Arbëri

Trendafilova mohon mundësinë që Trumpi ta zhbëjë Gjykatën Speciale

Ekaterina Trendafilova

Pavarësisht qëndrimeve që një nga njerëzit e afërt të Trumpit, Richard Grenell, ka për Gjykatën Speciale, ajo nuk do të zhbëhet ka thënë kryetarja e këtij institucioni me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova. Sipas saj, gjykata do ta përfundojë mandatin vetëm kur rastet përmbyllen

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, nuk sheh rrezik për zhbërjen e gjykatës nga kthimi i Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara.

Në një konferencë për medie, të organizuar online, tha se vetë Shtetet e Bashkuara janë hisedarë në krijimin e gjykatës.

“Epo është zgjedhje e popullit të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara janë të njohura si shtet që promovon goxha shumë sundimin e  ligjit dhe nuk mendoj se do të përfshihen në çkado që u takon Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha Trendafilova. 

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë–Serbi gjatë mandatit të parë të Trumpit, Richard Grenell, tha para pak muajsh se marrëveshja finale që po negociohej atëkohë, e që synohej të firmosej në Shtëpinë e Bardhë, parashihte edhe mbylljen e Gjykatës Speciale. Grenell, që pritet përsëri të marrë pozitë të lartë në administratën e re amerikane, ka deklaruar se aktakuza kundër ish-presidentit Hashim Thaçi ndodhi pikërisht në kohën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishin rrugës për në Uashington për ta firmosur marrëveshjen.

Vazhdimisht Grenelli ka thënë se Thaçi është duke u mbajtur padrejtësisht në paraburgim në Hagë.
E, kryetarja e Speciales ka insistuar se mbyllja e Gjykatës do të ndodhë vetëm kur rastet do të përmbyllen.

“Fundi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, këtij projekti të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, pra fundi i institucionit mund të jetë si rrjedhojë e njoftimit të Këshillit të Bashkimit Evropian se rastet para Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë mbaruar dhe se janë përmbyllur të gjitha hetimet”, tha ajo. 

Ajo insistoi se shtetet e Bashkimit Evropian dhe donatorët e tjerë si SHBA-ja, Norvegjia, Zvicra e Turqia nuk kanë ndërhyrë kurrë te Specialja.

“E kam thënë këtë dhe do ta përsëris, deri kur të ma vërtetojë dikush të kundërtën. Sa u përket hisedarëve tanë, kurrë askush nuk është përpjekur të ndërhyjë në punën tonë. Vetëm na kanë pyetur për shembull sa po pritet të zgjasë ky rast e sa ai rasti tjetër. Kjo është e gjitha”, tha Trendafilova. 

Arsyeja kryesore e ndërkombëtarëve për ta vendosur selinë e Speciales në Hagë, ka qenë që në Kosovë dëshmitarët janë frikësuar. Por, prej se është themeluar Specialja, janë raportuar gjithsej tri raste të tilla.

Kryetarja e Speciales e cilësoi të madh këtë numër.

Rasti më i madh gjyqësor në Hagë, është ai ndaj ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte. Trendafilova tha se para prillit të ardhshëm, ka gjasa që prokuroria ta përmbyllë procesin e paraqitjes së provave ndaj tyre.