Ligji obligon çdo institucion publik dhe privat që çdo të pesëdhjetin vend të punës ta rezervojë për personat me aftësi të kufizuara. Ministritë që kanë të punësuar mijëra nëpunës civilë, kanë vetëm 1 ose 2 persona të punësuar me aftësi të kufizuara, ndërkaq gjashtë ministri nuk kanë asnjë të punësuar. Organizatat e personave me aftësi të kufizuara thonë se shpallja e vitit 2022 në dedikim të tyre, është e pamjaftueshme kur nuk respektohet legjislacioni
2022-ta qe shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara nga Qeveria Kurti, porse legjislacioni i paraparë për rregullimin e mirëqenies së tyre nuk po respektohet nga vetë pushteti.
Ligji për aftësim, riaftësim profesional dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara nuk po gjen zbatim në institucionet publike.
Ministritë, që numërojnë 31.520 persona, sipas listës së pagave, kanë të punësuar vetëm 45 persona me aftësi të kufizuara.
Ligji obligon çdo institucion publik dhe privat që çdo të pesëdhjetin vend të punës ta rezervojë për personat me aftësi të kufizuara.
Gjashtë ministri nuk kanë të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuar. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila sipas listës së pagave ka të punësuar, 250 persona, nuk ka të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuar, e sipas ligjit do të duhej t’i kishte të paktën pesë.
Njëjtë qëndron edhe Ministria e Ekonomisë, që të punësuar ka 156 persona, por asnjë nga kjo kategori. Pa persona me aftësi të kufizuar të punësuar brenda ministrive janë edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, si dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, e cila nuk e ka obligim ligjor të punësojë persona me aftësi të kufizuara pasi numri i stafit është nën 50 persona.
2022-ta është shpallur viti i personave me aftësi të kufizuara nga Qeveria Kurti II.
Por në Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës “HANDIKOS”, kanë thënë se nuk ka pasur lëvizje në punësimin e kësaj kategorie në institucione publike që nga marrja e vendimit nga kryeministri Albin Kurti.
Rrustem Gashi, zyrtar në “HANDIKOS”, ka thënë se nuk mjafton vetëm shpallja e vitit në dedikim të tyre, nëse legjislacioni nuk respektohet.
“Sfida e punësimit e personave me aftësi të kufizuara mbetet akoma edhe përkundër se ekziston Ligji për aftësim dhe riaftësim, ku thuhet se çdo i 50-ti duhet me qenë person me aftësi të kufizuar, edhe përkundër vendimit të kryeministrit, në praktikë akoma nuk kemi diçka që shihet”, ka thënë ai.
Në lidhje me arsyen e mospunësimit të personave me aftësi të kufizuara, KOHA i ka kontaktuar të gjitha ministritë, por vetëm Ministria e Drejtësisë është përgjigjur. Ajo sipas Departamentit për Administrim të Shërbimit Publik ka të punësuar dy persona me aftësi të kufizuara, ndërkaq në listën e pagave në këtë ministri figurojnë rreth 10 mijë persona.
“Bazuar në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtaret Publikë përkatësisht në Rregullore (MPB) Nr.02/2020 për planifikimin e personelit, Divizioni i Burimeve Njerëzore ka përgatitur planin e personelit për vitin 2022 sipas nenin 5 të Rregullores (QRK) Nr.16/2020 për Pranim dhe Karrierën në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, pozitat janë planifikuar të plotësohen nga nëpunësit civil ekzistues të së njëjtës kategori, nëpërmjet lëvizje brenda kategorisë dhe ngritjes në detyrë. Konkurrimi për konkurset e jashtme organizohet nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë për Institucionet e Administratës Shtetërore”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Në Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pranuan se institucionet publike nuk qëndrojnë në harmoni me Ligjin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë, ka thënë se kanë përgatitur një agjendë aktivitetesh për vitin 2022, që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport, që sipas kësaj zyre do të ndihmojë në përmirësimin e situatës.
“Gjithsesi është ende pengesë e vazhdueshme rritja e numrit të shërbimit civil, flas për administratën sa i përket punësimit, gjithsesi duhet me u gjet alternativa, duhet të zbatohet ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në nivelin lokal te komunat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hajredini. Ai theksoi se është duke u monitoruar faza e tremujorit të parë të vitit 2022 për të parë nëse është arritur ndonjë progres.
Më mirë nuk qëndron as niveli komunal. Në 37 komunat e Kosovës, që në listën e pagave numërojnë 42.924 persona, janë të punësuar vetëm 43 persona me aftësi të kufizuara. Në 19 komuna nuk kanë asnjë person me aftësi të kufizuar të punësuar si nëpunës civilë.
Komunat e Fushë-Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Graçanicës, Dragashit, Rahovecit, Mamushës, Deçanit, Leposaviqit, Skenderajt, Zubin Potokut, Mitrovicës Veriore, Kamenicës, Novobërdës, Vitisë, Parteshiy, Hani të Elezit, Kllokotit e Ranillugut nuk kanë të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara.