Rreth 24 mijë maturantë do t’i nënshtrohen të shtunën testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën që të aplikojnë për studime universitare. Nxënësit vlerësojnë se rezultati i provimit të maturës nuk përbën pasqyrë reale për nivelin e dijes, e ekspertë të arsimit shprehin brengën për mungesë të mekanizmave për ta luftuar kopjimin gjatë testit.
Fortesa Halitaj është maturante në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe të shtunën ajo dhe rreth 24 mijë maturantë të tjerë do t’i nënshtrohen provimit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën që të aplikojnë për studime universitare.
Por ajo nuk beson se rezultatet e provimit të maturës shtetërore do t’i diferencojnë nxënësit më të angazhuar gjatë tërë viteve të shkollimit të mesëm, nga ata pasivë.
“Nuk mendoj që ky test i maturës është një pasqyrim i saktë i njohurive të një nxënësi, por mbahet në njëfarë forme vetëm si formalitet. Provimet pranuese janë më të rëndësishme, që e tregojnë me të vërtetë angazhimin e atyre nxënësve në drejtime të caktuara. Mendoj që ne testohemi brenda tre vjetësh mjaftueshëm, që ato nota janë pasqyrim më i saktë i këtyre diturive, kurse ky test vetëm mbahet dhe në fund, vërehet prej rezultateve sa është i duhur”, ka thënë Halitaj.
Procesi i testimit të maturantëve, ndër vite, është përcjellë me parregullsi. Nxënësit kanë arritur të kopjojnë përmes telefonave, si dhe të shpërndajnë në rrjete sociale përgjigjet e pyetjeve.
Agon Ahmeti është drejtori i organizatës për arsim “ETEA” dhe thotë se as këtë vit Ministria e Arsimit nuk ka vendosur mekanizma për luftimin e kopjimit.
“Konsideroj që një vlerësim i tillë duhet të ekzistojë, që të paktën të diferencojë nxënësit e mirë nga nxënësit që nuk janë aq të mirë. Por, në anën tjetër, në mënyrën se si po mbahet viteve të fundit, unë konsideroj që është vetëm i dëmshëm, nuk është për qëllime për çka thirret e për çka mbahet. Praktikisht është i dëmshëm, ndër të tjerat edhe për vetë nxënësit, sepse shkakton stres”, ka deklaruar ai.
Ministria e Arsimit harxhon rreth 350 mijë euro secilin vit për organizimin e testit të maturës shtetërore.
Procesi ka pësuar ndryshime ndër vite, nën arsyetimin për t’i evituar parregullsitë. Në mesin e masave, Ministria ka përfshirë edhe ndalesën për mediat që ta përcjellin rrjedhën e testit.
“Pas orës 10:00, koha kur fillon testi, nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit, përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediat mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, ka njoftuar Ministria.
Matura shtetërore do të organizohet në 178 qendra me shumë klasa, në të cilat do të vendosen maksimum 15 nxënës. Pa e kaluar këtë test, nxënësit nuk do të mund të aplikojnë në universitete publike e kolegje private.