Mungesa e disa njësive mësimore që janë të parapara me kurrikulën mësimore, është vetëm një prej mangësive të teksteve shkollore. Disa njësi mësimore të lëndës së matematikës, nxënësit e klasës së shtatë detyrohen t’i mësojnë nga libri i klasës së tetë. Po ashtu, tekstet shkollore nuk ndihmojnë në rritjen e mendimit kritik. Monitoruesit kanë thënë se padituria profesionale e recensentëve ka çuar deri te mospërputhja e plan-programit me tekstet shkollore
Me shpërputhje midis kornizës kurrikulare dhe teksteve shkollore përballen institucionet arsimore në Kosovë. Në tekstin e lëndës së matematikës për klasën e shtatë mungon një kapitull i simetrisë, edhe pse është i paraparë në plan-program.
Naim Bytyqi, mësimdhënësi i lëndës së matematikës, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ka thënë se është i obliguar t’i udhëzojë fëmijët që të marrin shënime nga libri i klasës së tetë.
“Meqenëse jemi te klasa e shtatë, defekti këtu është se një kapitull i tërë nuk është fare në libër, ndërsa në plan-program është në librin e klasës së tetë dhe ne duhet t’i udhëzojmë, që nuk është hiç në rregull pedagogjik t’i udhëzojmë fëmijët e klasës së shtatë: ‘Merrni shënime në librin e klasës së tetë’”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar se kjo i penalizon nxënësit, pasi ua pamundëson të bëjnë punë të pavarur.
Me të njëjta probleme përballen edhe mësimdhënësit e lëndëve të tjera.
Drejtori i shkollës fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, Skender Halimi, ka treguar për mungesën e përfshirjes së disa kapitujve në librat e klasës së shtatë dhe të klasës së tetë në lëndën e gjeografisë.
“Në programin lëndor është një rezultat që i atribuohet nxënësit ku thotë: ‘Identifikoni elementet natyrore, shoqërore, e ekonomike të shteteve të Evropës së Mesme për secilin veç e veç’. Ky rezultat kërkon që në tekste të trajtohet secili shtet i Evropës veç e veç, njësoj edhe te regjionet e tjera, por u ndala te Evropa e Mesme, kurse kur e marrim tekstin, e shohim nuk ka asnjë njësi mësimore që i referohet ndonjë shteti të Evropës së Mesme”, ka thënë Halimi. Sipas tij, 40 për qind e plan-programit nuk është trajtuar në tekstin shkollor të klasës së shtatë.
“Problem të ngjashëm kemi pasur edhe te gjeografia e klasës së tetë, ku komplet një temë mësimore nuk është trajtuar në tekst fare. ‘Tiparet dhe sfidat globale’ është një temë mësimore në programin lëndor të klasës së tetë e cila nuk është trajtuar fare nga autorët në tekst", ka thënë Halimi. Kjo situatë, sipas Halimit, krijon konfuzion në përgatitjen e mbarëvajtjes së procesit mësimor.
Përveç mungesës së disa kapitujve, librat gjithashtu nuk ndihmojnë në rritjen e mendimit kritik.
“Nëse shohim tekstet, prapë ofrojnë atë memorizimin e fakteve. Nuk zhvillojnë të menduarit kritik, nëse i shohim pyetjet pas çdo njësi mësimore, apo mbi 80 për qind të njësive mësimore fillojnë me çka qysh dhe pse, pra diçka që e çon fëmijët vetëm te memorizimi i fakteve”, ka thënë Halimi.
Korniza Kurrikulare për Arsimin Parauniversitar ishte miratuar në vitin 2016, ndërsa dy vjet pas, ka filluar rishikimi i librave shkollorë. Në Institutin “Ed Guard”, që e kanë monitoruar procesin e vlerësimit të teksteve shkollore, kanë thënë se padituria profesionale e recensentëve, ka çuar deri te mospërputhja e plan-programit me tekstet shkollore.
“Mospërputhja mes kornizës kurrikulare dhe teksteve shkollore është evidente dhe për këtë, ka dëshmi të mjaftueshme për gjatë gjithë teksteve shkollore. Burimi i këtij problemi është ekskluzivisht i ndërlidhur me mekanizmat vlerësues dhe po ashtu kompetencat profesionale të recensentëve dhe autorëve të cilët në masë të madhe janë të papërgatitur dhe të paditur për kërkesat kurrikulare", ka thënë Rinor Qehaja, drejtor i Institutit “Ed Guard”.
Mësimdhënësi Bytyqi e sheh të arsyeshme që çdo autor i librave të konsultohet fillimisht me trajner të kurrikulës.
“Ky është defekt në librat tonë, jo vetëm këtë vit por gjithmonë, autorët janë ‘Zoti i shkollave’, unë shpeshherë e them këtë me nervozë, pasi ne i përdorim ata libra çdo ditë, ndërsa autorët nganjëherë mendoj se nuk janë në dijeni për impaktin e tyre”, ka thënë ai.
Nevoja për krijimin e një mekanizmit trajnues për autorët, vlerësohet shumë e nevojshme. Sipas Halimit, pasaktësitë shkencore në libra dhe moskoordinimi i tyre me plan-programin, është edhe interferimi i shtëpive botuese.
“Tekstet e reja shkollore kanë mangësi të shumta, shkaktarët apo faktorët që kanë çuar në këto tekste, mendoj se shumica e autorëve nuk e kanë as trajnimin bazik me e ditë se çka kërkon kurrikula e re. Pra tekstet e reja shkollore kanë mangësi të shumta, si në aspektin të trajtimit të përmbajtjes, mirëpo ka pasur raste që kanë pasur edhe pasaktësi shkencore”, ka thënë Halimi.
Në vitin 2022 janë hartuar librat për klasën e katër dhe të nëntë. Këtë vit pritet të hartohen dhe për klasën e pestë për të kompletuar rishikimin e teksteve shkollore nga klasa 0 deri në 12.
Sipas një raporti të publikuar në vitin 2019 nga Qendra për Arsim e Kosovës, sa i përket përmbajtjes së teksteve shkollore, një numër shumë i vogël i kritereve të cilësisë është vlerësuar pozitivisht nga mësimdhënësit. 88 për qind e mësimdhënësit kishin vlerësuar se pjesërisht është e harmonizuar relevanca e përmbajtjes për arritjen e rezultateve të të nxënit të përcaktuara me kurrikulat bërthamë. Po ashtu, mësimdhënësit deklaruan se në libra ka mungesë të të dhënave të mjaftueshme për një çështje të caktuar dhe trajtimi i temave të rëndësishme është shumë sipërfaqësor.
Një projektligj që synon ngritjen e cilësinë në tekstet shkollore, ende nuk është dërguar për miratim në qeveri, edhe pse ishte premtuar që do të dërgohej vitin e kaluar. Në lidhje me mungesën e harmonizimit të teksteve me plan-programin, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk është përgjigjur nëse ka në plan edhe njëherë rishikimin e librave.