Arbëri

Retorika e Vuçiqit në raport me Kosovën – fushatë zgjedhore

Zhvillimet e fundit, sikurse ajo për moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë e suspendimi i gjyqtares që mori pjesë në Këshillin e Sigurisë në Serbi, ende nuk dihet se çfarë ndikimi do të kenë në bisedimet mes dy shteteve. Në anën tjetër, sipas njohësve të dialogut e politikës së jashtme, ashpërsimi i retorikës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është duke u bërë për efekt elektoral, derisa kanë mbetur edhe një javë nga zgjedhjet presidenciale e parlamentare, që do të mbahen më 3 prill

Shkelës të Marrëveshjes së Brukselit bashkë me të tjera akuza, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka shpeshtuar në adresë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e të Qeverisë së tij. Kësisoj veçmas pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, pasi mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë.

Por, deklarime të tilla të Vuçiqit, vlerësohet se janë duke u bërë për efekt elektoral, disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Emir Abrashi, njohës i politikës së jashtme, ka thënë se kjo retorikë e Vuçiqit do të qetësohet pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Pala serbe, por jo vetëm pala serbe, rajoni i Ballkanit kudo që mbahen zgjedhjet ka rëndom ngritje të toneve nacionaliste nëpër fushata e rrjedhimisht ato tone më pas qetësohen pas përfundimit të zgjedhjeve. Pra, në këtë aspekt unë nuk shoh se do të ketë ndonjë kthim prapa sa u përket marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në anën tjetër nëse duhet të ketë kthim prapa për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve të Brukselit, atëherë duhet të bëhet nga pala kosovare për shkak se është pala serbe ajo e cila gjatë gjithë kohës i ka shkelur marrëveshjet e arritura në Bruksel”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, përkundër marrëveshjeve të arritura, në dialog asnjëra nga palët nuk ka pasur qasje serioze dhe si rrjedhojë, ai është duke zgjatur për më shumë se një dekadë.

“Ne duhet të afrohemi drejt një finaleje dhe për ta bërë këtë ne duhet të jemi seriozë që të dyja palët, edhe Kosova edhe Serbia. Deri më tani nuk ka pasur seriozitet as nga pala kosovare dhe as nga pala serbe. Ka pasur deklarime të cilat nuk i bëjnë procesit të dialogut e mirëbesimit ndërmjet palëve, mirëpo i hedhin benzinë zjarrit”, ka thënë ai.

Sipas Abrashit, Kosova nuk ka ditur që ta shfrytëzojë koordinimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Në këtë aspekt ne kemi edhe një koordinim të cilin nuk e kemi pasur më parë, mes SHBA-së dhe BE-së e të cilin ne nuk po dimë ta shfrytëzojmë dhe nuk po arrijmë ta materializojmë”, ka thënë ai.

Duke iu referuar takimeve të fundit në kuadër të dialogut, të cilat nuk janë zhvilluar mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, por vetëm me BE-në, Abrashi ka thënë se një gjë e tillë i shkon për shtat më shumë Serbisë sesa Kosovës.

“Deri më tani, nuk ka seriozitet në procesin e dialogut, po shkohet për t’u dialoguar me ndërmjetësuesin, por jo edhe me palën për të cilën duhet të dialogohet dhe normalisht kjo i shkon në favor vetëm palës serbe. Sa më shumë që zgjat procesi i dialogut është në dëm të Republikës së Kosovës dhe këtë duhet ta kuptojë njëherë e mirë, është interes i Republikës së Kosovës që sa më parë të zgjidhet procesi i dialogut dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet”, ka thënë ai.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se ende nuk dihet se cili mund të jetë ndikimi i moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit edhe në Kosovë e suspendimi i gjyqtares Stevanoviq, në bisedimet midis dy shteteve.

“Për Bashkimin Evropian është me rëndësi të vazhdojë dialogu, por nuk dihet se si do të reflektohen zhvillimet e fundit. Serbia ka thënë se marrëveshja e Brukselit është e vdekur, por në anën tjetër vazhdojnë kontaktet me të dërguarin e posaçëm Lajçak. Ai tash po i mbush dy vjet në mandatin e tij dhe nuk ka rezultate për të treguar”, ka thënë Palokaj.

Palokaj ka thënë se pas zgjedhjeve në Serbi pritet të ketë intensifikim të bisedimeve në kuadër të dialogut.

“Presim që pas zgjedhjeve në Serbi gjithsesi të vazhdojë dialogu e ndoshta të ketë edhe një dinamikë të re sepse pakënaqësi me rezultatet e dialogut kanë të gjitha adresat edhe në shtetet kryesore të BE-së por e ka thënë edhe vetë përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme e Sigurisë, Joseph Borrell. Në këtë moment është herët të thuhet se si do të ndikojnë votimet në Serbi por edhe vendimi i Kosovës për të mos lejuar këto votime si dhe tensionimin i situatës në mesin e serbëve në Kosovë”, ka thënë Palokaj.

