Arbëri

Rimbursimi i Trustit për një pjesë të kontribuuesve krijon pabarazi sociale

Amendamentet e propozuara nga PDK-ja për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike kanë kaluar edhe në dy komisione parlamentare gjatë ditës së enjte. Partitë në pushtet kanë përkrahur idenë e PDK-së për rimbursim të tërheqjes së 10 për qind të Trustit për ata që kanë nën 10 mijë euro kursime, edhe pse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, më herët kishte deklaruar se kjo është shkelje e Kushtetutës pasi krijon pabarazi sociale. Ky projektligj pritet që të premten në seancë të jashtëzakonshme, të ftuar nga PDK-ja, të shqyrtohet në lexim të dytë nga Kuvendi

Partia Demokratike e Kosovës me kërkesën për rimbursim të 10-përqindëshit të tërhequr nga Trusti për ata që kanë më pak se 10 mijë euro të kursyera, është kthyer në idenë fillestare që kishte Qeveria Hoti.

Megjithatë, kjo ide ishte tërhequr pasi ministrja Hykmete Bajrami kishte thënë se është shkelje e Kushtetutës pasi, siç ka thënë ajo, krijon pabarazi sociale.

Këtë vlerësim Bajrami e kishte thënë në emisionin “Desku” në fund të shtatorit, kur ishte pyetur për kompensim të tërheqjes së 10 për qind të Trustit.

Por partitë në pushtet në komisionet parlamentare kanë përkrahur amendamentin e PDK-së, që parasheh një gjë të tillë. Ai pritet që të shqyrtohet në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet të premten, e iniciuar nga PDK-ja.

Sipas të dhënave të Trustit janë mbi 585 mijë persona që kanë nën 10 mijë euro kontribute.

Por, sipas Institutit GAP, kjo politikë nuk i ndihmon të papunët dhe punëtorët në tregun joformal, por vetëm ata që kanë paga relativisht të mira.

Berat Thaçi, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se kritika e tyre ka qenë edhe më herët që shtresat më të cenueshme ekonomike, si sektori joformal dhe të papunët nuk do të përfitojnë nga kjo masë.

Sipas tij, me idenë e rimbursimit të personave që kanë deri në 10 mijë euro në Trust gjendja përkeqësohet më shumë sa i përket këtij aspekti.

“Ta zëmë, një person që ka rrogën 1 mijë euro dhe punon qe 8 vite me atë pagë, ai mund të rimbursohet për kontributet e tërhequra të 10- përqindëshit, por nuk mund të rimbursohen personat e papunë dhe ata që kanë qenë të punësuar në sektorin joformal”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë masë nuk rimbursohen as ata që kanë pasur një pagë 450 euro, mirëpo kanë kontribuuar më shumë se 20 vjet, pasi kalon kufirin e kursimeve mbi 10 mijë euro.

“Si politikë mund t’i rimbursojë disa persona që janë relativisht të rinj e që kanë punuar me paga të mira, mirëpo i penalizon personat që punojnë një kohë të gjatë, mirëpo kanë paga relativisht të ulëta dhe personat që nuk kanë kontribuar fare në Trust, të papunët dhe punëtorët joformalë”, ka thënë ai.

Sipas një analize të GAP-it nga kjo politikë do të përfitojnë më shumë burrat sesa gratë, pasi 67 për qind e kontributpaguesve në Trust janë burra dhe vetëm 33 për qind janë gra.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte shprehur kundër politikës për tërheqjen e mjeteve të Trustit, pasi, siç pati thënë, kjo varfëron pensionet e qytetarëve.

Me propozimet e PDK-së, që kanë kaluar në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, nuk dihet kostoja e saktë e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe se a reflektojnë ato në buxhetin për vitin 2021, që pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvend.

“E dimë që pakoja e rimëkëmbjes do të përgjysmohet, efektivisht, rreth 150 milionë do të vihen për biznese, pasi 30 milionë janë për shëndetësi, ndërkohë propozimet e djeshme kishin shifra diku deri 200-300 milionë euro dhe nuk e dimë se si do të financohet kjo pako”, ka thënë Thaçi.

Përkundër vërejtjeve është mirëpritur përafrimi i qëndrimeve politike për kalimin e këtij projektligji.

Oda Ekonomike dhe ajo Ekonomike Amerikane kanë thënë se shtimi i vlerës monetare ndihmon në adresimin e kërkesave të bizneseve dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

“Prandaj, OEAK-u dhe OEK-u u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mbështesin Projektligjin në seancën e nesërme kur Projektligji pritet që të votohet në lexim të dytë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Në të njëjtën kohë, të dyja odat ekonomike kërkojnë që sa më shpejt të jetë e mundur të kryhen përgatitjet e platformave përkatëse, si dhe të përpilohen kriteret për shpërndarjen e përkrahjes financiare dhe zbatimin e masave të tjera të parapara me projektligj, në mbështetje të qytetarëve dhe ndërmarrjeve.

Projektligji për rimëkëmbje ka pesë muaj që është miratuar në Qeveri, por që nuk ka arritur që të kalohet në Kuvend. Vetëm në lexim të parë, partitë në pushtet shtatë herë kanë tentuar ta kalojnë këtë projektligj.

Projektligji ka 13 nene, dhe është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021. Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, Projektligji parasheh ndryshime në TVSH e tatime në të ardhura për korporata.

Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër identifikues të fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.

Ndër çështjet më të përfolura ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Sipas Qeverisë, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.

Ndryshime është paraparë të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18 për qind në tetë, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.

Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.

Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore, synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.