Vendimi i Serbisë, që të mos u bashkohet shteteve të tjera në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, ka marrë kritika të shtunën, por veçmas është kritikuar loja e dyfishtë e saj. Përveç Serbisë, është kritikuar edhe Ambasada e SHBA-së në këtë shtet, e cila e ka “përshëndetur” atë për qëndrimin karshi pushtimit rus të Ukrainës
Mbështetja e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës, por pa sanksione e pa dënuar agresionin rus, përgëzimi i saj nga Ambasada e SHBA-së në Beograd, ka nxitur reagime të shumta.
Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa shpalosi qëndrimin e shtetit të tij deklaroi se Serbia e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës. Por, përkundër kësaj nuk do t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, siç bënë vendet e tjera.
“Si mendoni, se ne thjesht do të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse brenda natës, e cila është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj nesh në vitet ‘90, që nuk vendosën sanksione ndaj Republika Srpskës”, deklaroi Vuçiq, në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Pak minuta pas përfundimit të konferencës – e cila jo pak i ngjau edhe fushatës zgjedhore bashkë me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, në krahun e djathtë të Vuçiqit, që sërish kandidon për president në zgjedhjet e prillit – SHBA-ja nëpërmjet ambasadës së saj në Beograd, ka thënë se e përshëndet “qëndrimin e përsëritur” të Serbisë e të presidentit, përderisa e lë të pakuptueshme se kujt ia faturon përshëndetjen “për cenimin ilegal të territorit” ukrainas. Në pikën pesë të vendimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të prezantuar të premten, Serbia është zotuar se “mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”. Në asnjërën prej 14 pikave të vendimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk i dënon sulmet e Rusisë e aq që merret me to. Është kritikuar edhe “përshëndetja” e SHBA-së.
Jakshiq: Veprimi i Vuçiqit rrezikon edhe qëndrimin e tij për Kosovën

Gazetari Boshko Jakshiq, ish-kryeredaktor i Politikës së Jashtme në të përditshmen serbe “Politika”, ka thënë se presidenti i Rusisë e ka futur në probleme “mikun e tij në Beograd”, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk di si të dalë prej tyre përderisa Serbia në skenën ndërkombëtare të rajonit po izolohet si rrallëherë në dekadat e fundit.
“Vuçiqi përdori maksimumin e aftësive balancuese, kështu që ai përsëriti mbështetjen e Serbisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por shmangu dënimin e qartë të agresionit rus. Ai u kufizua në vlerësimin se pushtimi ushtarak i Moskës ishte ‘shumë i gabuar’, duke e bërë Serbinë, së bashku me Bjellorusinë, të vetmin vend evropian që shmangi dënimin pa mëdyshje të agresionit dhe njohjen nga Rusia të ‘pavarësisë’ së dy ‘republikave të vetëshpallura popullore’, në Ukrainën lindore”, ka thënë Jakshiq për KOHËN.
Jakshiq ka shtuar se me veprimin e tij, Vuçiqi ka rrezikuar edhe qëndrimin e tij për Kosovën, derisa shton pyetjen se si i njëjti mund “të kritikojë perëndimin për shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe të refuzojë të dënojë Rusinë”. “A mundet të jetë fare legjitim dhe i besueshëm kundërshtimi rus i pavarësisë së Kosovës nëse Moska ka pranuar ‘pavarësinë’ e ‘republikave popullore’ të shkëputura ukrainase, të Donjeckut dhe Luganjskut dhe haptazi ta përkrahë separatizmin? A mendohet ndopak në Beograd për mundësinë që Rusia, për interesa të veta, pavarësisht krejt zotimeve për përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit, nesër ta njohë Kosovën?”, ka pyetur ai.
Gazetari serb, thotë se qëndrimi i Serbisë për të mos iu bashkuar perëndimit në sanksionimin e Rusisë, ka qenë i sigurt, dhe se njëjtë ka vepruar edhe vite më parë. Jakshiq, thotë se një nga arsyet për mosvendosjen e sanksioneve është varësia që Serbia ka nga gazi rus. “Mund të ketë ndonjë justifikim racional për mosvendosjen e një sanksioni, kryesisht në kuptimin energjetik, duke pasur parasysh shkallën e varësisë së Serbisë nga gazi rus. Beogradi llogarit se duke refuzuar sanksionet, do të marrë gazin me ‘çmim vëllazëror’”. “Gota është gjysmë e mbushur, gjysmë bosh dhe të gjithë zgjedhin atë që është më e rëndësishme për ta. Për momentin, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur të lavdërojnë mbështetjen e Vuçiqit për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por Serbia me refuzimin që ta dënojë agresionin rus, ka rrezikuar pozicionin e saj gjeostrategjik dhe integrimin evropian. Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, kanë bërë të ditur tashmë se nuk e pëlqejnë afrimin barkazi të Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Nuk është më koha e tolerancës që Angela Merkel kishte ndaj Vuçiqit, i cili tash do të përballet ende me presione”, ka thënë ai.