Të premten në Mitrovicën e veriut, por edhe në disa komuna të tjera me shumicë serbe, si në Graçanicë e në Shtërpcë, ka pasur protesta kundër suspendimit të gjyqtares serbe por edhe kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë. Protestat janë thirrur prej Listës Serbe. Goran Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, kishte thënë se ai dhe kryetarët e komunave, të gjithë zyrtarët e nacionaliteti serb dhe punëtorët e organeve të drejtësisë, nuk kanë shkuar në punë. “Në shenjë përkrahjeje për kryetaren e ndërruar të Gjykatës, Liliana Stevanoviq, prej sot edhe ata janë suspenduar dhe do të jetë kështu deri në momentin kur zonja Stevanoviq të kthehet në punë. Pra prej sot, edhe ne përfaqësuesit politikë që punojnë në institucionet kosovare, po ashtu jemi suspenduar dhe nuk do të punojmë a të kryejmë detyra, derisa sa nuk e kthejnë në punë kryetaren e Gjykatës”, kishte thënë ai teksa kishte akuzuar “Prishtinën për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit”.

“Nuk jemi ne ata që e shkelim Marrëveshjen e Brukselit, Prishtina po e shkel Marrëveshjen e Brukselit, z. Kurti po e shkel, z. Bislimi po e shkel atë. Dhe do të jemi pranë popullit tonë, do t’i përkrahim krejt gjyqtarët dhe të gjithë ata dhe punonjësit e institucioneve të tjera do të jenë praktikisht të suspenduar, deri kur krejt të kthehet në gjendjen e mëparshme”, kishte thënë ai teksa i ishte adresuar presidentit të Serbisë, “të vetmit që i beson”. “Edhe një herë: ‘President Vuçiq, ju lutem ndikoni te Evropa e te bashkësia ndërkombëtare, te Prishtina. Nuk jemi të frikësuar, president. Nuk mund të na frikësojnë. Ne jemi tonët në (vendin) tonë dhe do të jemi këtu”, kishte thënë Rakiq.

Protestat e së premtes, Branislav Kërstiq, analist politik serb nga veriu i Kosovës, i ka cilësuar si manipulim i serbëve lokalë. Sipas tij, manipulatorët janë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe. “Ky është një tjetër manipulim klasik i serbëve në Kosovë. Përfundimisht kemi një situatë ku hapet një çështje e thjeshtë, se cili ishte qëllimi i këtyre protestave dhe pse i detyruan njerëzit të dalin në rrugë, veçmas, në momentin kur dihet se Qeveria dhe Kabineti i Presidentit Vuçiq kishte marrë vendim që ato zgjedhje të mbahen në qytetet më të afërta, në jug, gjegjësisht në perëndim të Serbisë. Pra jemi dëshmitarë të një manipulimi të qartë nga kabineti i Vuçiqit dhe Listës Serbe. Kjo nuk është hera e parë që gjithçka i nënshtrohet fushatës së Vuçiqit në prag të zgjedhjeve në Serb”, ka thënë Kërsqit të premten mbrëma në një intervistë për “Interaktiv” në KTV.

Po në ditën e protestave, presidenti Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për “Euronews”, përsëriti se është Kurti ai që ka përmbysur marrëveshjen e Brukselit, për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Ne do të shohim se si do të zhvillohet më tej, si do të shkatërrohet më tej, ose dikush do të përpiqet ta ngjitë në një farë mënyre”, ka deklaruar ai, duke thënë se për nëntë vjet me vështirësi i kanë mbajtur serbët në institucionet e Kosovës. “Për nëntë vite kemi arritur të ruajmë pothuajse të njëjtin numër të serbëve që kemi pasur në vitin 2013, gjë që është tmerrësisht e vështirë dhe në të njëjtën kohë nuk kemi humbur asnjë nga interesat tona jetike kombëtare. Unë mendoj se Beogradi ishte më i drejti në marrëveshjen e Brukselit, nëse më duhet të them kështu”, ka thënë ai.

E në kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Vuçiqit për shkelje të marrëveshjes, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në Kosovë nuk ndodh që gjyqtarët dhe prokurorët të pezullohen e as largohen nga ekzekutivi, ashtu siç mund të ndodh në Serbi.

“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo nuk ndodh në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviq. Ne jemi shteti më demokratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, plotësisht të lidhur me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti, të premten mbrëma.

Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë, rrjedh nga marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shtete e datës 19 prill 2013.

Sipas kësaj marrëveshje, parashihet “vendosjen e një sistemi unitar të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, si dhe shuarjen e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë”. Ajo mundëson që gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët më herët kanë punuar në këto struktura paralele të integrohen dhe të funksionojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës. Marrëveshja ka paraparë themelimin e një Gjykate Themelore dhe një Zyre të Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, në përputhje me ligjin e Kosovës, që do të mbulonin shtatë komuna si: Vushtrrinë, Skenderajn, Mitrovicën e jugut, Mitrovicën e veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun. Marrëveshja parasheh që njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të përbëhet nga 5 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 2 gjyqtarë shqiptarë, departamenti për krime serioze për tërë rajonin e Mitrovicës, i cili do të përbëhet nga 4 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 4 gjyqtarë shqiptarë. Kryetar i Gjykatës Themelore do të jetë një serb i Kosovës nga Mitrovica, kurse Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Themelore do të jetë shqiptar i Kosovës.

Në shkurt të vitit 2017, ministrja e atëhershme për dialog, Edita Tahiri, gjatë pjesëmarrjes në dëgjimin publik në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi dhe proceset e zbatimit, të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, e vlerësoi atë si “një nga marrëveshjet më të rëndësishme të arritura në dialogun e Brukselit”, e që sipas saj “parasheh konsolidimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit”.