Arbëri

Tirana, qyteti më i ndotur në Shqipëri

Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e Shqipërisë njofton se Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi, ndërsa Fieri, Lushnja dhe Lezha janë tre qytete potencialisht të ndotura.

Sipas një raporti të AKM-së problematikë është prania e grimcave PM10, ku dhe thuhet se kjo situatë është pasojë e urbanizmit të lartë dhe ndotja vjen nga rritja e numrit të makinave që qarkullojnë në rrugë, si dhe veprimtarisë industriale.

Sa i përket ndotjes së ajrit, bazuar në të dhënat e raportit të AKM-së, nivelet më të larta të PM10 janë monitoruar në Tiranë, ku ka një tejkalim të normës vjetore të BE-së në masën 15 për qind dhe 38 për qind, për dy pika monitorimi në kryeqytetin e Shqipërisë, raporton AA. Në një nga pikat e monitorimit në Tiranë ka rezultuar se vlera vjetore e monitoruar është 55.25 mikrogram për metër kub dhe krahasuar me normën vjetore ka një tejkalim me 15.25 mikrogram për metër kub.

Në përgjithësi, nivelet e PM10 janë mbi normë në të gjitha qytetet me përjashtim të Shkodrës dhe Vlorës ku ndër vitet e fundit janë nën normën e BE-së.

Ndërkohë, sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, publikuar në vitin 2017, burimet kryesore të ndotjes së ajrit sot në Shqipëri janë të shumtë, por specialistët rendisin disa shkaktarë, të cilët mbajnë edhe peshën kryesore të nivelit të ndotjes. Këtu mund të përmendim automjetet e vjetruara dhe trafiku i makinave (kjo lidhet edhe me rrugët e dëmtuara). Gjithashtu edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, industritë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, djegia e pakontrolluar e mbeturinave.