Auto

Fordi gjobitet me mbi 104 milionë dollarë për përvetësim të sekreteve tregtare

Një juri federale në Detroit urdhëroi Ford Motor Co t'i paguajë Versata Software Inc 104.6 milionë dollarë dëmshpërblim për shkeljen e një kontrate licencimi të vitit 2004 dhe përvetësimin e sekreteve tregtare.

Juristët diskutuan mbi dy ditë përpara se ta shpallnin përgjegjës Fordin të mërkurën, pas një gjyqi 15-ditor, raportoi Reuters.

Versata, me qendër në Austin, Teksas, tha se e licencoi softuerin e saj të automobilave tek Ford nga viti 1998 deri në 2015, duke ndihmuar inxhinierët dhe agjentët e marketingut të prodhuesit të automjeteve të bashkëpunojnë dhe të dizajnojnë automjete me "përditësime pa probleme në kohë reale" në mbarë botën.

Ajo tha se Fordi me bazë në Dearborn, Michigan filloi kopjimin e softuerit të tij pasi u lodh duke paguar miliona dollarë tarifa vjetore të licencimit, dhe në vitin 2014 refuzoi një ofertë "përfundimtare" për të licencuar softuerin kryesor të Versata për 17 milionë dollarë në vit.

Më shumë se 82.2 milionë dollarë nga gjoba e jurisë ishte për shkelje të kontratës, derisa 22.4 milionë dollarët e mbetur për shpërdorim të sekretit tregtar.

"Ndonëse ne respektojmë vendimin e jurisë, ne besojmë se faktet dhe ligji nuk e mbështesin këtë rezultat”, ka thënë Fordi në një deklaratë, duke paralajmëruar se do ta apelojë vendimin.

Procesi gjyqësor filloi në prill 2015, kur Fordi kërkoi një urdhër gjykate që të mos cenonte pronën intelektuale të Versatas.