Edhe pas 24 vjetësh, Vezire Batusha dhe banorë të tjerë të Krushës së Vogël, nuk kanë ku t’i vajtojnë më të dashurit e tyre, meqë pasi janë vrarë e djegur, trupat ishin zhdukur nga forcat serbe. Edhe në këtë përvjetor të ditës së krimit, shteti nuk arriti të ndërtonte një Memorial për të masakruarit, e as të sjellë drejtësi për krimet e kryera nga regjimi serb
Disa gurë të themelit të shtëpisë së Qazim Batushës, janë krejt çfarë mund të shihet në vendin ku u vranë e u dogjën 103 shqiptarë të Krushës së Vogël në Prizren, më 26 mars, para njëzet e katër vjetësh. Në ditën kritike, në këtë shtëpi burrat e fshatit u vendosën me dhunë nga forcat serbe, e pastaj u vranë dhe u dogjën.
Në vendin ku valon flamuri kuq e zi i rrjepur nga vjetërsia, vërehet dështimi i shtetit për ta kthyer këtë hapësirë në Kompleks Memorial. Pluhuri nga punimet të lëna në gjysmë që nisën para dy vjetësh, tregon për përkushtimin e institucioneve për ta ruajtur kujtesën kolektive.
Por, tek gurët e themelit të kësaj shtëpie, janë vendi ku Vezire Batusha shkon për t’i vajtuar dy djemtë e burrin e vrarë.
“Unë shpesh shkojë aty ku janë vrarë. Iki nga fëmijët që të mos më shohin duke vajtuar”, thotë ajo. “Aty vajtoj dhe vij prapë”.
Vezire Batusha nuk i ka në varre djemtë e vrarë. Varret nuk u hapën, pasi trupat e tyre bashkë me të 68 banorëve të tjerëve të fshatit, tash e 24 vjet nuk janë gjetur.
“Ende s’i kanë gjetur kufomat. Po kam dëshirë me i gjetë, po kam qef me i varrosë, me i ditë ku janë eshtrat e tyre, në mënyrë që të kem një vend se ku të qaj, të kem një vend se ku t’i dërgoj lulet”, ka thotë ajo.
“Mos u brengos se nuk kanë çfarë na bëjnë”, janë fjalët e fundit që djemtë e Vezires, Burimi dhe Lirimi, ia thanë në momentin kur forcat serbe i ndanë me dhunë nga familja.
“Kur i panë që shumë nga ushtarët ishin banorë të fshatit tonë, mendonin që nuk do t’u bëjnë asgjë”, tregon ajo me lot në sy.
Dy ditë para se të vritej, djali i saj, Lirimi, mbushi 15 vjet. Vezirës tani i ka mbetur peng që nuk ia festoi ditëlindjen e fundit vogëlushit.
“Me pasë ditë ia kisha festu menjëherë, por kujt i binte ndërmend të festonte ditëlindje në ato momente”, ka thënë ajo.
Edhe Burimi ishte i mitur, kur bashkë me burra të tjerë të fshatit, u goditën me breshëri plumbash, e pastaj u dogjën në shtëpinë në hapësirën me rreth 40 metra katror.
Vetëm gjashtë mbijetuan, pasi arritën të fshiheshin nën kufoma.
Ofshamat e bashkëvendësve, ende i ka të freskëta, i mbijetuari Bajram Zylfiu.
“Si sot më kujtohet kur filluan të na kallin. Bërtitma kishte gjithandej. Unë veç mendojsha për familjen time. Pastaj dikush bërtiti. Tha: ‘kush jeni gjallë hajde dalim se kanë shkuar serbët’. Kemi dalë e kemi ikur në mal”, tregoi ai.
Sipas Zylfiut, institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta dokumentuar gjithë tmerrin që e përjetoi.
Ai ka thënë se i njeh me emra 56 serbët që kryen krime në atë pjesë. Por deri më tani vetëm Darko Tasiq është dënuar me 11 vjet burg.
“Le të tregojnë ku i kemi të zhdukur. Ende nuk po zbulohet asgjë. Ne kemi trauma ende, kemi kujtime ende, askush nuk vjen të na pyes çka i keni punët”, ka thënë ai. “Kanë mbetur nënat me fëmijët të vegjël. Pa rroga. Ia japin një ndihmë të vogël aty”.
Në Prokurorinë Speciale nuk kanë dhënë sqarime për mungesë të rezultati në hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të masakrave.
E deri tani në Tribunalin e Hagës për krimet gjatë luftës së fundit në Kosovë janë dënuar gjithsej gjashtë persona.
Vlastimira Djordjeviq, Nikola Sainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Sreten Lukiq, janë të dënuar me burg, prej 18 deri në 22 vjet.
Hetimi dhe ndjekja e kryesve të krimeve të luftës, ishte përgjegjësi e rezervuar e ndërkombëtarëve. Pas lufte këtë përgjegjësi e kishte misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, e më pas ai evropian, EULEX.
Në EULEX arsyetuan mosndëshkimin e kryesve të masakrave, me ikjen e tyre nga Kosova, meqë legjislacioni në fuqi ndalonte gjykimin në mungesë.
“Deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, misioni nuk ishte në gjendje të procedonte me shumë raste për krime lufte që supozohej se ishin kryer nga individë të përkatësisë etnike serbe, pasi shumë nga këta të dyshuar kishin ikur në vendet jashtë Kosovës”, thuhet në një përgjigje të këtij misioni, dhënë KOHËS.
Tani që ligjet në vend ua lejon gjykimin në mungesë, në EULEX kanë thënë se është përgjegjësi e institucioneve vendore të vazhdojnë me gjykimin e të dyshuarve.
“Dosjet e lëndëve për këto raste tani janë në duart e prokurorëve të Kosovës, të cilët mund t’i çojnë përpara bazuar në hetimin e nisur nga EULEX-i, si dhe në kornizën ligjore të ndryshuar, e cila tani lejon – në rrethana të caktuara – gjykimin e një të pandehuri në mungesa e tij. Është e rëndësishme të theksohet se krimet e luftës dhe krimet e tjera kundër ligjit ndërkombëtar nuk u nënshtrohen kufizimeve ligjore”, është thënë në përgjigje.
Në kuadër të Prokurorisë Speciale funksionon departamenti për krime lufte, por institucionet janë kritikuar për numër të pamjaftueshëm prokurorësh të rekrutuar në këtë departament.