjykatës, i kishte dërguar procesverbalin mbi marrjen në pyetje të të dyshuarit, të cilën e kishte zhvilluar më 25 tetor 2022. Pra 9 muaj pas ngritjes së aktakuzës.

“Në fakt çdo marrje në pyetje pas aktakuzës nuk plotësohet standardi ligjor, në rastin konkret nuk mund të kthehemi mbrapa”, ka thënë tutje gjykatësi Maxhuni.

Gjykatësi Maxhuni, ka treguar bazën ligjore se pse kjo aktakuzë ishte hedhur.

“Në rastin konkret, ne kemi vendosur konform nenit 151, që kjo aktakuzë të hidhet për faktin se pa pandehuri nuk është marrë në pyetje në fazën e hetimeve…”, ka thënë ai.

Mosmarrja në pyetje e të pandehurit gjatë fazës së hetimeve, për gjyqtarin Maxhuni thotë se është hap i pakapërcyeshëm për gjykatën.

“Është dispozitë obligative, për vetë prokurorinë dhe është dispozitë e pakapërcyeshme për gjykatën…”, ka thënë Maxhuni.

Gjithashtu, sipas gjykatës, në shkresat e lëndës nuk ka fare prova nëse është ftuar për t’u marrë në pyetje në procedurë paraprake (hetimore) e dëmtuara, ndonjë dëshmitar apo ekspert, ashtu siç parashihet me ligj.

Ndaj këtij vendimi, ankesë në Apel ka parashtruar Prokuroria Themelore e Mitrovicës, me pretendimin se Prokuroria ka paraqitur prova të mjaftueshme.

Por, ankesa e Prokurorisë, është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, me arsyetimin se shkalla e parë ka vepruar drejtë, pasi mosmarrja në pyetje e të pandehurit në ketë rast, është në kundërshtim të plotë me Kodin e Procedurës Penale.

Kështu, përfundimisht, zbardhja e këtij rasti, ku viktimë e dhunës është një grua, ka dështuar. Kjo për faj të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me prokuroren Natasha Taniq, e cila ka dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, bashkë më gjithë prokurorët, gjykatësit dhe stafin mbështes serb, për shkak të zhvillimeve politike në veri të vendit.

“Kjo është tashmë çështje e gjykume, është parimi ‘Ne Bis in Idem’, që një çështje gjyqësore duhet të gjykohet vetëm një herë, nuk ka mjete tjera që të prishet ky vendim”, ka thënë avokati i të akuzuarit.

“E vetmja mundësi është për me ushtru mjete të jashtëzakonshme, megjithatë janë mjetet e jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme, por ne normalisht si gjykatën kujdesemi që të respektohen në plotni standardet”, ka deklaruar gjykatësi Maxhuni.

Sipas Prokurorisë Themelorë në Mitrovicë, ky rast në aspektin ligjor nuk ka përfunduar proceduralisht, dhe Prokuroria do të paraqesë mjete të jashtëzakonshme juridike: Kërkesë për rishikimin e procedurës penale dhe Kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Prokuroria përmend si arsyetim intervistimin e të pandehurit 9 muaj pas ngritjes së aktakuzës

Me lëshimet e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës është amnistuar dhuna e ushtruar ndaj viktimës 41 vjeçare.

Se kush duhet të mbahet përgjegjës, avokati i të akuzuarit thotë se për këtë duhet drejtuar Prokurorisë.

“Këtë pyetje duhet të përgjigjen Prokuroria. Ne kemi kryer obligimet tona si mbrojtës i caktum, sipas detyrës zyrtare”, ka thënë ai.

Por, sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Prokuroria e shtetit ka vepruar konform kompetencave ligjore, ndonëse si arsyetim përdorin intervistimin e të pandehurit më 25 tetor 2022, pra, 9 muaj pas ngritjes së aktakuzës.

“Prokurori i Shtetit, duke vepruar konform kompetencave të saj ligjore, sipas thirrjes së gjykatës së shkallës së parë, me datën 25 tetor 2022 e ka marrë në pyetje të pandehurin dhe i njëjti është deklaruar lidhje me çështjen penale të rastit konkret”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Kjo përgjigje, sipas hulumtueses në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Eranda Zekaj, e bën përgjegjës edhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si autoritet kompetent për mbajtjen llogaridhënës të prokurorëve.

“Fatkeqësisht, kjo përgjigje e bën përgjegjës edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si autoritet kompetent për mbajtjen llogaridhënës të prokurorëve. Këtu, Prokuroria po përmend se në bazë të thirrjes së gjykatës, është marrë në pyetje i pandehuri. I pandehuri duhet të dëgjohet gjatë fazës së hetimeve, e cila fazë përfundon në momentin kur ngritët aktakuza. Pra, marrja në pyetje është zhvilluar pas përfundimit të hetimeve. Meqenëse dëshminë për marrjen në pyetje të të pandehurit gjatë fazës së hetimeve Prokuroria nuk e ka pasur, atëherë e ka intervistuar të pandehurin në mënyrë të kundërligjshme, jashtë fazës së hetimeve. Në këtë situatë, pos që e ka dështuar këtë rast të dhunës në familje, Prokuroria ka bërë shkelje edhe në momentin kur jashtë procedurës së hetimeve e ka marrë në pyetje të pandehurin”, ka thënë ajo.

Për më tepër, sipas saj Prokuroria në përgjigjen e saj nuk ka treguar edhe arsyet se pse ndaj kundërshtimeve të mbrojtjes nuk ka dhënë përgjigje.

