BETIMI PËR DREJTËSI

Zyrtari i MPB-së shfrytëzon parkingun e Ministrisë për “rent a car”

Riza Alshiqi punon si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit qeveritar prej pesë vjetësh në Ministri të Punëve të Brendshme, ndërsa si zyrtar i transportit që nga nëntori i vitit 2001. Krahas punës primare në ministri, si punë sekondare brenda po asaj ministrie dhe brenda orarit zyrtar ka zgjedhur të bëjë biznes me dhënien e veturave me qira, bëhet e ditur nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, i transmetuar në Kohavision.

Për këtë, ai ka gjetur një variant për ta shfrytëzuar pronën e ministrisë.

Meqë, punën e zhvillon në objektin e ish-Rilindjes, ai po e shfrytëzon parkingun e këtij objekti ku gjenden pesë ministri, për t’i lënë veturat të cilat i posedon për t’i dhënë me qira.

Biznesi i tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve është i emëruar si “Riza rent a car”.

Për këtë, ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi” ka inskenuar një situatë për të.


Brenda në objektin e MPB-së, Alshiqi ia përgatiti të ‘infiltuarit’ kontratën për qiradhënie

Në një rast të inskenuar nga “Betimi për Drejtësi”, Alshiqi fton “klientin” në zyrën në MPB për të vazhduar me procedura. Madje, brenda ambienteve të ministrisë, ai futet pa kaluar fare kontrollin e sigurisë, për çka dëgjohet edhe alarmi.

Brenda ministrisë, ai e përgatit të gjithë kontratën për dhënien me qira të veturës si dhe në fund i vendos vulën e kompanisë. Por, para se të nënshkruajë, shpreh pakënaqësi për shtetin, duke thënë se problem të bëhem mirë. Pamjet tregojnë se ata dalin jashtë nga ministria, dhe Alshiqi i çon në drejtim të parkingut të ministrisë, aty ku e ka edhe të vendosur veturën ‘Polo’, gati për ta lëshuar me qira.

Para se ta dorëzojë, ai i bën dhe disa fotografi për t’u siguruar se do ta marrë po në gjendjen e njëjtë.

Dokumenti i lëshuar nga ai është kontratë.

Të nesërmen, të martën e 4 majit, Riza Alshiqit i kthehet vetura nën arsyetimin se nuk ishte komode për vozitje.

Me të marrë veturën, ai e parkon të njëjtën sërish në hapësirën e parkingut të MPB-së.

Ekipi është paraqitur tek parkingu dhe më datë 5 prill për të parë nëse vetura vazhdon të qëndrojë aty.

‘Polo’ e marrë me qira një ditë më parë është gjetur po në të njëjtin vend.

Vetura nuk përmban asnjë leje për lënien në hapësirën e ministrisë.


“BMW X6”, “Polo” e “Peugeot”, tri veturat e Alshiqit në parking të Ministrisë

Për të dëshmuar se Riza Alshiqi ka edhe vetura të tjera aty, kësaj radhe në rolin e klientes e ka telefonuar gazetarja, me qëllim që në fund ta përballë edhe me faktet.

Më 5 prill, gazetarja ka kërkuar nga ai që t’i shohë dy vetura të cilat ka parë në faqen në Facebook, “Mercedes” dhe “BMW”.

Ai kërkon që të takohet tek Ministria, duke ju referuar si zyre.

Kur gazetarja shkon tek parkingu, ai fillimisht ia prezanton vetëm “BMW-në”.

Vetura në pjesën e përparme mbante edhe një letër e cila ishte leja për parking të veturës brenda parkingut të ministrisë, e lëshuar nga ministria.

Gazetarja insiston të shohë dhe ndonjë veturë tjetër, për çka ai menjëherë ia prezanton, tutje pak metra më larg.

Në total deri tash del që Alshiqi mbante tri vetura në parking të ministrisë: Polo, BMW dhe Peugeot.

Me këtë rast, atij i kumtohet se ka qenë pjesë e një investigimi, për të dëshmuar keqpërdorimin e aseteve shtetërore.


Alshiqi për biznesin në Ministri: Nuk është najfarë keqpërdorimi

Në fund Riza Alshiqi e ka pranuar se e ka keqpërdorur mundësinë. Megjithatë, ai ka thënë se “nuk është najfarë keqpërdorimi”.

Në anën tjetër, MPB-ja në përgjigje ka thënë të mos i ketë lëshuar ndonjë leje për parkim Alshiqit.

“Ju konfirmojmë se nga MPB nuk është lëshuar asnjë leje për parkim në Ndërtesa Qeveritare për zyrtarin Riza Alshiqi, si dhe MPB nuk ka pranuar kërkesë të tillë për vitin 2023, as në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.


Shala: Alshiqi mund të akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar mbi biznesin e Riza Alshiqit edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Biznesi rezulton të jetë regjistruar si biznes individual në vitin 2021. Fushë veprimtaria rezulton të jetë një e vetme, marrja dhe dhënia me qira (lizingu) i veturave dhe automjeteve të lehta motorike.

Por, ani se në dispozicion ka një numër veturash bazuar në ato të publikuara në faqen e “Facebook”, kapitalin e ka deklaruar zero. Meqenëse, ai shfrytëzon parkingun e ministrisë për të bërë biznes, “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar edhe mbi adresën e deklaruar. Adresa e deklaruar është rruga “Ccajkovski” 124 në Prishtinë.

Megjithatë, në këtë rrugë që gjendet në lagjen “Kodra e Trimave” e njohur ndryshe si “Vranjvc” në Prishtinë, nuk ka asnjë biznes. Në këtë rrugë ka vetëm shtëpi, dhe asnjë biznes.

Veprimet e tij hyjnë në sferën penale. Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala konsideron se zyrtari i shtetit, Riza Alshiqi mund të akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.


Derisa ankohet për orarin në ministri, Alshiqi tregon se nuk lëshon kupon fiskal

Në fund Riza Alshiqi ankohet se me pagën në ministri nuk mund ta mbajë familjen. Për këtë, ankohet se edhe orari strikt nga ora 8 deri në 16 është i paarsyeshëm.

Por Alshiqi derisa ankohet për shtetin, tregon se bën edhe një shkelje tjetër.

Ai nuk lëshon kupon fiskal për veturat që i jep me qira. Rrjedhimisht, ai nuk i paguan tatim shtetit mbi fitimin që gjeneron.


MPB-ja nuk është në dijeni për veprimtarinë e Alshiqit në pronë të ministrisë

Për të gjitha këto, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga sekretarja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fahrije Tërnava. Por, ministria nuk ka kthyer përgjigje pozitive për zhvillimin e një interviste. Ndërsa, ka mohuar të ketë informacione mbi zhvillimin e biznesit në pronën e shtetit.

“Sa i përket pretendimeve që e shfrytëzon parkingun e objektit të ish-Rilindja, si dhe pretendimeve të juaja se: “Në një nga rastet hartimin e kontratës e ka bërë brenda zyrës së tij në ministri”, ne nuk i kemi këto informacione, por që do t’i trajtojmë të gjitha këto pretendime dhe në rast të vërtetimit të tyre, do të merren masa sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.