Arbëri

Të rinjtë mësyjnë universitetet, pa ditur për drejtimet që u garantojnë punë

Institucionet e arsimit të lartë kanë hapur dyert për pranimin e studentëve për vitin e ri akademik. Por, të rinjtë, që aplikojnë për statusin e studentit, thonë se nuk janë informuar për profilet më të kërkuara në tregun e punës. Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se mungon koordinimi ndërinstitucional me sektorin privat, për nevojat e tregut

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur dyert për pranimin e studentëve për vitin e ri akademik 2022/2023. Të rinj, të cilët synojnë të bëhen pjesë e UP-së, kanë thënë se nuk kanë njohuri se sa e vlefshme do të jetë diploma e tyre për tregun e punës.

Denis Krasniqi, i cili synon të bëhet student i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, ka thënë se ka pasur mungesë të sesioneve informuese nga institucionet përgjegjëse për drejtimet që kërkohen në tregun e punës. Ai ka thënë se sesionet informuese kanë qenë në formën online, që, sipas tij, nuk kanë qenë frytdhënëse.

“Prej universiteti nuk ka sesion informues për maturantë se cili drejtim është më i kërkuar ose cili është më i nevojshëm, për të paktën 5 vjetët e ardhshëm. Përveç Departamentit të punëve sociale, të cilët kanë mbajtur dy sesione informuese me maturantë, edhe ato kanë qenë online”, ka thënë ish-nxënësi i gjimnazit “Ahmet Gashi”, në Prishtinë.

Vendimin për t’u regjistruar në drejtimin e Sociologjisë, Denisi e mori duke u bazuar në bisedat me familjarët dhe shoqërinë.

“Se sa do të arrijnë të më japin informacion të nevojshëm për të ardhmen time, nëse bazohem në të kaluarën, e di që kurrgjë. Po flas në të kaluarën prej shkollës së mesme, por prapë e kam një fije shprese që ka profesorë e profesoresha të mira dhe kanë për të arritur të na zhvillojnë, edhe për të na mësuar për të ardhmen dhe në fund na të arrijmë ta gjejmë një vend të punës”, ka thënë ai.

Një raport i projektit austriak “Alled” konstaton se Kosova ka numër të lartë të universiteteve dhe kolegjeve, llogaritur me numrin e banorëve. Përkundër kësaj, raporti tregon rezultatin e një hulumtimi, sipas të cilit, mbi 60 për qind e të anketuarve mbajnë punë që nuk është e lidhur me shkollimin që e kanë kryer.

Njohësi i çështjeve ekonomike, si dhe autori i disa publikimeve të hulumtimeve në “Alled”, Besnik Krasniqi, ka thënë se mungon koordinimi ndërinstitucional me sektorin privat për nevojat e tregut, e edhe informimi i të rinjve për profesionet e kërkuara.

“Ne kemi futur disa rekomandime që duhet të jetë një bashkëpunim më i strukturuar, pasi kanë munguar raporte të tilla dhe informata dhe nëse këto informata ekzistojnë, nuk do të thotë që është kryer puna, sepse këto informata duhet të shkojnë te maturantët apo te semimaturantët”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka konstatuar se ka mungesë të programeve universitare që janë në hap me ndryshimet në ekonomi.

“Kemi shumë juristë të përgjithshëm, por neve na mungojnë juristët që janë në gjendje t’i ndihmojnë sektorit privat dhe t’i ofrojnë këshilla profesionale për mënyrën sesi patentohet produktet e reja”, ka thënë ai. “Një prej problemeve kyç për t’u zhvilluar Teknologjia e Informacionit në Kosovë është që ata krijojnë shumë produkte të reja, por kur vjen puna e patentimit, mbrojtja e pronësisë intelektuale, licenca në nivel ndërkombëtar, ne nuk kemi”.

Institucionet publike dhe private të arsimit të lartë kanë hapur konkursin për pranimin e studentëve për vitin e ri akademik. UP-ja ka paraparë që në afatin e parë të pranojë pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë studentë të rinj.

Në Rektorat kanë thënë se i kanë informuar studentët për profilet.

Prorektorja për Mësimdhënie dhe çështje për studentë, Mimoza Ibrani, në emision “SOT” në Kohavision, ka thënë se kanë pasur organizime, ku stafi akademik ka vizituar institucionet e arsimit të mesëm të lartë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të nxënësve rreth drejtimeve në UP. Gjithashtu, sipas Ibranit, shumica e programeve që janë në UP përshtaten me tregun e punës.

Lëvizja Vetëvendosje, që e drejton Qeverinë, kishte premtuar reformim dhe harmonizim të sistemit të arsimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se përmes themelimit të Komisionit ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional, synohet të zbutet mospërputhja e arsimit me nevojat e tregut të punës.

“Mbetet akoma shumë për të bërë në këtë drejtim. Ne i kemi kushtuar vëmendje arsimit parauniversitar. Po mundohemi që me politikat që kanë të bëjnë me shkollat profesionale t’i plotësojmë nevojat që janë me tregun e punës”, ka thënë Nagavci, në një konferencë për media të mbajtur një javë më parë.

Komisioni, të cilit i është referuar ministrja e Arsimit, është themeluar nga Qeveria dhe ka në përbërje kryeministrin Albin Kurti, ministren Nagavci, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Që nga janari, kur ky Komision u themelua, janë mbajtur dy mbledhje. Brenda kësaj periudhe, Komisioni ka nënshkruar një marrëveshje me fondacionin “Besa” nga diaspora për të ndihmuar në pilotimin e arsimit dual, si dhe ka krijuar dy task forca.