Arbëri

Vetëvendosje fajësohet për tentim të kapjes së Kushtetueses

Javën tjetër, për herë të tretë me radhë do të hapet konkursi për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Një proces i tillë do të ndodhë për shkak të dështimit në fund të dhjetorit që kandidatët për anëtarë të Kushtetueses të marrin votat e nevojshme në Kuvend. E për një gjë të tillë është fajësuar Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, ndonëse kandidatët për gjyqtarë janë profesionistë, ata nuk po marrin votat e nevojshme shkaku i kalkulimeve politike të përfaqësuesve në Kuvend.

Yll Zekaj, hulumtues në IKD, ka thënë se interesimi i partive, sidomos i asaj në pushtet, është që në Kushtetuese të jenë përkrahës të tyre.

“Konsiderojmë që në grupet, në dy konkurset, kemi pasur profesionistë, por nuk kanë ardhur në shprehje për shkak të lobimeve për të gjetur persona të dëgjueshëm. Kështu që ne nuk konsiderojmë se është mungesa e profesionalizmit, asnjëherë nuk e kemi parë këtë arsyetim nga ana e deputetëve për të kontestuar CV-në e njërit kandidat ose tjetrit, por më shumë ka qenë rreth gjetjes së personave të dëgjueshëm për t’i emëruar në pozitat e Gjykatës apo gjyqtarë të Gjykatës Kushtetueses me qëllim që këto favore të kthehen në çdo inicim të ndonjë çështjeje pranë kësaj gjykate”, ka thënë Zekaj.

Sipas tij, mosvotimi i kandidatëve profesionistë ndikon edhe në dekurajimin që ata të aplikojnë në konkurset që do të hapen.

Zekaj e konsideron si shqetësuese tentimin që në pozitat e tilla, sidomos për shkak të rëndësisë që ka Gjykata Kushtetuese, të ketë përkrahës të subjekteve politike. Kjo, për shkak se, sipas tij, një veprim i tillë “e zbeh sigurinë juridike të qytetarëve karshi një institucioni që ka kompetenca për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve kur këto shkelen nga organet shtetërore”.

Për dështimin e zgjedhjes së dy gjyqtarëve në Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje është fajësuar edhe nga opozita.

Driton Selmanaj, nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës dhe i cili ka qenë pjesë e komisionit për zgjedhjen e kandidatëve, ka akuzuar Vetëvendosjen për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Selmanaj ka theksuar se përgjegjësia e zgjedhjes së gjyqtarëve bie mbi VV-në, për shkak të shumicës që ajo ka në Kuvend.

“Fatkeqësisht duket se ajo që ka promovuar kjo parti politike në të kaluarën, që është e interesuar për njerëz profesionalë, sidomos në agjencitë e pavarura, në institucionet kredibile shtetërore, duket se kanë qenë vetëm diskurs, e jo edhe qasje, sepse angazhimi i tyre duket se është që t’i kapin të gjitha institucionet”, ka deklaruar Selmanaj.

Deputeti i LDK-së ka thënë gjithashtu se edhe në takimet e komisionit intervistues është vërejtur tendenca e deputetëve të Vetëvendosjes për dështimin e procesit, ndonëse ka pasur kandidatë të mjaftueshëm dhe profesionistë për një pozitë në Kushtetuese.

“Uroj që shpejt të reflektojnë e të shohin se kapja e institucioneve nuk është zgjidhje. Ne duhet të kujdesemi maksimalisht që meritokracia t’i dërgojë njerëz në institucionet kredibile e më pas ato të nxjerrin aktgjykime kredibile”, ka deklaruara Selmanaj, duke shtuar se pasojat e mosplotësimit të vendeve vakante në Kushtetuese lidhen me kualitetin e vendimeve.

“Sa më shumë gjyqtarë anëtarë aty, kontributi është më i madh, qasja e tyre mund të jetë më diverse dhe më pas kualiteti i vendimeve më profesional”, ka theksuar ai.

Por akuzat e tilla janë mohuar nga partia në pushtet.

Adnan Rrustemi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se përgjegjësia e zgjedhjes së kandidatëve është e të gjithëve dhe jo vetëm e mazhorancës.

“Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës si institucion, qofshin ata pushtet apo opozitë. Në anën tjetër, është në vlerësimin e deputetëve individualë sesi e vlerësojnë një kandidat të caktuar. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që të zgjerohet baza e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të jetë më e gjerë, të fitohet besimi i ekspertëve të ndryshëm që të aplikojnë dhe t’i bindin deputetët që t’i votojnë”, ka bërë të ditur Rustemi.

Ai ka thënë se konsensusi për votimin e kandidatëve të caktuar është vështirë i arritshëm, derisa ka shtuar se është në përgjegjësinë e akëcilit deputetë që të votojë për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses.

Për t’u zgjedhur gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, kandidatëve u duhet që të marrin dy të tretat e votave të deputetëve pjesëmarrës. Më 29 dhjetor, pas tri rundeve të mbajtura të votimit, kishte dështuar zgjedhja e dy gjyqtarëve. Kandidatët e hedhur në votim nuk arritën që të merrnin votat e nevojshme, ndonëse në votim morën pjesë 79 deputetë.

Etrur Maloku kishte marrë 43 vota, Bardh Bokshi 41 dhe Hilmi Jashari 18 vota, derisa pesë vota ishin të pavlefshme. Zgjedhja e gjyqtarëve të Kushtetueses ka dështuar edhe në qershor të vitit të kaluar, me ç’rast është hapur për herë të dytë konkursi, pas atij të muajit prill.