Arbëri

Gjuha shqipe mësohet edhe në Harvard

Harvardi ka një prurje të re në kurset e gjuhës: Këtë semestër nisën edhe klasat fillestare të gjuhës shqipes, të cilat zunë vend në Departamentin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC), ku hyjnë edhe aramaishtja, persishtja, turqishtja, yiddish e të tjera.

Edona Cosovic, në vitin e dytë të studimeve për qeverisje dhe e bija e emigrantëve shqiptarë të pjesës lindore të Malit të Zi, ishte njëra nga studentet që nxiti hyrjen e kësaj gjuhe në Harvard. E rritur në Shtetet e Bashkuara, ajo mësoi të fliste shqipen joformale në shtëpi, por e kuptoi se ishte e vështirë që, pavarësisht dëshirës së madhe, ta ruante gjuhën.

“Kur isha fëmijë prindërit e mi nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të blerë paketat që përmbanin kanalet shqiptare”, ka thënë ajo. “Ne jemi në shkollë gjithë ditën, shohim kanale amerikane, gjithçka është në anglisht, dhe edhe prindërit tanë gjithashtu po përpiqen të mësojnë anglishten, sepse po punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të fitojnë para. Si pasojë e kësaj, ne e humbim gjuhën shumë-shumë shpejt, brenda një gjenerate”.

Në mars të vitit 2022, Cosovic pyeti për mundësinë e hapjes së një kursi të gjuhës shqipe në Harvard. Ajo foli me Eva Stathi-Mishon, koordinatore e studentëve në NELC, e cila ishte e etur për ta ndihmuar. Para se të vinte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar për gjuhë klasike në “Hellenic College” në Brookline, Stathi-Misho studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë. Ajo shpesh pyetet se çfarë gjuhe flitet në Shqipëri. Kursi, beson ajo, do ta japë përgjigjen në këtë pyetje të panjohur. Kjo tregon se “ne ekzistojmë [dhe] ne kemi një gjuhë”, ka thënë ajo. Ajo po ua mëson djemve të saj shqipen duke u lexuar dhe folur në gjuhën e saj amtare.

Harvardi është tani i vetmi universitet i Ivy League që ofron kurse të gjuhës shqipe. Megjithatë, gjuha ka një traditë të gjatë të të mësuarit në Shtetet e Bashkuara. E nxitur nga valët e hershme të emigrantëve shqiptarë, në Columbia (University) kjo gjuhë u mësua me ndërprerje, prej vitit 1932 deri në vitet ‘60. E vlerësuar si një ndër gjuhët më të vështira për t’u mësuar, shqipja mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane, përfshirë Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry në New York.

E standardizuar në vitin 1972, shqipja ka dy dialekte kryesore, të kuptueshme reciprokisht – gegën veriore dhe toskërishten jugore – si dhe disa nëndialekte dhe variante të tjera. Ajo përbën një degë të veçantë në trungun e familjes së gjuhëve indoevropiane dhe ka një gramatikë komplekse me pesë rasa dhe gjashtë mënyra, përfshirë edhe atë habitore, e cila përdoret për të shprehur habinë a një gjendje të papritur. Përveçse është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe gjuha zyrtare e shumicës në Kosovë, ajo flitet nga komunitetet pakicë edhe në vende të tjera të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë dhe Bullgarinë, Greqinë, Italinë dhe Turqinë.

Faton Limani, administrator i studimeve pasuniversitare në Departamentin e Letërsisë Krahasuese, bashkëpunoi me Stathi Mishon për të gjetur një vend ku do të zinin vend kurset e kësaj gjuhe. Kur shpërtheu pandemia, ai dhe gruaja e tij themeluan një program online shqip për fëmijët që nuk kishin qasje në mësimin e kësaj gjuhe. Tani, në kursin e ri ai u mëson shqip studentëve të Harvardit. Ai ka thënë se kursi ka për qëllim të sigurojë që kushdo që dëshiron të mësojë shqipen ta ketë mundësinë.

Sipas marrëveshjeve ndërmjet Fakultetit të Arteve dhe Shkencave të Harvardit dhe universiteteve të tjera, studentët nga Brown, Tufts dhe MIT kanë të drejtë të regjistrohen në këtë kurs. Megjithatë, shpresa është që programi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe nivelet e tjera të shqipes: atë të mesme dhe të avancuar. Me një ofertë të kursit të plotë, studentët që janë të interesuar të testojnë veten në mësimin e gjuhës shqipe, jashtë kursit të gjuhëve të huaja, mund ta bëjnë këtë në Harvard, pa pasur nevojë për një provim paraprak.

Nader Uthman, drejtor i programit të gjuhëve moderne të NELC, ka mbështetur iniciativën për futjen e shqipes, duke përmendur kërkesat e studentëve.

“Shpesh zbulojmë se interesat e studentëve tanë në LCTL (gjuhët më pak të mësuara) kanë të bëjnë me interesat e tyre akademike, kuriozitetin për kulturat e ndryshme ose trashëgiminë e tyre”, ka thënë ai nëpërmjet e-mailit. “Duke u ofruar mundësi të tilla, studentët tanë mund të bëhen qytetarë globalë duke zgjeruar aftësitë e tyre kulturore, aftësinë për të ndërmarrë kërkime të pavarura (dhe) për të ndjekur një shumëllojshmëri më të gjerë opsionesh për karrierë.”

Mbështetja institucionale për gjuhët e veçanta, të vogla dhe më pak të mësuara, është më e vështirë. Ka më shumë se gjashtë milionë shqipfolës vetëm në Evropën Juglindore dhe një diasporë e madhe e shpërndarë në të gjithë globin, përfshirë 200 mijë në Shtetet e Bashkuara. Për familjet më të reja dhe për shqiptarët e gjeneratës së parë dhe të dytë, qasja në arsimimin gjuhësor është tejet e rëndësishme. Ndërtimi dhe ruajtja e aftësive në gjuhët e vogla janë tashmë sfiduese, veçanërisht kur mungojnë burimet dhe mbështetja institucionale.

Perspektiva që NELC të organizonte një kurs të gjuhës shqipe i kishte shkuar në mendje Stathi Mishos në ditën e saj të parë si koordinatore studentore, shumë kohë përpara se Cosovic të bënte kërkesën formale.

“Si shqiptare, më gëzon shumë të shoh shqipen në katalogun e kurseve”, ka thënë ajo. “Është një ëndërr e realizuar.”

Për Cosovic, ruajtja e lidhjes me trashëgiminë e saj është e rëndësishme dhe një ditë do të donte që fëmijët e saj të flisnin shqip. Përveç ndihmës në krijimin e sigurisë në të folurin e kësaj gjuhe, për të kapërcyer hendekun midis dialektit të familjes së saj dhe formës standarde të gjuhës, ky kurs po e përgatit atë edhe për një praktikë jashtë vendit. Këtë verë ajo do të punojë me kryeministrin shqiptar dhe do të gjurmojë mbi zhvillimin ekonomik dhe ndërkombëtar në Shqipëri.

Përveçse për t’u shërbyer fëmijëve të diasporës, synimi është që kurset e shqipes do të ndihmojnë më gjerësisht edhe studentët e tjerë që kërkojnë të përmbushin kërkesat lidhur me mësimin e një gjuhe të huaj dhe që shkollat e tjera të ndjekin përfundimisht shembullin e Harvardit.

Marrë nga “Harvard Magazine”. Përktheu: Mirjetë Sadiku