“Meqenëse nga kjo përgjigje shihet se brenda Prokurorisë Themelore në Mitrovicë nuk ka vullnet për adresim të llogaridhënies, përfshirja e Kryeprokurorit të Shtetit, si autoritet kompetent sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është e domosdoshme”, ka thënë tutje Zekaj.

Ndonëse në rastin konkret, nuk janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, Prokuroria në Mitrovicë thotë se nuk e ka amnistuar dhunën e as nuk do ta amnistojë në ndonjë rast tjetër, por konform kompetencave të saj do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.

Gabimi i Prokurorisë, Rezniqi: Mesazhi më negativ i trajtimit të dhunës në familje

Se a u amnistua dhuna në rastin ku për shkak të gabimeve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është hedhur poshtë aktakuza ndaj B.M, i cili akuzohej së i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore gruas së tij dhe kush duhet të mbahet përgjegjës, ka treguar Arrita Rezniqi, Koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

“Një rast si ky është mesazhi më negativ mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nga ana e sistemit të drejtësisë. Fillimisht, u shqiptuar dënim me kusht dhe gjobë për dhunë në familje. Në anën tjetër, rasti i dytë do të mbetet përjetësisht i pagjykuar”, ka thënë Rezniqi.

Rasti i dytë dështoi pasi Prokuroria nuk kishte intervistuar të pandehurin gjatë fazës së hetimeve, ashtu siç parashihet më ligj, e kjo sipas Rezniqit është procedurë bazike.

“Marrja në pyetje e të pandehurit është bazike në një procedurë. Ligji e njeh vetëm një përjashtim, që nuk aplikohet në rastin konkret. Kështu, përpos obligim kushtetues dhe ligjor, është mirë e njohur në praktikë, se përtej të gjithave, në fazën e hetimit merret në pyetje i pandehuri. Por, në rastin konkret, për çudi, u ngrit aktakuzë pa u dëgjuar i pandehuri”, ka thënë tutje ajo.

Rezniqi ka deklaruar se ky element ka bërë që ky rast të mbetet i pagjykuar.

“Nuk e di se si është vlerësuar nga prokurorja ky rast, por ajo çfarë mund të themi është se ky element ka sjellë në një situatë kur rasti në fjalë do të mbetet përjetësisht i pagjykuar. Pra, nuk është më e rëndësishme sa ka prova për këtë rast se është kryer vepra penale. Të gjitha këto tanimë nuk kanë asnjë vlerë, për faktin se kjo aktakuzë, nuk do të ketë mundësi të gjykohet”, është shprehur ajo.

Ajo ka shtuar se duhet të veprojnë urgjentisht mekanizmat e llogaridhënies së sistemit prokurorial dhe t’i tregojnë publikut që ky rast është përjashtim dhe jo mënyre standarde e veprimit.

“Për këtë rast, duhet të veprojnë urgjentisht mekanizmat e llogaridhënies së sistemit prokurorial. Nëse për shkaqe procedurale objektive kjo nuk është e mundur, i takon sistemit prokurorial që t’i sqarojë publikut se ky rast nuk paraqet mënyrë standarde të veprimit por vetëm një përjashtim. Në këtë kundërtën, një mënyrë e tillë e veprimit, do të dekurajojë të gjitha viktimat e dhunës në familje për raportim të dhunës së ushtruar ndaj tyre. Kjo situatë, qartazi është në kundërshtim me nevojat që ka shoqëria kosovare për luftim të dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Përderisa, kemi një rast të dështuar nga faji i prokurorisë, viktima po priste një gjykim, i cili nuk do të mbahet.

Viktima thotë se iu bë e padrejtë dhe se vazhdon të ndjehet e rrezikuar nga ish-bashkëshorti i saj.

“Mua m’u ka bo një padrejtësi, edhe në gjyq edhe.. çdo gjë m’u ka bo e padrejtë, unë kam qenë d.m.th. një viktimë, m’u ka bo e padrejte edhe në gjyq. Po ndihem e rrezikume, sepse çon njerëz okolla, ka njeri që e ka çu okolla me telefonat, edhe kështu që ndihem…”, është shprehur viktima H.M.

Dhuna në familje dhe vrasja e grave në Kosovë, mbetet shqetësuese. Në 5 vjet e fundit, në Policinë e Kosovës janë raportuar 10 mijë e 738 raste të dhunës në familje.

Në këtë periudhe kohore, sipas Policisë, janë vrarë 27 gra e vajza në familje dhe 24 burra.

Ndonëse parandalimi dhe luftimi i dhunës në familje është zotim i vazhdueshëm, institucionet nuk kanë arritur që të krijojnë mekanizmat e duhur për parandalimin dhe trajtimin e duhur të rasteve të dhunës në familje.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në shkurt të vitit 2013 kishte konkluduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, të ndjerës Diana Kastratit ia kishte shkelur të drejtën në jetë.

Edhe në mars të këtij viti 2023, Kushtetuesja gjithashtu konstatoi se në rastin e Sebahate Morinës, kishte shkelje të drejtës në jetë. Përkatësisht, Policia e Kosovës, stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre për mbrojtje e jetës së Sebahate Morinës.

Ndërsa në rastin e trajtuar ne këtë emision, për faj të dështimit të Prokurorisë, i akuzuari do të mbetet i pagjykuar, ndërsa viktima nuk do mund asnjëherë të kërkojë as të paktën kompensim për dëmin që i është shkaktuar.

/BetimipërDrejtësi