Jo të rregullta janë valët e operatorëve vendorë nëpër komunat veriore. Ato nisin të humbasin qysh në rrugën që të çon për në Jarinje e fshatrat përtej Zveçanit.
Edhe më në jug sesa fshati Zhitkoc, mbi Zveçan, valët shkojnë duke humbur.
Aktualisht MTS-ja, kompania e Serbisë që hyri në sistem të Kosovës pas marrëveshjes Kosovë-Serbi për kodin telefonik, e mban shumicën e tregut në veri.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike e Postare ka deklaruar se nuk ka marrë ankesa lidhur me mungesën e valëve telefonike të kompanive vendore dhe se është i përkushtuar si rregullator për konkurrencën. Sipas ARKEP-it, operatorëve u duhet siguri shtesë dhe leje edhe nga komunat veriore.
“Për informimin tuaj, bazuar në Kornizën Rregullatore për Komunikimet Elektronike, operatorët kanë të drejtë që të shtrijnë rrjetet dhe ofrojnë shërbime në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, lejet për vendosjen e infrastrukturës, përfshirë stacionet transmetuese (antenat), jepen nga institucionet e tjera qendrore dhe lokale në përputhje me ligjet në fuqi. Për më tepër, kur bëhet fjalë për pjesën veriore të vendit, operatorët mund të kenë nevojë edhe për siguri shtesë të infrastrukturës së tyre, pasi që në periudha të ndryshme kohore, infrastruktura e tyre është dëmtuar qëllimshëm nga persona të pandërgjegjshëm”, kanë thënë nga ARKEP-i.
Sipas ARKEP-it që të dy operatorëve, Valës e IPKO-s, u është kërkuar t’i shtrijnë valët e tyre në pjesën veriore. Por, derisa nga kompania Ipko nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS, Telekomi i ka përmendur djegiet, kërkesat për demontim të antenave si dhe mungesat financiare si arsye e mosmbulimit të mirë të veriut me valë telefonike.
“Komuna Mitrovicë e Veriut: një stacion bazë brenda burgut të Mitrovicës, në teknologjinë 2G, mbulohet zona rreth burgut dhe Gjykatës si dhe përreth;
Deri në vitin 2004, kanë qenë të instaluara edhe 3 stacione bazë: një brenda Leposaviqit dhe një mbi liqenin e Ujmanit, të cilat janë djegur dhe demoluar në atë kohë, si dhe një në Mitrovicën e Veriut, e cila është demontuar me kërkesë të qiradhënësit të lokacionit ku ka qenë i instaluar stacioni bazë. Vlen të theksohet se, të pambuluara mirë janë ende qytezat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe pjesërisht Mitrovica e Veriut. Pengesat, në atë pjesë të vendit, janë të njohura për opinionin, por për ne janë me rëndësi të veçantë ato të natyrës financiare. Për shtrirje të mirë të rrjetit në atë pjesë nevojiten investime”, ka thënë Fadil Lepaja, ushtrues detyre i drejtorit për Marrëdhënie me Publikun.
As marrëveshja e vitit 2013 e as Plani i Veprimit të vitit 2015 nuk i ka përfshirë kompanitë vendore të asaj kohe. Ky fakt për Diona Grezdën, hulumtuese në Grupin për Ballkan, e ka shtruar rrugën për monopol të telefonisë në veri.
“Marrëveshja nuk është se e përdor gjuhën (monopol), por ne mundemi përmes saj ta interpretojmë si një lloj monopoli, sidomos për telefoninë fikse për shkak se ja njeh licencën e përhershme për të operuar atje dhe operatorët e tjerë nuk përmenden. Nuk e dimë nëse është ngritur si çështje ose me qëllim kanë mbetur të heshtur rreth kësaj ose nuk ka pasur gatishmëri prej palës serbe për ta arritur një marrëveshje në këtë aspekt, por konsiderohet që me telefoni fikse për momentin është komplet monopol, për telefoninë mobile është një autorizim i përkohshëm që prapë se prapë e ka të njëjtin kuptim”, ka thënë Grezda.
Sipas saj, zgjidhja për shtrirjen e infrastrukturës së telefonisë në veri qëndron te niveli më i lartë politik në dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç qëndron edhe vazhdimi i zbatimit të planit të veprimit që përfshin arritjen e marrëveshjes për roming.