Njohës të çështjeve politike numërojnë pasojat potenciale për Kosovën, nëse ajo nuk do të tregohet konstruktive në dialog. Në mesin e tyre listojnë mundësinë e privimit nga liberalizimi i vizave, nga procesi i anëtarësimit në BE dhe organizata ndërkombëtare e edhe privimin nga mbështetja financiare ndërkombëtare.
Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në dialog, njohës të çështjeve politike numërojnë pasojat potenciale.
Në mesin e tyre listojnë mundësinë e privimit të Kosovës nga liberalizimi i vizave, procesi i anëtarësimit në BE dhe organizata ndërkombëtare e edhe privimi nga mbështetja financiare ndërkombëtare.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se kushtëzimet e tilla janë të pritshme.
“Zhvillime të tilla janë plotësisht të pritshme në ditët, javët dhe muajt në vijim, para së gjithash për çështjen e liberalizimit, pastaj për aplikimin tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pastaj për mbështetjen ndërkombëtare me theks të veçantë nga BE-ja. Po flas për mbështetje financiare, mbështetje të projekteve të caktuara etj. etj. Të gjitha këto janë elemente mbi të cilat mund të mbështetet shtytja apo trysnia e BE-së në javët në vijim”, ka thënë Hoti.
Kryeministri Kurti ka theksuar se në procesin e dialogut Kosova është duke u treguar konstruktive e kreative. Por, në opozitë e thonë të kundërtën. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se qëndrimet e Kurtit janë duke e dëmtuar Kosovën.
“Kurti është njeri i gabuar për Kosovën në këtë kohë. Ai po i rrit pasojat për Kosovën. Amerika po e bën zjarrfikësin. Amerika vetëm po mundohet të sanojë dëmet e Kurtit. I sanoi në veri disa herë, po i sanon me politikën e tij të gabuar duke thirrur takimin tash për Asociacionin dhe munduar të nxjerrë Kosovën me një far fytyre në këtë proces. Ky po ia shkakton dëme të mëdha Kosovës, të njëpasnjëshme në planin strategjik, pasi e ka sjellë Kosovën në palë të papërgjegjshme”, ka thënë Haradinaj.
Bazuar në qëndrimet publike, kryeministri Kurti është kundër që në negociatat që duhet zhvillohen konform planit franko-gjerman, njohja të mos jetë në qendër. E krahas kësaj, refuzon të ndërmarrë veprime për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Pas qëndrimit të ngurtësuar, Ambasada amerikane ka ftuar për një takim në javën e ardhshme përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile për të diskutuar për Asociacionin, por ftesë nuk i ka bërë edhe kryeministrit.
Profesori Afrim Hoti ka thënë se kjo përbën një mesazh.
“Mendoj që pozicioni i kryeministrit ose të paktën i Qeverisë reflektohet mbi këtë pozicion të Ambasadës amerikane, siç duket ata tashmë janë të bindur me qëndrimin e z. Kurti dhe dëshirojnë të ecin më tutje pa të”, ka thënë Hoti.
Për takimin për Asociacionin, Ambasada ka dërguar ftesë në Presidencë, te partitë politike të opozitës, por edhe te i vetmi ministër serb që është pjesë e kabinetit qeveritar.