Joseph: Serbia proruse e prokineze, po kalon pa pasoja

Pas deklarimit të Vuçiqit se nuk do të sanksionojë Rusinë dhe se mbështet integritetin territorial të Ukrainës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur dhe “përshëndetur” qëndrimin e tij.
Një gjë e tillë, është kritikuar nga ish-diplomati amerikan, Edward Joseph, i cili ka thënë se qëndrimi i Vuçiqit është për interesa të Beogradit dhe se Ambasada amerikane në këtë shtet është dashur të heshtë. Joseph shkroi se pas pushtimit të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të duhej të ndryshonin qëndrimin perëndimor, për shkak të ndarjeve evropiane për Kosovën, pasi një gjë e tillë ka funksionuar mirë për Rusinë.
“Tani është koha për të ndryshuar kursin, me hapa praktikë. Ambasada e SHBA-së në Serbi e lavdëron ‘mbështetjen e Vuçiqit për integritetin territorial të Ukrainës’, kur ky në fakt është një qëndrim për interesat e Beogradit, pasi që ngre paralele të rreme me Kosovën. Kina po ashtu përdor argumentin e ‘integritetit territorial’, por SHBA-ja, me të drejtë, nuk e lavdëron Pekinin”, ka shkruar ndër të tjerash Joseph në Twitter.
Një ditë më vonë, Joseph ka thënë se kriza në Ukrainë nuk i shkon për shtat presidentit Vuçiq, i cili provon të balancojë midis Lindjes dhe Perëndimit, “apo atë që Vuçiq e quan baraspeshë e që është e rrejshme e që në fakt është mbajtja e kursit prorus dhe prokinez”.
Ai ka thënë se përkundër kësaj, Serbia po kalon pa pasoja.
“Sipas meje, thelbi është se Vuçiqi është i ulur në një karrige e shtiret sikur është në dy”, ka thënë për “Zërin e Amerikës”, Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins” në Washington.
Qëndrimin serb e ka kritikuar edhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, derisa ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet “e përkëdhelura e Brukselit”.
“Ndonëse shtet kandidat, që negocion anëtarësimin në BE, Serbia zbaton vetëm 43 për qind të politikës së jashtme të BE-së. Përkundër kësaj, Këshilli Evropian, në samitin e fundit në dhjetorin e kaluar, shpërbleu vetëm Serbinë me hapje të kaptinave të reja negociuese! Serbia po dëshmon se është pjesë e Unionit Euro-Aziatik, por larg Unionit Evropian”, ka shkruar ai.
Mundësitë që Rusia të tentojë kriza në Kosovë
E situata në Ukrainë, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, mund të bëjë që Rusia të tentojë të krijojë kriza të reja, madje edhe në veri të Kosovës. Quni ka thënë se për çfarëdo veprimi e qëndrimi, institucionet e Kosovës duhet të koordinohen me partnerët.
“Nëse e llogarisim miqësinë tradicionale në mes të Serbisë dhe Rusisë është e natyrshme që të pritet ndonjë veprim dhe zhvillim, i cili mund të tensionojë situatën edhe në veri të Kosovës, por edhe më gjerë”, ka thënë Quni, derisa ka shtuar se situata duhet të jetë “në mbikëqyrje më të vëmendshme”.
Rreth përpjekjeve ruse për destabilizimin e Ballkanit ka folur edhe ish-diplomati britanik, Timothy Less. Sipas tij, veprimet e Rusisë varen nga mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë. Less ka thënë se thotë se Rusia ka dy synime në Ballkan. “Njëra është të bllokojë zgjerimin e NATO-s dhe tjetra është të krijojë probleme për Perëndimin, duke ruajtur një nivel të ulët të destabilitetit, veçanërisht në Bosnje, Serbi dhe Kosovë”. Sipas tij, këto synime mund të arrihen duke “i mbështetur serbët në përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjet e tyre të pazgjidhura kombëtare”.
Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në orët e para të 24 shkurtit, është dënuar nga shtetet perëndimore e vendet e rajonit, si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kroacia. Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian për sanksionimin e Rusisë, iu bashkua edhe Kosova. Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të premten, u miratuan masat sanksionuese. Sipas kryeministrit Albin Kurti, e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, sanksionet ndër të tjerash përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve e ndalimin e qasjes së tyre në tregje financiare.