Top prodhuesit e veturave në botë po planifikojnë të shpenzojnë gati 1.2 trilionë dollarë deri në vitin 2030 për të zhvilluar dhe prodhuar miliona vetura elektrike, krahas materialeve dhe baterive që përkrahin prodhimin e tyre, sipas një analize të “Reutersit” bërë të dhënave publike dhe projeksioneve të lëshuara nga kompanitë.
Kalkulimi i ri është gati dyfish se kalkulimi i bërë vetëm një vit më herët.
Prodhuesit kanë parashikuar prodhimin e 54 milionë veturave elektrike deri më 2030, që paraqet më shumë se 50 për qind e totalit të veturave të prodhuara deri në atë kohë.
Lëvizjes i prin “Tesla”, shefi i së cilës, Elon Musk, ka thënë se planifikon t’i prodhojë 20 milionë vetura elektrike më 2030, duke kërkuar kapacitet të baterive prej 3 teravatë orë. Në fund të tetorit, Musk pati deklaruar se tashmë po punohen në platforma më të vogla për të shpenzuar më pak në Model 3 dhe Model Y.
Kjo paraqet rritje prej 13 herë në raport me 1.5 milionë veturat që shet aktualisht “Tesla” çdo vit.
Volkswageni po ashtu ka ambicie të mëdha në tregun e veturave elektrike. Kompania gjermane ka plane ambicioze, me investime deri 100 miliardë dollarë për portfolion e veturave elektrike dhe fabrikat në Evropë e SHBa.
Toyota po synon t’i investojë të paktën 70 miliardë dollarë për t’i elektrifikuar veturat dhe të prodhojë më shumë bateri. Kompania pret t’i shesë deri 3.5 milionë modele me bateri më 2030.
Fordi është zotuar për rritje të shpenzimeve, njëjtë siç kanë bërë edhe Mercedesi, BMW, General Motors e shumë prodhues të tjerë me nam.