Mbetjet radioaktive të Klinikës së Mjekësisë Nukleare në QKUK, në mungesë të një depoje të posaçme, tash e 13 vjet ruhen në njërin nga laboratorët e kësaj klinike.
Drejtori i Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu, thotë se në mungesë të një alternative adekuate nga autoritetet, detyrohen që këto mbetje t’i mbajnë në klinikë.
“Ne të gjitha këto mbetje radioaktive i kemi këtu në Mjekësinë Nukleare, sepse nuk kemi ku t’i dorëzojmë në shtet. Shteti ynë ende nuk e ka një depo kryesore në nivel të Republikës ku do të ruheshin mbetjet radioaktive”, ka thënë Spahiu.
Molibden Tekneciumi, jodi 131 dhe jodi 123 janë materie me veti rrezatuese që përdoren në këtë klinikë për të kryer fotografime e incizime të pjesëve të trupit.
Fizikani i Klinikës, Ylli Kaçiu, shtron nevojën që institucionet të krijojnë mekanizma të posaçëm që do të merreshin me menaxhimin e mbetjeve radioaktive.
Sipas tij, mostrajtimi i tyre ka krijuar problem edhe me zënien e hapësirave. Thotë se me vetiniciativë kanë nisur ta ndajnë materialin radioaktiv nga pjesa tjetër e parrezikshme.
“Kemi pasur shumë hapësira të zëna nga gjeneratorët të cilët janë ruajtur që nga vitit 2010, në bashkëpunim me drejtorin dhe udhëheqësit e Klinikës, kemi kërkuar të na jepet mundësia që t’i demontojmë dhe materialin që është i riciklueshëm që është diku mbi 98% të gjeneratorit ta largojmë dhe t’i ruajmë vetëm kolonat, në mënyrë që të krijojmë hapësirë që mund të shfrytëzohet për pacientë, për shkak se këto mbetje kanë zënë një hapësirë goxha të madhe”, ka deklaruar Kaçiu.
Materiet radioaktive që përdoren në Mjekësinë Nukleare, ndonëse me kalimin e kohës u zvogëlohet niveli i rrezatimit, ato asnjëherë nuk mund të konsiderohen se kanë humbur krejtësisht vetitë radioaktive.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë formuar grupe për të përpiluar planin e menaxhimit të mbetjeve mjekësore, përfshirë edhe ato radioaktive.
“Me vendimin e datës 28.2.2023 është formuar grupi kyç dhe nëngrupet për hartimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për menaxhimin e mbetjeve mjekësore, si dhe me vendimin e datës 28.4.2023 është formuar grupi punues për hartimin e PSO-ve për menaxhimin e mbeturinave medicinale (janë finalizuar 7-të PSO e ndër to edhe PSO-ja për Menaxhimin e mbetjeve radioaktive)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se mënyra se si menaxhohen mbetjet radioaktive në Mjekësinë Nukleare nuk paraqet rrezik, as për stafin e as për pacientët. Megjithatë, në përgjigjen nga kjo ministri thuhet se gjetja e një zgjidhjeje për këto mbetje është prioritet.
“Ne si institucion në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje që çështja e magazinimit(deponimit) të mbetjeve radioaktive të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Kjo çështje është në prioritet të institucioneve, sepse kemi të bëjmë me çështje të ndjeshme. Por si në gjithë botën edhe në Evropë dhe në rajon çështja më problematike është gjetja e lokacionit të përshtatshëm, sepse deri më tani çdo lokacion që është propozuar ka hasur në reagim të komunave, qytetarëve dhe shoqërisë civile”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për KOHËN.
Sipas mjekëve, ekspozimi në nivele të larta të rrezatimit rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit dhe çrregullimeve gjenetike.