Prishtinë, 24 shkurt - Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka premtuar rritje të fondeve për skemën sociale në Kosovë. Kandidati për kryeministër i këtij subjekti, Albin Kurti, ka planifikuar mbështetje sociale për kategori të ndryshme në Kosovë e cila, sipas përfaqësuesve të biznesit dhe të ekspertëve, nuk mund të realizohet pa heqjen dorë nga një varg shpenzimesh në investime kapitale.
programin e saj Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë dhënien e shtesave prej 20 eurosh për fëmijët nën moshën 2-vjeçare, ndërsa shtesa prej 10 eurosh për fëmijët nga 2 deri në 16 vjeç. Gjithashtu Kurti është zotuar se familjet me të ardhura vjetore të ulëta do të rimbursohen nga shteti. Nga 50 euro është paraparë të ndahen për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro në vit. Kurti gjithashtu është zotuar se të gjitha grave lehona të papuna do t’u jepet pagë minimale prej 250 eurosh (aq sa kanë planifikuar ta rrisin pagën minimale), për 6 muajt e parë të lehonisë. Ndërsa për të punësuarit, pushimi i lehonisë dhe ai prindëror do të jetë 12 muaj, ku pjesëmarrës për pagesën do të jetë edhe shteti, dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit. Gjithashtu brenda programit qeverisës parashihen edhe shujta për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për të gjitha këto premtime, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se kanë bërë llogaritë buxhetore dhe llogaritje të kohës se kur mund të realizohen.
“Është bërë llogaritja dhe kur të konstituohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe pas miratimit të programit qeverisës do të paraqiten dhe veprimet konkrete buxhetore për realizimin e këtij zotimi”, thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes.
Sipas një kalkulimi të përafërt bazuar në të dhënat që posedon ASK-ja, vetëm për shtesat e fëmijëve dhe pagesat për gratë lehona të papuna, shpenzimeve vjetore të skemës sociale prej rreth 500 milionë eurosh do t’i shtoheshin edhe 100 milionë të tjera, pa llogaritur edhe premtimet e tjera të planifikuara të realizohen nga partia fituese.
Shtesat për fëmijët dhe paga minimale për lehonat
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2019 në Kosovë kanë lindur rreth 21.899 foshnja. Shtesat e parapara prej 20 eurosh për 21.899 fëmijë brenda një viti do të kenë kosto prej 10 milionë e 511 mijë eurosh. Pa numëruar këtu që ato do të paguhen për dy vjet dhe që skemës prej 20 eurosh i shtohet numër gati se i njëjtë për çdo vit pasardhës.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë nga ASK-ja më 2011, në Kosovë jetojnë 557.287 fëmijë deri në moshën 16-vjeçare. Nëse marrim parasysh këtë shifër, pa hequr ose shtuar fëmijë që kanë lindur më pas dhe ata që kanë kaluar moshën 16-vjeçare, atëherë brenda një viti, për shtesa prej 10 eurosh për secilin fëmijë shteti duhet të paguajë rreth 66 milionë e 874 mijë euro.
Sa i përket pagesës së grave lehona të papuna, me pagë prej 250 eurosh për gjashtë muaj, bazuar në shifrat e fundit të ASK-së, brenda vitit 2019, 21 mijë e 588 gra kanë lindur fëmijë. Nëse marrim për bazë shifrat e ASK-së del se rreth 13.9% e grave kanë qenë të punësuara. Nga krahasimi i kësaj përqindjeje me numrin e grave që kanë lindur del se 18.587 gra që kanë lindur brenda një viti kanë qenë të papuna. Pagesa e tyre për gjashtë muaj me një pagë minimale për 250 euro buxhetit të shtetit do t’i kushtonte 27 milionë e 880 mijë.
Skema sociale vetëm për këto tri kategori që synojnë të shtohen brenda një viti, buxhetit i faturohet me mbi 105 milionë euro. Sipas statistikave të mirëqenies sociale të gushtit të vitit të kaluar, në Kosovë rreth 376 mijë e 256 persona përfitojnë nga skemat sociale dhe pensionale dhe për ta çdo vit ndahet rreth 20 për qind e buxhetit të vendit.
Ndikimi në shpenzimet kapitale
Sipas ekspertëve, zotimet e VV-së mund të hasin vështirësi në realizim duke marrë parasysh rënien ekonomike të vendit prej 6 për qind nga pandemia COVID-19 dhe buxhetin e kufizuar të shtetit, i cili për vitin 2021 ka qenë 2.4 miliardë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerëson se premtimet mund të jenë të realizueshme nëse përmbushen në kurriz të shpenzimeve kapitale.
“Premtimet të cilat janë bërë gjatë fushatës zgjedhore, sidomos ato që kanë të bëjnë me rritjen e skemave sociale, natyrisht që mund të realizohen por mund të realizohen në dëm të shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve të tjera prej të cilave do të mund të përfitonte sektori privat, i cili do të duhej të ishte bartësi i zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijuesi i vetëm i vendeve të punës në këtë shtet”, ka thënë Zeka.
Nëse ndiqet një praktikë e tillë, sipas Zekës, sektorit privat do t’i zvogëlohej qarkullimi e që rrjedhimisht do të zvogëlohej edhe pagesa e tatimeve. Kjo, thotë Zeka, do të mund të krijonte nevojë të shtetit që në dy-tre vjetët e ardhshëm të ngrihen edhe normat tatimore.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i institutit “Riinvest”, Alban Hashani, thotë se skemat sociale duhet të dizajnohen me shumë kujdes për arsye se implikimet janë të mëdha për buxhetin e Kosovës, si dhe, në anën tjetër, e rrisin edhe koston e implementimit të tyre.
“Ato e kanë një efekt në konsum, mirëpo problemi qëndron në atë se zhvillimi ekonomik i cili bazohet në konsum nuk është burim i qëndrueshëm. Pra, me fjalë të tjera, ne duhet të sigurohemi se kemi rritje ekonomike e cila vjen prej burimeve të tjera dhe jo nga rritja e konsumit”, ka thënë ai.
Në lidhje me pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, që në total pritet të jetë 12 muaj dhe ku këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit, Hashani thotë se duhet të ketë dialog të instancave shtetërore me sektorin privat, meqë shteti nuk do ta marrë përsipër tërë pagesën, por do të jetë pjesëmarrës.
“Përfshirja e pushimit prindëror në program qeverisës mendoj që është hap i mirë për arsye se ai duhet të vështrohet në kontekst të krijimit të një mjedisi sa më të barabartë në mënyrë që gratë të mos diskriminohen në tregun e punës. Barra e pushimit për të dy prindërit bie gjithashtu mbi sektorin privat dhe kjo besoj se mund të balancohet me një dialog konstruktiv, por edhe me një përfshirje më të madhe të Qeverisë”, ka përfunduar ai.