Arbëri

Spanja larg njohjes së Kosovës përkundër interesimit për dialogun

Gjatë javës së kaluar, interesim për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka treguar Spanja, ministri i Jashtëm i së cilës është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak. Për Spanjën, njohja e Kosovës është e lidhur ngushtë me arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Derisa një gjë e tillë të ndodhë, Kosovës po i kërkohet angazhim në lidhjen e marrëdhënieve të tjera me Spanjën.

Qëndrimi zyrtar i Spanjës është se nuk do ta njohë Kosovën, ani pse interesimi i saj për dialogun me Serbinë, është lexuar edhe më herët si sinjal pozitiv. Njohës të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe lëvizjeve drejt intensifikimit të tyre, kanë thënë se duhet të punohet edhe në drejtime të tjera, jo vetëm në atë të njohjes së pavarësisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë temë diskutimi në takimin e mbajtur ditë më parë midis përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares. Interesimi i Spanjës për bisedimet është parë si lëvizje pozitive në raport me Kosovën.

Por Alejandro Esteso Perez, që është ekspert i marrëdhënieve Kosovë-Spanjë, ka thënë se sinjale të tilla nga Spanja duhet të trajtohen në mënyrë të kujdesshme.

“Duhet të jemi të durueshëm dhe të shohim se si do të ndikojë një interesim i tillë”, ka thënë Perez.

Sipas tij, Spanja është strikte në qëndrimin e saj dhe ndërlidhjen e ndryshimit eventual të pozicionit karshi Kosovës me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Duke pasur parasysh ndikimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Spanja është duke ia dhënë gjithë legjitimitetin e këtyre bisedimeve përfaqësuesit të lartë dhe atij të posaçëm Lajçak. Mendoj se Spanja ka treguar ndër vite se do të pranojë pavarësinë e Kosovës, vetëm si pjesë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është, po ashtu, sepse për Spanjën dialogu është pjesë fondamentale në termat e njohjes ose pranimit të Kosovës si subjekt të pavarur në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, Perez thotë se institucionet në Kosovë duhet të punojnë drejt përafrimit tregtar me Spanjën.

“Duhet të jemi shumë realë dhe të flasim të vërtetën. E vërteta është se Spanja nuk do ta njohë Kosovën brenda natës. Në këtë aspekt, një nga përpjekjet që Kosova mund të bëjë drejt Spanjës edhe përmes vendeve të tjera anëtare apo edhe partnerëve të tjerë në rajon t’i adresojnë te Spanja dhe t’i inkurajojnë ata që të hapin një lloj zyre tregtare në Prishtinë ose të vendosin marrëdhënie tregtare”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se me një gjë të tillë nuk do të nënkuptohej njohja e Kosovës, por vetëm e asaj që Kosova nuk është pjesë e Serbisë, gjë për të cilën thotë se është fondamentale.

Lidhur me takimin në Bruksel, të ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, KOHA ka kërkuar detaje nga ministria atje. Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Spanjë, kanë thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin sa i përket njohjes.

“Spanja qëndron pas pozicionit të saj për mosnjohje të deklarimit të njëanshëm të pavarësisë së shpallur nga Prishtina në vitin 2008. Në çdo rast, qasja jonë është shumë konstruktive dhe ne mbështesim dialogun dhe një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Për dallim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, ajo në Kosovë, që nga e marta, nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje. Në anën tjetër, detaje nuk kanë dhënë edhe nga Bashkimi Evropian.

Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë KOHËS, se si përfaqësues i BE-së, Lajçak, rregullisht konsultohet dhe iu raporton shteteve anëtare. “Përfaqësuesi special i BE-së punon në emër të shteteve anëtare të BE-së dhe rregullisht konsultohet dhe iu raporton atyre. Takimet me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare janë pjesë e punës së çdo përfaqësuesi special të BE-së”.

Spanja është në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.