Arbëri

Kosova e Serbia, 265 ditë pa dialogun jo të lehtë për Kurtin

Dialogu me Serbinë ka qenë një nga temat e diskutimit në disa prej takimeve të kryeministrit Albin Kurti në Greqi në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit. Por, detaje rreth diskutimeve të bëra nuk janë dhanë. Në anën tjetër, as nga institucionet në Kosovë e as nga ato në Bashkimin Evropian ende nuk kanë dhënë ndonjë datë kur mund të mbahet takimi i radhës midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq

Takimi i 19 korrikut të vitit të kaluar mbetet i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Një takim i radhës i kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk duket në horizont.

Përderisa institucionet në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian ende nuk kanë një datë të takimit ndërmjet Kurtit e Vuçiqit, njohës të dialogut besojnë se pas zgjedhjeve në Serbi e konstituimit të institucioneve atje do të ketë intensifikim bisedimesh.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se në këtë fushë do të ketë ndikim situata e krijuar në Ukrainë nga sulmi i Rusisë. Arifi ka thënë se BE-ja dhe ShBA-ja kanë kuptuar problemet që mund të shkaktohen nga konfliktet e ngrira.

“Po besoj që tash ka një seriozitet më të thelluar të bashkësisë ndërkombëtare, të BE-së dhe SHBA-së, sepse kanë kuptuar se problemet e hapura apo konfliktet e ngrira mund të shndërrohen mandej në konflikte më serioze siç është rasti Rusi-Ukrainë apo raste të tjera. Sidomos në Ballkanin Perëndimor që kanë mbetur pa u zgjidhur siç është rasti Kosovë-Serbi, rasti i Bosnjës e kështu më tutje”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është arsyeja se përse pret që situata rreth bisedimeve të ndryshojë.

“Pres një intensifikim të përpjekjeve të paktën për ta bërë një dialog të nivelit politik që të paktën të dërgohet një mesazh për njëfarë mënyre mirëmbajtjeje të dialogut dhe orientimin paqësor të të dyja vendeve pra Kosovë, Serbi”, ka thënë Arifi.

Bisedimet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka vlerësuar si jo të lehta, kryeministri Albin Kurti. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve ANA, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, të premten, Kurti ka thënë se megjithëkëtë, ato duhet të vazhdojnë, derisa ka thënë se arsyeja për vështirësitë në bisedime është mospranimi i krimeve të kryera nga Serbia.

“Unë kam marrë pjesë në dy takime në Bruksel me presidentin e Serbisë. Bisedimet nuk janë të lehta, por besoj që duhet të vazhdojnë. Nuk janë të lehta, për shkak se nuk marrin parasysh krimet e kryera nga Millosheviqi në të kaluarën”

Në pranverën e vitit 1999 në Kosovë kishim 860 mijë shqiptarë që ishin dëbuar nga Kosova, 80 për qind e njerëzve të nxjerrë nga shtëpitë e tyre, 20 mijë gra të dhunuara nga policia dhe forcat paramilitare, 12 mijë civilë të paarmatosur në të gjitha masakrat e gjithë vendit, 120 mijë shtëpi të shkatërruara apo të djegura ndërsa Serbia asnjëherë nuk ka shprehur ndonjë pendim apo keqardhje për këto”, ka thënë Kurti të premten derisa ka inkurajuar Beogradin “që të distancohet nga regjimi i Millosheviqit, sepse mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe mosnjohja e krimeve të regjimit të Millosheviqit janë dy anë të së njëjtës medalje”.

“Unë mendoj që këtu kemi nevojë për një emancipim të Serbisë nga krimet e një regjimi që e ka detyruar NATO-n që të bombardonte Serbinë”, ka deklaruar kryeministri Kurti në bashkëbisedimin për “ANA”.

Kurti gjatë kësaj interviste ka thënë se është koha që Greqia ta njohë Kosovën, duke thënë se një gjë e tillë do ta ndihmonte Kosovën edhe në sigurimin e njohjeve të tjera.

“Është pjekur koha që Greqia të njohë Kosovën dhe para kësaj e sidomos pas kësaj do të mund rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike, por edhe këmbimet tona tregtare”, ka thënë ai.

Por, për dialogun Kurti nuk ka folur vetëm në këtë pjesë të forumit të Delfit. Bisedimet me Serbinë kanë zënë vend në takimet që kreu i ekzekutivit, ka pasur në margjina të Forumit Ekonomik.

Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë të shtunën, është shkruar se dialogu Kosovë-Serbi, ishte një nga temat që u diskutuan nga takimi i ministrit grek, Nikos Dendias, me kryeministrin Kurti e homologen e tij, ministren Donika Gërvalla.

“Takimi në margjina e Forumit Ekonomik Delphi midis Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Diskutime në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Dialogu u diskutua edhe me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak. “Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit pas takimit.

Lidhur me takimin e radhës të nivelit të lartë, mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Bashkimi Evropian.