Arbëri

Rrezik që Misioni diplomatik i Kosovës të interpretohet si mekanizëm i brendshëm i Serbisë

Kalimi në fazën e vendosjes së misioneve diplomatike të përhershme pas ujdisë së para 10 vjetëve për shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës po synohet të bëhet në kuadër të propozimit të Bashkimit të Evropian, për të cilin diskutimet do të vijojnë. Por njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Beogradi zyrtar mund ta interpretojë Misionin diplomatik të Kosovës si mekanizëm të brendshëm të saj, duke iu referuar faktit se propozimi i BE-së përcakton që selitë e misioneve të vendosen në qeveritë përkatëse

Hap përpara nga koncepti i zyrave ndërlidhëse po konsiderohet neni i propozimit evropian për shkëmbimin e misioneve diplomatike mes Kosovës e Serbisë, megjithëse jo në karakterin e ambasadave, ashtu siç e përcaktojnë konventat ndërkombëtare.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e përjashtojnë mundësinë që Misioni i Kosovës në Qeverinë e Serbisë të interpretohet si mekanizëm i brendshëm i saj.

“Në Serbi, nuk do ta përjashtoja mundësinë e interpretimit të Misionit të Përhershëm të Kosovës si mekanizëm të brendshëm (përbrenda Serbisë), madje edhe të implikonte në punë të tilla të ashtuquajturën 'Ministri për Kosovë dhe Metohi'. Kjo synon të zvogëlojë kritikat e brendshme për njohje të nënkuptuar dhe gjithashtu të mbajë një pozicion të pabarabartë dhe të paqartë ndaj Kosovës. Në Kosovë, Misioni i Përhershëm i Serbisë ka të ngjarë të trajtohet si misionet e tjera diplomatike dhe të kanalizojë komunikimet zyrtare përmes MPJD-së dhe organeve të tjera qeveritare qendrore përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë”, ka thënë Gëzim Visoka, profesor në Dublin.

Visoka ka shtuar se në përgjithësi nocioni i misioneve të përhershme dhe analogjia me traktatin bazë ndërmjet dy Gjermanive tregojnë se Neni 8 nuk është njohje e qartë reciproke dhe as vendosje e marrëdhënieve diplomatike.

“Në përgjithësi, është një marrëveshje që do të sigurojë një paqe të paqartë për të paktën një dekadë tjetër në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për marrëveshje të tjera të favorshme për palët. Në rastin më të mirë, kjo marrëveshje mund të jetë e dyta nga tri marrëveshjet që do të kërkoheshin për zgjidhjen e konfliktit të shtetësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në rastin më të keq, mund të jetë një marrëveshje që do të ngrijë konfliktin me potencialin për të bllokuar dhe përmbysur aspiratat e Kosovës për konsolidim të brendshëm dhe të jashtëm shtetëror”, ka thënë Visoka.

Aktualisht Kosova e ka Zyrën Ndërlidhëse në Serbi, e cila është e vendosur në objektin e Delegacionit të Bashkimit Evropian.

Më 4 dhjetor të vitit 2012 Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh për këmbimin e oficerëve ndërlidhës. Por të pakta kanë qenë edhe informatat e Qeverisë së Kosovës për aktivitetet e kësaj zyre, përveç aranzhimit të vizitave të zyrtarëve të Kosovës në Serbi.

Ndërkaq tek pas 10 vjetësh u shënua Përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës brenda kësaj zyre.

Me ftesë të ambasadorit Jetish Jashari, përveç përfaqësuesve institucionalë e politikë të Luginës së Preshevës, prezentë ishin edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Beograd dhe ata të misioneve diplomatike ndërkombëtare.